Qeveria e Kroacisë duhet të vazhdojë me planet e saj që të dyfishojë gradualisht shumën e parave që qytetarët paguajnë në fondet e pensioneve, deklaroi kreu i një prej organeve më të rëndësishme të industrisë javën e kaluar.
Damir Grbavac, kryetar i shoqatës së fondeve të pensionit, UMFO, tha për Reuters se anëtarët e tij kishin nevojë për më shumë mundësi për të investuar në ekonominë lokale, duke thënë se kishte mungesë të kompanive kroate në financimin e tregut të kapitalit. Si Banka Botërore, ashtu edhe FMN-ja, kanë deklaruar se Kroacia duhet të rishikojë sistemin e saj të pensioneve, së bashku me reformat e tjera, nëse anëtarja më e re e Bashkimit Europian dëshiron që ekonomia e saj të rritet në mënyrë të shëndetshme, që më pas të bëhet pjesë e Eurozonës.
“Fondet e pensioneve mund të ndihmojnë në sigurimin e qëndrueshmërisë së sistemit të pensioneve, në varësi të ritmit të rritjes graduale të pagesave në fondet e pensioneve, tha z. Grbavac, i cili drejton edhe bordin e fondit të pensionit tek Raiffeisen.
Tatimpaguesit aktualisht paguajnë vetëm 5% të pagave të tyre bruto në fonde të detyrueshme të pensioneve. Qeveritë e njëpasnjëshme kanë premtuar të rrisin kontributet dhe të sjellin reforma të tjera që nga momenti kur fondet e pensioneve private u prezantuan për herë të parë në vitin 2002, por analistët kanë thënë se kanë dështuar në mënyrë të përsëritur në realizimin e ndryshimeve afatgjata dhe ndoshta jopopullore në favor të rregullimeve afatshkurtra.
Më shumë se 40% e shpenzimeve të qeverisë për pensionet, afërsisht rreth 36 miliardë kuna në vit, duhet të gjenerohen nga të ardhurat tatimore, duke qenë se kontributet që mblidhen nga sistemi “pay-as-you-go” nuk janë të mjaftueshme, veçanërisht duke pasur parasysh nivelet e ulëta të punësimit dhe numrin e madh të pensionistëve. Në fund të vitit të kaluar, asetet e katër fondeve të detyrueshme të pensioneve arritën në 91.9 miliardë dollarë, rreth 26% e PBB-së së vendit.
“Duke parë këtë raport, pas Zvicrës, Kroacia është në krye midis vendeve në Europën Qendrore. Megjithatë, problemi ynë kryesor është mungesa e mundësisë për investime brenda vendit”, tha më tej z. Grbavac. Aktualisht, fondet investojnë pjesën më të madhe të aseteve të tyre në borxhin kroat dhe vetëm mbi 10% në investimet e huaja.
“Ekspozimi ynë ndaj aseteve të huaja mund të rritet, por shumica e investimeve duhet të fokusohen në nivel vendor dhe për këtë arsye ne dëshirojmë të shohim një zgjerim të tregut të kapitaleve përmes firmave të reja me rritje të shpejtë, sidomos ato në sektorin e IT-së dhe të orientuara ndaj tregjeve ndërkombëtare”, tha më tej z. Grbavac.
Ai tha se aktualisht, sektori më dinamik është turizmi, por ata shohim mundësi të reja zhvillimi në sektorin e energjisë dhe në infrastrukturën e transportit.