Korporata e Rrugëve dhe Urave të Kinës do të ndërtojë urën shumë të diskutueshme të Peljesacit në Kroacinë Jugore, e projektuar për të lidhur Dubrovnikun me pjesën tjetër të vendit.
Kompania shtetërore e rrugëve të Kroacisë njoftoi javën e kaluar se Korporata e Rrugëve dhe Urave të Kinës do të ndërtojë Urën e Peljesaçit, njëkohësisht edhe projekti më i madh infrastrukturor në vend.
Oferta e kompanisë shtetërore kineze ishte më e lirë se ajo e Strabag-ut të Austrisë – 279 milionë euro në krahasim me 351 milionë euro.
Edhe një konsorcium italo-turk konkurronte po për të njëjtin tender, por ai u refuzua për shkak të një garancie të pavlefshme bankare.
Tenderi u hap në shtatorin e vitit të kaluar dhe kompanitë kishin katër muaj për të paraqitur ofertat e tyre.
Ura që lidh bregun kroat me jugun e Gadishullit të Peljesaçit është shumë e rëndësishme, sepse anashkalon një shirit të shkurtër të bregdetit boshnjak që ndërpret vazhdimësinë e territorit kroat dhe të BE-së.
Për këtë arsye, Komisioni Europian në qershorin e kaluar, ofroi për të furnizuar deri në 85% të fondeve për ndërtimin e urës. Politikanët boshnjakë shpeshherë e kanë kundërshtuar projektin e urës, duke pretenduar se do të kufizojë ardhjen e anijeve të mëdha që vijnë në portin boshnjak të Neumit.
Kina ka bërë edhe disa investime të tjera të mëdha në Kroaci. Kompanitë kineze po bëhen gjithnjë e më të pranishme edhe në pjesën tjetër të Ballkanit.
Edhe sipas një raporti të fundit të publikuar nga Shtëpia e Lordëve në Britani theksohet rritja e investimeve dhe ndikimit të Kinës në rajonin e Ballkanit.