Sipas menaxherit të jashtëzakonshëm të emëruar nga shteti në krye të gjigantit kroat të trazuar, Agrokor-it, kjo kompani po fillon të shlyejë borxhet që ka ndaj furnizuesve, të cilat arrijnë 18 milionë euro.
Sipas Ligjit mbi Procedurat e Menaxhimit të Jashtëzakonshëm në Kompanitë e Rëndësisë së Veçantë, shteti kroat ndërmori një periudhë 15-mujore të menaxhimit të “krizës” të Agrokor në prill.
Në qershor, u siguruan rreth 30 milionë euro për të mbuluar borxhet e Agrokor-it për fermat e vogla familjare dhe kompanitë e vogla, ku të ardhurat vjetore nuk i kalojnë 700,000 euro.
Pagimi i parë prej 18 milionë eurosh do të fillojë menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Kreditorëve, ku u vendos se do t’u jepej prioritet kreditorëve më të vegjël, duke qenë se ata janë më pak të aftë të përballojnë vonesat e zgjatura në pagesa.
“Ka rreth 2.100 furnizues, lista është e gjatë dhe unë besoj se mund të ketë disa lëshime në atë listë”, u shpreh z. Ramljak, duke theksuar se ata do të korrigjojnë çdo gabim në një periudhë më të vonë. Ai tha se rënia e shitjeve në Konzum, shitësi më i madh me pakicë në vend, gjithashtu ka ndaluar.
“Në baza ditore, ne po gjenerojmë ende disa humbje të vogla, por ky trend humbjeje është ndalur dhe po lëviz drejt zeros… Shitjet kanë rënë me 2.2% krahasuar me vitin e kaluar, gjë që është shumë pozitive krahasuar me humbjet që kemi pasur në fillim të procesit”, – vazhdoi ai.
I pyetur për vlerësimin e dhënë nga auditimi financiar, i cili i ka vlerësuar humbjet e kompanisë nga 1.6 dhe 2 miliardë euro në 2016, sipas së përditshmes “Jutarnji list” – z. Ramljak tha se nuk do të bëjë asnjë koment mbi vlerësimin e auditimit deri në mes të shtatorit të këtij viti.
Pasi kompania u përball me probleme serioze financiare, pronari i saj, biznesmeni kroat Ivica Todoriç, ia dorëzoi atë në menaxhimin shtetit në prillin e këtij viti.
Roli i kompanisë në ekonominë e Kroacisë është masiv, me të ardhura prej 6.5 miliardë eurosh në vitin 2015, pothuajse 16% e PBB-së totale të Kroacisë, dhe rreth 40,000 punonjës. Agrokor punëson edhe 20.000 njerëz në Bosnjën dhe Serbinë fqinje, ndërsa Merator-i të cilin Agrokor e bleu në 2014, punësoi rreth 70,000 vetë në Slloveni.