Qeveria e Kroacisë ka ftuar prodhuesin e makinave të Koresë së Jugut, Hyundai Motor Company, për të ndërtuar një fabrikë në vend, tha ministri i Ekonomisë, Darko Horvat.
“Kam ftuar katër ose pesë prej lojtarëve më të rëndësishëm të industrisë së automobilave për të krijuar struktura prodhimi në Kroaci dhe Hyundai është një prej tyre”, tha z. Horvat në një video të publikuar të mërkurën në HRT. Ndërsa emrat e kompanive të tjera ai nuk i bëri të ditur.
Edhe mediat kroate njoftuan se prodhuesi i makinave të Koresë së Jugut, Hyundai Motor Company, kishte nisur negociatat me qeverinë kroate për ndërtimin e një fabrike të prodhimit të makinave rreth dy muaj më parë. Rimac Automobili, e themeluar në vitin 2009, është prodhuesi i vetëm i makinave në Kroaci, që vazhdon të jetë funksional. Kompania zhvillon dhe prodhon automjete elektrike me performancë të lartë, si dhe sisteme të baterive. (SeeNews)