Konsumi i verës në rënie, ndërsa kantinat shqiptare prodhuan më shumë se një vit më parë. Kërkesa e ulët tkurri importin me mbi 25%, ndërsa tregu në tërësi ra mbi 3% krahasuar me 2012-n.
Në tryezat shqiptare gjatë fundvitit vlerësohet të kenë kryesuar që mbajnë një etiketë të huaj. Sipas tregtarëve të verës, kjo është një tendencë disavjeçare, por që nuk mund ta përmbysë ecurinë e mirë të konsumit të verërave të prodhuara në vend. Prania e tyre në tavolinat festive pritet të rritet me 20% krahasuar me një vit më parë. Arsyet janë të dyfishta: prodhuesit vendas kanë forcuar pozitat në treg me rritjen e sasisë së prodhimit, por në të njëjtën kohë, vështirësitë financiare po i çojnë blerësit drejt produkteve më të lira. Në përgjithësi, verërat vendase kushtojnë pak më lirë se ato të importit, ndonëse për disa, çmimet mund të jenë edhe më të larta se mesatarja e importit.
Bazuar në të dhënat e nëntëmujorit (import, prodhim) konsumi i verës pritet ta mbyllë këtë vit me një tkurrje prej 5%, ndërkohë që edhe vitin e kaluar, shënoi rënie të lehtë. Kantinat shqiptare pritet ta mbyllin këtë vit me rreth 37 mijë hektolitra (hl), ose 7 mijë hl më shumë se një vit më parë. Ndërkohë që sasitë e importit ranë 15%.
Përfaqësues të disa kantinave vendase tregojnë se rritja e prodhimit erdhi pas një viti të vështirë. “Gjatë vitit që shkoi, prodhuam më pak për shkak të vështirësive në shitje, por këtë vit, sasia është më e kënaqshme, pasi viti ishte më i mbarë edhe me vreshtat”, sipas përfaqësuesve të kantinës së verës në Berat. Ata tregojnë se cilësia e prodhimit në vend është shumë e mirë dhe është përmirësuar ndjeshëm ndër vite, ndonëse promovimi i prodhimit vendas mbetet në nivele të ulëta. Gjatë këtyre viteve, rezulton që të huajt e kërkojnë verën shqiptare në restorante, ndërsa shqiptarët, të cilët vazhdojnë të preferojnë verën e importit, kanë filluar të “provojnë” edhe prodhimet shqiptare.
Kompanitë importuese, ndonëse të pozicionuara më mirë në tregun tonë, kanë vuajtur vitin e fundit problemet me kërkesën e ulur. Tregtarët e verërave franceze tregojnë se kërkesa ka rënë mesatarisht 15%, ndërsa për verërat spanjolle (ndonëse më të lira) kërkesa është 25% më e ulët se vetëm një vit më parë.
Në kushtet e një krize konsumi, prania e një numri të madh kompanish importuese, ndërsa po shtohen edhe prodhuesit vendas, ka krijuar një presion të madh në treg. Nga të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, në vendin tonë numërohen të regjistruara 70 kantina vere. Ndërkohë që numri i kompanive që operojnë në këtë sektor, përfshirë importin, arrin në 420, sipas të dhënave tatimore.
Shifrat e verës: 2013
3% bie konsumi në total
25% bie importi i verës
Mbi 20% rritet konsumi i verës “Made in Albania”
Prodhimi kryeson tregun
Pasi mbizotëruan për vite verërat italiane, spanjolle e ato franceze, “timonin” e tregut e ka marrë në dorë prodhimi vendas. Përfaqësues të agrobiznesit tregojnë se familjet e prodhuesve të verërave e kanë zgjeruar aktivitetin, duke përfshirë vreshtat e disa fshatrave përreth.
Kjo po ndodh kryesisht në rrethinat e Tiranës, Beratit e Lezhës.
