Inspektorë të qeverisë kroate janë duke vlerësuar nëse guvernatori i Bankës Qendrore, Boris Vujcic, kishte konflikt interesi duke marrë pjesë disa herë në një konferencë ekonomike të sponsorizuar nga pronari i bankës më të madhe tregtare të Kroacisë.
Konferenca vjetore ekonomike në rezortin austriak të skive, Kitzbuehel, është e organizuar dhe sponsorizuar nga UniCredit e Italisë, e cila zotëron bankën kroate, Zagrebacka.
Komisioni Shtetëror për Konfliktin e Interesit vuri në dukje se UniCredit i paguante shpenzime guvernatorit të Bankës Qendrore, ndërkohë që Banka Qendrore mbikëqyr të gjitha bankat lokale, në mesin e të cilave është edhe një bankë në pronësi të Bankës mëmë.
Vitin e kaluar, Vujcic shkoi në Kitzbuehel me kryeministrin e atëhershëm, Tihomir Oreskoviq, për të biseduar me investitorët rreth kushteve të financimit dhe mundësive të ofruara.
Komisioni vendosi ta marrë në shqyrtim çështjen vetëm pas një ankese të një shoqate vendase debitore në franga zvicerane, “Franak”.
Banka qendrore nuk dha asnjë deklaratë të menjëhershme për shtypin në lidhje me këtë konflikt interesi. Janë të paqarta pasojat nëse një gjë e tillë rezulton e vërtetë, pra të konstatohet nga Komisioni se Vujcic kishte konflikt interesi. Raste të tilla të ngjashme që kanë ndodhur në të kaluarën zakonisht janë mbyllur me vendosjen e gjobave të larta.
Franak e ka akuzuar në mënyrë të vazhdueshme Bankën Qendrore për dështimin e saj në lidhje me shumë kredi, sepse kishte si synim primar të përfitonte nga normat e ulëta të interesit zvicerane, por e pati shumë të vështirë ose pothuajse të pamundur për të paguar në momentin kur franga zvicerane u rivlerësua në mënyrë dramatike.
Banka qendrore ka deklaruar se Vujcic i ka thënë publikisht rreth një dekadë më parë, rreziqet e marrjes së një kredie të tillë, madje asokohe ai ishte në postin e zëvendësguvernatorit. Gjatë 2015-s, Kroacia i detyroi bankat lokale të kthenin kreditë e tyre në monedhën euro dhe vuri mbi to të gjitha kostot. Ndërkohë të gjithë janë në pritje të vendimit që do të marrë gjykata.