Kriza godet edhe konsumin e birrës

19/10/2013 8:39 AM 0 komente

Konsumi i birrës po pëson ulje në kushtet e krizës. Birrat vendase po konkurrojnë ashpër në treg nëpërmjet çmimeve të lira, marketingut agresiv, si dhe zgjerimit të restoranteve “të personalizuar” me logon e tyre

Nga Laura Çela

Kriza ekonomike ka ndikuar negativisht te konsumi i birrës, pasi kompanitë shënojnë shitje thuajse të njëjta me një vit më parë.
Të dhënat e fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave konfirmojnë rënien e importit të birrës gjatë gjysmës së parë të këtij viti.
Sipas doganave janë importuar rreth 12 milionë litra birrë në periudhën janar-qershor të këtij viti, me një rënie prej afro 14% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

importi i birres

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave

Ky është niveli më i ulët i importeve të birrës, i regjistruar në katër vitet e fundit.
Shkaku kryesor që ka çuar në rënien e importeve të birrës është ulja e konsumit vendas, qoftë në bare apo në shtëpi.
Efekti negativ është ndier nga prodhuesit, por edhe nga importuesit, të cilëve u është dashur të reflektojnë edhe rritjen e euros në kursin e këmbimit valutor.
Prodhuesit vendas konfirmojnë se gjatë vitit 2012 dhe në vazhdim në gjysmën e parë të këtij viti nuk është shënuar rritje në prodhimin e birrës. Shifrat zyrtare për prodhimin e birrës nuk bëhen ende të ditura nga Ministria e Bujqësisë, por operatorët thonë se tregu në përgjithësi ka qenë më i dobët, për shkak të një moti të ftohtë më të zgjatur, por edhe rënies së konsumit në përgjithësi.
Konsumi është ulur kryesisht si pasojë e efekteve negative të krizës ekonomike. Operatorët e tregut raportojnë ulje 10-15% të shitjeve të tyre gjatë vitit të kaluar krahasuar me vitin 2011.
Kjo thellohet edhe nga “daljet” më të pakta në bare e restorante, ku është edhe konsumi më i madh i këtij produkti.
Por, edhe pa efektet negative të krizës, shqiptarët janë konsumues “të këqij” të këtij produkti.
Një shqiptar përllogaritet se konsumon 25 litra birrë/vit, 3-4 herë më pak se Rumania apo Bullgaria, apo 5 herë pak se Gjermania, ndër konsumueset më të mëdha të birrës në botë.

Akciza po “dëmton” tregun

Ligj i ri për akcizat, që detyron prodhuesit e birrës të përdorin pullë fiskale dhe të parapaguajnë akcizën, i ka dhënë dinamikë të re tregut të këtij produkti në vend.
Ky ligj hyri në fuqi në qershor të vitit të kaluar dhe ka çuar në shtrenjtimin e çmimeve deri në 10% për të gjitha birrat, vendase dhe importi.
“Rritja e çmimit është padyshim shkaku që ka ulur shitjet tona”, thonë operatorët. Qysh me vendosjen e pullës fiskale është shënuar rënie e vazhdueshme e birrave të importit.
Një efekt shumë të madh negativ, kjo ka pasur për subjektet që importonin birrë në sasi të vogla.
“Ata që janë larguar më së shumti nga tregu janë operatorë që importonin me sasi të vogla, të cilët, për shkak të kapaciteteve më të mëdha financiare dhe kushteve më të forta që duheshin për të vendosur pullat fiskale, kanë dalë nga tregu”, thonë për “Monitor” operatorët.
Tashmë importi është vetëm në “duart” e importuesve më të mëdhenj, të cilët operojnë kryesisht me përfaqësi ekskluzive në Shqipëri, përmes qendrave të tyre në rajon. Sipas operatorëve, ligji i ri e ka dëmtuar tregun, jo vetëm në shtrenjtimin e birrës, që ka çuar në uljen e shitjeve të saj, por edhe te reduktimi i markave që hyjnë në tregun vendas, duke e limituar përzgjedhjen e konsumatorëve.
Operatorët parashikojnë që shitjet dhe konsumi i birrës do të jetë i frenuar deri në fund të këtij viti, kjo sepse edhe sezoni veror i këtij viti u shoqërua me mot të freskët dhe me rënie të shifrave të turistëve.

