Ivica Todorovic, pronari kryesor i gjigantit kroat Agrokor, nisi procesin e “menaxhimit të jashtëzakonshëm”, duke i dhënë shtetit në këtë mënyrë një rol të përcaktuar në procesin e ristrukturimit të kësaj kompanie.
Me nënshkrimin e kësaj kontrate, pronari Todorovic, e vendosi gjigantin me probleme nën kontrollin e shtetit.
Parlamenti i Kroacisë miratoi “Ligjin mbi procedurat për menaxhimin e jashtëzakonshëm në kompanitë me rëndësi të lartë”. Ky ligj njihet me emrin “Lex Agrokor” dhe është nxjerrë posaçërisht për kompanitë e mëdha që kanë probleme, i jep shtetit një rol të rëndësishëm në procesin e ristrukturimit që mund të zgjasë deri në 15 muaj, kohë gjatë së cilës, borxhet e kompanisë pezullohen.
Ligji autorizon Gjykatën të emërojë një menaxher të jashtëzakonshëm të kompanisë, që do të kontrollohet nga Ministria e Ekonomisë, e cila do të ndihmojë në shmangien e procedurave të rregullta mbi falimentin.
Todorovic u shpreh se e kishte marrë këtë vendim, duke besuar se ai ishte në të mirë dhe në interes të çdo punonjësi, partneri apo mbështetësi të kësaj kompanie dhe mbi të gjitha, edhe në interes të aktorëve të tjerë që ndikojnë në ekonominë e saj të përgjithshme. Gjatë deklaratës për shtyp, ai u shpreh më tej se i falënderonte të gjithë punonjësit, bashkëpunëtorët e afërt dhe partnerët me anë të të cilëve u bë i mundur krijimi dhe ndërtimi i kompanisë më të rëndësishme në historinë e Kroacisë.
Ai u bëri thirrje të gjithëve për të dhënë ndihmën e tyre që kjo kompani të vazhdojë të punojë dhe mbi të gjitha, që të ketë po të njëjtin staf punonjësish që ka pasur edhe më parë. Ai e përfundoi fjalimin e tij duke thënë se kishte investuar 40 vjet të jetës në fushën e ndërtimit jo vetëm në Kroaci, por edhe në të gjithë rajonin, prandaj ndihej shumë krenar sepse gjithçka që e ndërtoi me aq mund dhe sakrifica, ia dorëzoi me duart e tij shtetit kroat.
Kreditorët e Agrokorit dhe kompania nënshkruan së fundmi një marrëveshje, duke e vendosur Antonio Alvarez III, nga agjencia e konsulencës globale Alvarez & Marsal, në postin e shefit të ristrukturimit të kompanisë.
Agrokor u detyrohet bankave ruse Sberbank dhe VTB një borxh që shkon deri në 1.3 miliardë euro, shifër kjo që ua rrit mundësitë këtyre bankave për të marrë pjesën më të madhe të aksioneve të kësaj kompanie, duke e shndërruar në këtë mënyrë Kremlinin në një aksioner të rëndësishëm në ekonominë kroate.
Roli i kompanisë në ekonominë e Kroacisë është shumë i madh, me të ardhura që shkojnë deri në 6.5 miliardë euro, afërsisht rreth 16% e totalit të PBB-së së Kroacisë dhe me një numër punonjësish që shkon deri në 40,000. Agrokori punësoi edhe rreth 20.000 punonjës të tjerë në Bosnjën dhe Serbinë fqinje, si edhe supozohet se furnizuesit dhe kompanitë për shitësin slloven Mercator – të cilin Agrokor e bleu në vitin 2014 – punësuan rreth 70,000 njerëz në Slloveni.