Kriza e Ukrainës e ka vënë Kinën përballë një dileme midis Rusisë në njërën anë dhe Shteteve të Bashkuara dhe Europës në anën tjetër, me miliarda euro investime kineze në Europë, të cilat janë vënë në rrezik.
Analistët e Europës Juglindore dhe ekspertë të politikës së jashtme shprehen se Kina ka arsye për të vepruar me kujdes dhe të shmangë izolimin e saj nga shtetet që tashmë janë pjesë e Bashkimit Europian dhe shteteve të tjera në Ballkan që janë duke kërkuar pranimin në të.
“Pikëpamjet kineze në lidhje me krizën janë jashtëzakonisht komplekse”, shprehet Charles W. Freeman Jr, bashkëkryetar i Fondacionit të Politikës kineze në SHBA. “Unë mendoj se kinezët po veprojnë me mjaft kujdes në Moskë”, – shprehet ai.
Së fundmi, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Qin Gang, u ka kërkuar të gjitha palëve të përfshira në situatën e Ukrainës, të veprojnë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të kërkojnë një zgjidhje politike për mosmarrëveshjet e tyre nëpërmjet dialogut dhe negociatave.
“Kina është thellësisht e shqetësuar për situatën aktuale në Ukrainë”, – u tha gazetarëve Qin. Ai ishte pyetur lidhur me qëndrimin e Kinës pasi Këshilli i Federatës dhe Dhoma e Lartë e Parlamentit rus, e autorizuan Presidentin Vladimir Putin për të përdorur forcën ushtarake nëse e gjykonte të nevojshme për të mbrojtur qytetarët rusë dhe ushtarët në territorin e Ukrainës.
Qin e dënoi përdorimin e dhunës nga ana e të gjitha palëve në krizën ukrainase. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Kinë, “Xinhua”, Qin ishte shprehur se Kina i ka këshilluar të gjitha palët përfshirëse në krizën e Ukrainës për të zgjidhur konfliktet e tyre, në mënyrë paqësore, në përputhje me ligjin e vendit, të mbrojnë të drejtat legjitime të popullit të Ukrainës dhe të rivendosin rendin shoqëror sa më shpejt të jetë e mundur.
Qin theksoi se Kina po mbante një qëndrim mbi çështjen e Ukrainës bazuar në parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të çdo vendi. Pekini vazhdon të respektojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, njoftoi Xinhua.
Vazhdimi i marrëdhënieve të mira dhe zgjerimi i tregtisë në mënyrë të qëndrueshme, si me 28 vendet e Bashkimit Europian ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara janë shumë të rëndësishme për strategjinë e Presidentit Xi Jinping.
A rrezikohen investimet e Kinës në Europën Juglindore?!
Kina ka investime të konsiderueshme në Europën Juglindore dhe të gjitha shenjat tregojnë për zhvillim të mëtejshëm të interesave të saj ekonomike në rajon.
“Legjitimiteti politik i të gjitha qeverive moderne kineze mbështetet në aftësinë e tyre të vazhdueshme për të siguruar rritjen ekonomike dhe standardet e jetesës të popullit të tyre, shprehet për “SETimes”, Ralph Winnie, kreu i programit të Kinës në Koalicionin Euroaziatik të Biznesit.
Në takimin e dytë të Kryeministrit të Kinës dhe Europës Qendrore dhe Lindore, të mbajtur në nëntor në Bukuresht, zyrtarët kinezë ranë dakord të formojnë një linjë kreditimi prej 10 miliardë dollarësh, për projekte në 16 vende europiane.
Në këtë grup janë përfshirë shtete si Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Rumania. Kina do të financojë gjithashtu modernizimin e një linje hekurudhore midis Budapestit dhe Beogradit.
Përveç investimeve kineze të bëra në Ballkan, ekziston edhe një projekt prej 900 milionë eurosh, për ndërtimin e autostradës në Mal të Zi, që do të financohet nga bankat kineze.
Në Bosnjë-Hercegovinë, investitorët kinezë po ndërtojnë një termocentral me vlerë 150 milionë euro që do të përfundojë në vitin 2016.
Në fund të shkurtit, Kina hapi një zyrë për investimet kineze në Zagreb të Kroacisë, e cila ka për qëllim tërheqjen e investimeve në të gjitha vendet e Ballkanit.