Prodhues vs importues

Sipas prodhuesve vendas, birrat shqiptare kanë një pikë të fortë në treg, pasi janë me çmime më të lira dhe si pasojë, mund të konsumohen nga një numër i madh konsumatorësh.
Përveç çmimit të lirë, kompanitë e mëdha prodhuese në vend kanë investuar në përmirësimin e teknologjisë, ambalazhit dhe cilësisë së produktit, duke rritur “vlerësimin” për markat vendase tek konsumatorët. Kompanitë vendase kanë qenë shumë aktive në marketing, ku më e fundit ishte edhe Festa e Birrës, e organizuar pak javë më parë nga Bashkia e Korçës.
Një fakt “ndihmës” për birrat vendase është edhe zgjerimi i rrjetit të shitjes përmes restoranteve të mëdha apo të vogla që janë hapur nën “logon” e tyre.
Gentian Muçollari, drejtor i financës në kompaninë e prodhimit të birrës “Kaon”, thotë se është një strategji e kompanisë “Kaon” që të zgjerojmë numrin e restoranteve apo bareve që tregtojnë birrën nën logon e saj.
“Është shtuar numri i këtyre pikave gjatë dy viteve të fundit, dhe presim që kjo të ndikojë pozitivisht në shitjet tona”, z. Muçollari.

Por importuesit duken se janë të qetë. Bledar Begaj, menaxher i marketingut i përfaqësisë së “Carlsberg” në Shqipëri (distributore e “Tuborg” dhe “Carlsberg”, thotë se birrat e importit nuk konkurrojnë me ato vendase.
“Ne konkurrojmë për klientë të ndryshëm. Birra jonë konkurron në fashën e klientëve me të ardhura të mesme dhe të larta, ndërsa ato vendase operojnë kryesisht te konsumatorët me të ardhura më të ulëta, duke operuar me çmime të lira”, thotë z. Begaj. Për të përballuar krizën, kompania me qendër në Danimarkë, “Tuborg” ka zgjedhur të jetë agresive.
Ajo ka ndryshuar pamjen e shisheve dhe i gjithë portofoli i produkteve të “Tuborg” është rinovuar në paraqitjen vizuale. Si pjesë e rinovimeve është prekur edhe slogani i “Tuborg”, duke u transformuar në “Open for More” (Hape për më shumë).
“Ne kemi pasur një fokus të veçantë në marketing këtë vit dhe kjo ka përfshirë të gjitha vendet ku operon ‘Tuborg’. Është ndryshuar etiketa, identiteti është ridimensionuar dhe është cilësuar më shumë për klientët përmbajtja e birrës, që është 100% malt. Kjo strategji ka pasur synimin që të rrisë dominancën e ‘Tuborg’ në treg dhe mund të them se ka qenë e suksesshme”, thotë z. Begaj.

KONSUMI
Konsumi është ulur kryesisht si pasojë e efekteve negative të krizës ekonomike. Operatorët e tregut raportojnë ulje 10-15% të shitjeve të tyre gjatë vitit të kaluar krahasuar me vitin 2011.
Kjo thellohet edhe nga “daljet” më të pakta në bare e restorante, ku është edhe konsumi më i madh i këtij produkti.

KONKURRENCA
-Importuesit konkurrojnë për klientë të ndryshëm nga prodhuesit. Birrat e huaja konkurrojnë në fashën e klientëve me të ardhura të mesme dhe të larta, ndërsa ato vendase operojnë kryesisht tek konsumatorët me të ardhura më të ulëta

AKCIZA
– Importi birrës është tashmë vetëm në “duart” e importuesve më të mëdhenj, që operojnë me përfaqësi ekskluzive në Shqipëri.
Ata që janë larguar më së shumti nga tregu, si pasojë e ligjit të ri për akcizën mbi birrat, janë operatorë që importonin me sasi të vogla, të cilët, për shkak të kapaciteteve më të mëdha financiare dhe kushteve më të forta që duheshin për të vendosur pullat fiskale, kanë dalë nga tregu.

PRITSHMËRITË
– Operatorët parashikojnë që shitjet dhe konsumi i birrës do të jetë i frenuar deri në fund të këtij viti, kjo pasi edhe sezoni veror i këtij viti u shoqërua me mot të freskët dhe me rënie të shifrave të turistëve.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz