Shkëmbimet e “hidhura” midis qeverisë së Maqedonisë dhe opozitës, duke përfshirë përgjimin dhe pretendimet e ryshfeteve prej miliona eurosh, kanë shtyrë shtetin ballkanik në një krizë të thellë që mund të pengojë më tej ofertën e saj, tashmë të ngecur, për anëtarësim në BE.
Që nga fillimi i vitit, qeveria e kryeministrit konservator Nikola Gruevski dhe qendrës së majtë të opozitës kanë komunikuar vetëm përmes shkëmbimeve të akuzave publike.
Kriza nuk ka dëmtuar vetëm institucionet tashmë të dobëta të Maqedonisë, por ajo gjithashtu ngjalli shqetësime në 28 vendet e Bashkimit Europian, te të cilat ajo po kërkon të bashkohet.
“Kjo është një lojë e rrezikshme politike që shkakton dëme katastrofale në kolateral. Institucionet tashmë të brishta, janë dobësuar edhe më tej”,- ka thënë analistja politike Biljana Vankovska për agjencinë AFP.
Sapo kriza filloi, Brukseli shprehu alarmin mbi “përkeqësimin e dialogut politik”, në ish-republikën jugosllave dhe bëri thirrje për një hetim të plotë.
Në janar, qeveria paraqiti një ankesë kundër udhëheqësit të opozitës Zoran Zaev dhe disa njerëz të tjerë për spiunazh dhe dhunë ndaj zyrtarëve.
Zaev hodhi poshtë akuzat dhe, nga ana tjetër, akuzoi qeverinë për përgjimin e të paktën 20.000 personave, duke përfshirë këtu politikanë, gazetarë dhe udhëheqës fetarë.
Ai gjithashtu e akuzoi Gruevskin për pranimin e një ryshfeti prej 20 milionë eurosh, nga firmat kineze, për t’u dhënë atyre koncesione për ndërtimin e autostradave.
Zaev kryeson opozitën e socialdemokratëve, të cilët e kanë bojkotuar Parlamentin për gati një vit, duke pretenduar një mashtrim gjatë zgjedhjeve të prillit të 2014-s.
Ai i ka bërë thirrje Kryeministrit të japë dorëheqjen, të formojë një qeveri të përkohshme dhe të organizojë zgjedhje të parakohshme “të drejta dhe demokratike”.
Vendi është qeverisur me një marrëveshje delikate për ndarjen e pushtetit mes maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë, që nga përfundimi i konfliktit shtatëmujor në vitin 2001 në mes forcave të armatosura të vendit dhe rebelëve shqiptarë etnikë.
Shqiptarët etnikë përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë prej 2.1 milionë të Maqedonisë.
Partia e Gruevskit ka bërë koalicion me partinë kryesore të shqiptarëve etnikë që nga viti 2006. Qeveria tani po përballet me pengesa në rritje në përpjekjet e saj për t’u bashkuar në EU.
Maqedonia mori statusin e kandidatit të BE në 2005, por është ende në fillesat e bisedimeve për pranim, pjesërisht për shkak të kundërshtimit nga Greqia.
Athina i mohon fqinjit të saj të drejtën të përdorë emrin e Maqedonisë, duke argumentuar se nënkupton një në rajonin verior grek, të pretenduar, me të njëjtin emër.
Maqedonia “rëndohet” edhe nga vështirësitë ekonomike, me një papunësi që ka arritur 28 për qind.
Si shenjë e një atmosfere politike “nën ethe”, Gruevski madje paralajmëroi se opozita mund të bëjë lëvizjet që mund të provokojnë “destabilizimin ndëretnik të mundshëm” midis maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë.
“Situata është shumë serioze. Ka një rëndësi të madhe që bisedimet e pranimit në BE të hapen sa më shpejt që të jetë e mundur”, – ka deklaruar për gazetarët Ivo Vajgl, një raportues i Parlamentit Europian për Maqedoninë.
Ndërmjetësimi i nevojshëm i BE-së
“Sundimi i konservatorëve tregoi se elitat ende nuk kanë kulturë politike dhe kanë shkelur parimet themelore të demokracisë dhe kanë vendosur një sistem autoritar populist” – paralajmëroi analisti politik Nano Ruzhin.
Ndërkohë, i përballur me një humbje të mbështetjes, Zaev ka qenë duke u përpjekur dëshpërimisht për të kapur iniciativën.
“Opozita është duke kërkuar për një mbështetje, një mënyrë për të destabilizuar qeverinë apo për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, i cili nuk duket i interesuar në situatën në vend”,- tha Ruzhin.
Disa analistë kritikojnë politikën e Brukselit ndaj Shkupit dhe zvarritjen e bisedimeve të pranimit.
BE-ja ka “gjëra të komplikuara” duke mos arritur të japë një datë për fillimin e bisedimeve të pranimit, tha analisti politik Aleksandar Dastevski.
Ruzhin i bëri jehonë kësaj pikëpamje dhe tha se komuniteti ndërkombëtar dukej se ishte i interesuar vetëm në “aspektin e sigurisë dhe situatën në lidhje me marrëdhëniet etnike në vend, duke neglizhuar aspektin politik.”
Shumica e analistëve besojnë se nuk do të ishte e mundur të zgjidhet kriza, pa ndihmën e komunitetit ndërkombëtar.
Përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës mendonin se duheshin bisedime të ndërmjetësuara nga BE-ja në Parlamentin Europian.