Këshilli Gjyqësor i Gjykatës së Qarkut në Zagreb ka thënë se Ivica Todoriç, ish-pronari i gjigantit ushqimor të mbytur në borxhe, Agrokor, mund të shmangë paraburgimin, me kusht që ai të paguajë një garanci prej 1 milion eurosh, edhe pse janë të shumtë ata që dyshojnë nëse ai do të jetë në gjendje ta paguajë atë. Të shumtë janë personat që dyshojnë se ai do të jetë në gjendje ta paguajë këtë shumë, apo nëse do të përdorë mjete alternative.
“Ne nuk kemi para por ne mund të ofrojmë në këmbim të kësaj vlere pasuri të patundshme, por edhe në këtë drejtim kemi disa probleme, tha të mërkurën e kaluar, avokatja e Todoriç, Jadranka Slokoviç.
Z. Todoriç dha dëshminë e tij në Prokurorinë e Qarkut, si pjesë e hetimeve për keqpërdorim financiar dhe për lloje të ndryshme mashtrimesh në kohën kur ishte në krye të Agrokor. Ish-pronari i Agorkor, të cilën ai e themeloi në vitin 1976, u ekstradua në Kroaci nga Londra më 7 nëntor të këtij viti, dhe u arrestua menjëherë.
Zyra e Prokurorit të Shtetit në Zagreb e nisi hetimin në tetor të vitit të kaluar.
Nga rezultatet e rishikimit financiar të të gjithë grupit të Agrokor u zbulua se në vend të një fitimi të raportuar prej 160 milionë eurosh në vitin 2015, ky grup kishte pësuar një humbje prej 480 milionë eurosh. Vështirësitë financiare për grupin e madh privat kroat dolën në dritë që nga fillimi i vitit 2017.
Pas një borxhi të lartë prej 7 miliardë eurosh, i barasvlefshëm me 15% të prodhimit ekonomik të Kroacisë, Agrokor në fillim të vitit 2017 kaloi nën menaxhimin e shtetit, sipas një ligji të veçantë, i njohur si “Lex Agrokor”. Lëvizja u bë për të shmangur falimentimin e kompanisë dhe mbylljen e më shumë se 50,000 vendeve të punës në të gjithë rajonin e Ballkanit.
Kreditorët arritën një marrëveshje të ristrukturimit të borxhit në korrik të këtij viti, të cilën Gjykata e Lartë e Zagrebit e konfirmoi më 26 tetor.