Guvernatori i Bankës Kombëtare, Boris Vujçiç, tha se pret që ekonomia kombëtare të rritet 0.4% këtë vit, nga parashikimi 0.2% i Bankës Qendrore në dhjetor.
Vitin e kaluar, ekonomia u tkurr për të gjashtin vit radhazi, me 0.4%, tha Vujçiç në fillim të konferencës dyditore kroate për tregun monetar, mbajtur në Opatija.
Në vitin 2014, investimet u reduktuan me 4% dhe shpenzimet e shtetit me 1.9%, kryesisht për shkak të masave të konsolidimit fiskal, tha Vujçiç duke shtuar se rimëkëmbja ekonomike ishte anemike dhe po ndodhte përkundër sfondit të borxhit të lartë të huaj, pabarazive të theksuara makroekonomike dhe të metave strukturore të ekonomisë kombëtare.
Fundi i vitit të kaluar u përball me fillimin e një rimëkëmbjeje të butë, e cila ka vazhduar në fillim të vitit 2015, tha ai.
“Duke gjykuar nga ritmi i treguesve, duket se tendencat më të favorshme mund të mbizotërojnë në muajt në vijim”, – tha Vujçiç, duke shtuar se Banka Qendrore priste që PBB-ja të rritet 0.4% këtë vit.
Komisioni Europian rriti të martën e kaluar parashikimin mbi rritjen ekonomike të Kroacisë për këtë vit 0.2-0.3%, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se priste një rritje prej 0.5%.