Kriza ekonomike po nxjerr jashtë loje kompanitë ndërmjetëse që shërbenin si hallkë lidhëse e bizneseve të mëdha prodhuese apo importuese me tregun e pakicës.
Tashmë kompanitë e mëdha i janë “sulur” vetë tregut të pakicës, duke shitur direkt te subjektet e vogla në përpjekje për të ruajtur fitimet
Nga Laura Çela
Në kushtet kur biznesi është në luftë të vazhdueshme për të ulur sa më shumë kostot, ai po tregohet “i pamëshirshëm” kundrejt shumë partnerëve apo klientëve të mëparshëm.
Nëse më parë, shumë kompani i shisnin shërbimet dhe mallrat e tyre te tregtarë të shumicës, të cilët më pas i “hidhnin” ato në tregun e pakicës, kjo ka ndryshuar shumë në vitet e fundit.
Kriza i ka nxitur sipërmarrësit që të jenë shumë më agresivë në aktivitetin e tyre, të reduktojnë shpenzimet dhe të krijojnë “kontakte” të drejtpërdrejta me klientët, në kushtet kur ruajtja e tregut është sfida kryesore.
Transformimi ka prekur thuajse të gjithë sektorët, por më i ndjeshëm ka qenë te firmat e materialeve të ndërtimit, farmaceutikës, ushqimoreve, etj.
Sot biznesi po shkon gjithnjë e më shumë drejt zinxhirit me vetëm dy hallka prodhues (apo importues)-treg pakice, duke iu larguar skemës prodhues-treg shumice-treg pakice.
Farmaceutika, jashtë loje depot dytësore
Gjatë dy viteve të fundit, konkurrenca në tregun e farmaceutikës është intensifikuar, me importuesit më të mëdhenj të medikamenteve që kanë rritur pjesën e tyre të tregut, ndërsa depot farmaceutike dytësore janë pakësuar ndjeshëm.
Kjo po ndodh në një kohë kur importuesit e mëdhenj po nxjerrin jashtë loje depot farmaceutike, duke shitur drejtpërdrejt në farmaci, duke sjellë kështu ndërprerjen e një hallke në zinxhirin e shpërndarjes.
Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, xhiroja e 24 kompanive farmaceutike më të mëdha gjatë vitit 2011 ishte 140 milionë euro, pothuajse e njëjtë me një vit më parë.
Ajo që vihet re është fakti se 10 kompanitë më të mëdha farmaceutike në vend kanë arritur të rrisin qarkullimin e tyre me 12%, duke treguar se kanë arritur të mbrohen e madje të rriten edhe në kohë “të vështira”. Krejt ndryshe ka ndodhur me 14 firmat e tjera farmaceutike, që kanë regjistruar rënie të qarkullimit prej 26% gjatë vitit 2011.
Kompanitë kryesore importuese (depot farmaceutike primare), kanë arritur të kompensojnë stanjacionin e tregut, duke prerë lidhjen me depot shpërndarëse dhe duke ndryshuar strategji marketingu.
“Ajo që kanë bërë kompanitë e mëdha në dy vitet e fundit është se po shesin direkt në farmacitë e shitjes me pakicë, veçanërisht në qytetet kryesore të Shqipërisë. Kanë ngritur dhe kanë forcuar ndjeshëm strukturat e brendshme të marketingut dhe kjo duket se ka qenë një menaxhim shumë efikas në kohë krize”, thonë përfaqësues të këtij sektori.
Ky trend, që po sjell ngadalë eliminimin në treg të depove dytësore farmaceutike, ka filluar që në 2009-2010, por ka qenë shumë i dukshëm dhe efikas në vitin 2011.
Ndryshimi i strategjisë së menaxhimit ka kënaqur kompanitë e mëdha.
Disa prej këtyre subjekteve kanë arritur të regjistrojnë madje rritje me dy shifra, në një kohë kur depot dytësore janë “tkurrur” me shpejtësi, me disa prej tyre që kanë vuajtur një rënie të qarkullimit prej 90%.
Ndërsa 10 kompanitë më të mëdha kanë arritur të rrisin qarkullimin e tyre me 12%, 14 firmat e mbetura farmaceutike kanë pësuar rënie të qarkullimit prej 26%.
Ndërtimi, dobësohen tregtarët
Kriza e ndërtimit, që ka qenë edhe ndër më të thellat në ekonomi, ka pasur ndikim negativ mbi sektorin e materialeve të ndërtimit, pasi shërbejnë si lëndë të para për këtë industri.
Kompanitë e tregtimit të materialeve të ndërtimit kanë qenë një ndërmjetës i rëndësishëm në zinxhirin e tregut të ndërtimit deri në vitin 2008.
Por me nisjen e krizës, edhe këtu gjithçka ndryshoi.
Tregu i shumicës së këtyre produkteve ka rënë gjatë viteve të fundit, në një kohë kur kompanitë e ndërtimit kanë prerë këtë lidhje në përpjekje për të operuar me kosto sa më të ulëta duke blerë materialet e ndërtimit direkt nga fabrikat apo importuesit e mëdhenj.
Kjo situatë ka çuar në mbylljen e shumë kompanive të tregtimit me shumicë, të cilat u gjendën përballë problemeve të thella të likuiditetit.
Prej vitesh, në një kohë kur sektori i ndërtimit rritej me hapa thuajse “galopantë”, këto kompani ndërmorën risqe të mëdha si pjesë e zinxhirit të ndërtimit, duke luajtur rolin e një “banke”.
“Është fakt se shumica e këtyre firmave kanë shërbyer si bankë për shumë shoqëri ndërtimi, pasi ato i kreditonin mallrat e tyre duke mos marrë para direkt nga ndërtuesit. Ky treg funksiononte thuajse i gjithi me këtë lloj skeme”, thotë Elmir Boriçi, drejtor i marketingut në kompaninë e prodhimit të tjegullave dhe tullave, “Edil-Centro”.
Por kur tregu u mbërthye nga kriza, operatorët e tregtisë me shumicë të materialeve të ndërtimit, e kishin shumë të vështirë të mblidhnin detyrimet që u kishin ndërtuesit dhe u mbërthyen nga probleme të rënda të likuiditetit.
Mbiprodhimi në disa tregje të materialeve të ndërtimit, të tilla si tulla dhe çimento, rriti më tej konkurrencën dhe presionin për të ulur çmimet dhe fitimet e kompanive që tregtojnë këto produkte.
Gjatë viteve 2009-2011, kompanitë u detyruan të ulnin çmimet në një përpjekje për të mbajtur pjesën e tyre të tregut.
Aktualisht, konsumi mbetet ende i ulët, ndërkohë që kriza ekonomike ka ulur investimet. Kompanitë nuk presin ndonjë përmirësim të veprimtarisë së tyre në të ardhmen e afërt, pasi tregu i ndërtimit pritet të mbetet i dobët dhe me performancë negative.
Deri në 2009-2011, të gjitha materialet e ndërtimit që prodhoheshin apo importoheshin në vend tregtoheshin përmes operatorëve të shitjes me shumicë. Por në vitet e fundit, për shkak të përkeqësimit të tregut, biznesi i ndërtimit që tashmë është në krizë të thellë, e pati shumë të vështirë të realizonte fitime, për shkak të rënies së çmimeve.
Aktualisht, fabrikat e tullave dhe prodhuesit e importuesit e hekurit janë shitur drejtpërdrejt për kompanitë e ndërtimit.
“Ne si kompani prej vitesh po shesim direkt tek firmat e ndërtimit që kanë qenë të interesuara vetë të krijojnë këtë lloj bashkëpunimi me ne”, thotë z. Boriçi.
Ndërkohë, sipas të dhënave nga tregu, fabrikat e çimentos janë ende duke përdorur hallkën e kompanive me shumicë, por duke operuar me ekskluzivitete.
“Ato ia shesin çimenton firmave që kanë fituar ekskluzivitetin për të tregtuar produktin në tregun e brendshëm, pasi vetë prodhuesit e çimentos e kanë më të vështirë që të ngrenë struktura marketingu për të organizuar shitjet me pakicë”, thonë operatorët e tregut.
Materialet e tjera të ndërtimit, si tuba apo materiale të ndryshme plastike, metalike, etj., janë duke u tregtuar kryesisht nga kompanitë e shitjes me shumicë, që i importojnë ato direkt nga vendet e huaja.
Materialet e ndërtimit ndajnë një rol të rëndësishëm në vlerën totale të sektorit të ndërtimit. Ato mbulojnë pothuajse 43% të shpenzimeve totale e industrisë së ndërtimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.