Sipas vlerësimeve të ambasadorit të Kinës në Bullgari, Wei Jinghua, në vitet e fundit, tregtia midis Kinës dhe Bullgarisë ka parë rritje të shpejtë, nga 984 milionë dollarë në vitin 2010 në 1.89 miliardë dollarë në vitin 2012. Vëllimi i investimeve të Kinës në Bullgari u rrit nga 14.4 milionë euro në 2012 në 77.6 milionë euro në gjysmën e parë të vitit 2013. Great Wall, centrali në fshatin Bahovista, pranë Lovech, është centrali i parë kinez i vendosur në BE.
Pas një vizite të fundit në Pekin, Presidenti bullgar Rosen Plevneliev bëri të ditur se dy nga kompanitë e ndërtimit të kontrolluara nga shteti i Kinës kanë bërë oferta për të ndërtuar autostradën Cherno More, e cila do të lidhë qytetet bregdetare të Detit të Zi, Varna dhe Burgas.
Vladimir Milenkovic, drejtor i Agjencisë për Promovimin e Investimeve dhe Eksportit të Serbisë, tha për “SETimes” se tregtia me Kinën është rritur në dekadën e fundit dhe tani llogarit rreth 7.2 për qind të importeve serbe. Të dy vendet nënshkruan një marrëveshje partneriteti strategjik në vitin 2009, për infrastrukturën dhe zhvillimin e sektorit të energjisë, e mbështetur kjo nga një kredi nga Banka kineze Eksport-Import.
“Kina ka një partneritet të fortë me Rusinë, por duhet theksuar se ky vend është pothuajse gjithmonë për një zgjidhje paqësore, e cila do të mund të shihet edhe në qëndrimin e saj zyrtar në lidhje me Ukrainën”, shprehet për “SETimes”, Milos Solaja, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Banjë Luka dhe drejtor i Qendrës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë.
“Samiti në Bukuresht tregon se ekonomia ekspansioniste kineze është në aktivitet të plotë. Objektivat ekonomike të një superfuqie do të shfaqen diku dhe ekonomia kineze nuk ka se ku të zgjerohet përveçse në Perëndim, tha Solaja. Por kjo nuk mund të arrihet me armë dhe kjo është arsyeja se përse Kina është duke i detyruar për zgjidhje paqësore dhe në parim ajo do të mbështesë Rusinë për shkak të interesave të saj aziatike. Dhe ky do të jetë ekuilibri i Kinës ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”.
Ivona Ladjevac, eksperte dhe studiuese e asociuar në Institutin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ekonominë në Beograd, tha se Europa Juglindore është e rëndësishme për Kinën, duke qenë se ajo është lidhja e saj me Bashkimin Europian.
Ekzistojnë edhe lidhjet me disa tregje të tjera dhe një nga këto tregje është CEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore), me të cilën Serbia lidh Kinën dhe i mundëson asaj disa përfitime ekonomike”, tha për “SETimes”, Ladjevac.
“Kina vazhdimisht këmbëngul në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe parimet e mosndërhyrjes në çështjet e brendshme të vendeve të treta”, – tha Ladjevac.
Kina dhe Ukraina
Siç është e paqartë situata në Ukrainë, po aq të paqarta janë edhe deklaratat dhe pozicioni i Kinës në këtë çështje.
Nga deklaratat e zyrtarëve kinezë të punëve të jashtme thuhet se Kina shpreson në gjetjen e një lloj bilanci dhe se parimet e ligjit ndërkombëtar nuk do të cenohen.
Dhe janë deklaratat e po të njëjtëve zyrtarë që thonë se ata i kuptojnë rrethanat historike dhe proceset që janë duke ndodhur në Euro-Azi, kur bëhet fjalë për pozicionin e Rusisë ndaj Ukrainës.
“Me forcimin e marrëdhënieve midis Kinës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të thotë me vendet e BE-së, Kina kontribuon në përmirësimin e marrëdhënieve midis BE-së dhe Rusisë, dhe përfundimisht për një zgjidhje paqësore të krizës së Ukrainës.
Pekini e ka bërë të qartë se dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me qeverinë e re properëndimore të koalicionit të Ukrainës në Kiev, njoftoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Hua Chunying, në Pekin më 4 mars.
Kina donte të ruante dhe të zgjeronte partneritetin e saj ekzistues strategjik me Ukrainën mbi bazën e barazisë dhe të përfitimit të ndërsjellë, njoftoi Xinhua.
Hua tha shkurtimisht në një konferencë të përditshme për shtyp se qeveria e Pekinit vazhdon të monitorojë ngjarjet që ndodhin në Ukrainë dhe shpreson se kushtet janë duke u përmirësuar.
“Ne shpresojmë se procesi politik i zgjidhjes së krizës në Ukrainë do të procedojë në kuadër të ligjit”, – tha Hua.