E krahas forcimit të markës së prodhimit në ndihmë të këtyre kantinave po vijnë restorantet. “Kush konsumon jashtë shtëpisë, kërkon një verë shumë të mirë, ose një kombinim cilësi-çmim, që e gjen te vera e hapur e vendit”, thotë enologu Simon Hatia. Sipas tij, më shumë se gjysma e verës së prodhuar në vend arrin të konkurrojë edhe në cilësi verën e importit. Në fakt, importuesit nuk e pranojnë humbjen e stafetës, duke thënë se po importojnë në të njëjtat nivele të viteve të kaluara, ndërsa pranojnë se janë në vështirësi. Normat e tyre të fitimit janë ulur dhe për të konkurruar në çmim, nuk mund t’u drejtohen prodhimeve më pak cilësore të importit.
Nga tregu europian vazhdon të sigurohet sasia më e madhe e importit, me rreth 70% të këtij tregu. Sipas të dhënave doganore, vlera e importit zbriti në 22 mijë hektolitra.
Eksportet, ende pa peshë
Ndonëse vera shqiptare ka filluar të jetë konkurruese në tregun e brendshëm, shanset për eksport mbeten të largëta, ose të paktën nuk po shfrytëzohen sa duhet.
Eksportet vazhdojnë të mbeten ende simbolike, ndonëse vitet e fundit u rritën me ritme të shpejta.
Prodhuesit vendas të verës tregojnë se po tentojnë të gjejnë tregje të reja, por nuk e përjashtojnë faktin se e kanë të vështirë të konkurrojnë kantinat në rajon, e veçanërisht në Mal të Zi e Maqedoni. Sasia e eksportuar ishte 350 hektolitra gjatë vitit të kaluar dhe pak pritet të rritet këtë vit. Në eksporte kryeson Kosova, ku përfundon rreth 80% e verës shqiptare që i kalon kufijtë.
Më e mira, nuk preket nga kriza
Pavarësisht rënies së konsumit e të importit, një kategori verërash nuk janë prekur aspak nga kriza. Ato janë marka të njohura italiane e franceze dhe që kushtojnë jo pak. Të hasur me këtë fenomen gjatë këtyre viteve të vështira që prekin konsumin, importuesit kanë zgjedhur të mos prekin aspak cilësinë e verës që sjellin, duke u qëndruar besnikë blerësve, të cilët në të njëjtën kohë janë në gjendje t’u qëndrojnë besnikë shpenzimeve të tyre.
Importuesit pranojnë se “konsumatorët me të ardhura mbi mesatare nuk e kanë ulur konsumin e verërave klasike dhe as që tentojnë ta bëjnë një zgjidhje të tillë”. Kjo ndodh edhe për faktin se konsumatori i verës është përzgjedhës dhe në sjellje kërkon më të mirën.
“Kemi importuar verëra më të shtrenjta”, shprehen tregtarët e “Miguel”, një prej kompanive importuese.
2012: Rritet gati 3% tregu botëror
Tregu ndërkombëtar i verës u rrit ndonëse më pak se vitet e kaluara, duke shtuar nivelin e shitjeve me 87 milionë hektolitra, krahasuar me vitin 2011, sipas të dhënave të Zyrës Ndërkombëtare të Verës. Sipas përfaqësuesve të kësaj zyre, rritja e vitit të kaluar u nxit prej eksporteve italiane e gjermane, të cilat rritën volumin e eksportit respektivisht me 1.2 dhe 0.4 milionë hektolitra. Sipas këtyre të dhënave, pesë vendet kryesore eksportuese të verës janë Spanja, Italia, Australia, Kili, Franca dhe SHBA. Të njëjtat shifra tregojnë se 40% e së gjithë verës së prodhuar është konsumuar jashtë vendeve të prodhimit.
Zyra Ndërkombëtare e Verës tregon se vitin e kaluar konsumi në nivelin botëror pati ecuri rritje më të madhe nga sa parashikohej. Niveli botëror i konsumit arriti në 237,7 milionë hektolitra. Gjithsesi, në nivel global po regjistrohet një rënie e sipërfaqes së mbjellë me vreshta, e ndikuar kryesisht nga politikat e Bashkimit Europian. Nga 65 mijë hektarë të reduktuar me vreshta (duke bërë që vreshtat në nivel botëror të jenë 7.5 milionë hektarë), 64 mijë shtriheshin në vendet e Bashkimit Europian.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.