Dy kandidatët kryesorë në zgjedhjet elektorale në Kroaci diskutuan në një debat televiziv se kush do t’i shkurtonte më shumë taksat dhe se kush do të nxiste më shumë rritjen ekonomike në vend.
Kroatët votojnë më 11 shtator për herë të dytë në më pak se një vit. Zagrebit i nevojiten reforma vendimtare për të rregulluar financat publike të dobëta, për të përmirësuar klimën e investimeve, për të nxitur rritjen dhe për të reduktuar borxhin publik në 86% të PBB-së.
“Nuk do të ketë taksa të reja. Një barrë tatimore e reduktuar do të kompensohet nga rritja e fortë dhe duke qenë të kujdesshëm për të mos rrezikuar stabilitetin financiar”, tha Zoran Milanoviç, kreu i Partisë të Social Demokratëve, partia më e madhe opozitare në Kroacisë.
Ai shtoi se premtimet e Partisë Konservatore për të shkurtuar tatimin mbi të ardhurat, po shkonin shumë larg, gjë kjo që vinte thjesht nga mungesa e njohurive të duhura mbi planifikimin dhe strukturimin e buxhetit.
Lideri i ri i Partisë Konservatore, Andrej Plenkovic, deklaroi se programi politik i partisë së tij po planifikonte një rinovim shumë të nevojshëm të sistemit të taksave.
Ne synojmë një reformë të plotë dhe të balancuar të taksave që do t’u mundësonte qytetarëve të shpenzojnë më shumë dhe që do të lehtësonte edhe barrën për bizneset, u shpreh ai.
Zgjedhjet në Kroaci, një prej vendeve me ekonominë më të dobët në Bashkimin Europian, vijnë si pasojë e përpjekjeve të Kroacisë për të dalë nga periudha e keqe 6-vjeçare e recesionit, midis viteve 2009 dhe 2014.
Viti i ardhshëm është sfidues, sidomos në fushën financiare, duke qenë se Kroacisë i duhen 30 miliardë kuna (3.4 miliardë dollarë) vetëm për të rifinancuar obligacionet dhe pagesat e interesit.
Si Milanoviç, i cili ishte kryeministër nga viti 2011 deri në zgjedhjet e vitit të kaluar, ashtu edhe Plenkovic, partia e të cilit fitoi në nëntor dhe më pas qeverisi në një koalicion të brishtë për vetëm pesë muaj, premtuan se do të ulnin barrën e taksave për qytetarët dhe bizneset.
Milanoviç tha se partia e tij dëshironte të hynte në bisedime me grupin e energjisë MOL të Hungarisë, për të rifituar kontrollin mbi firmën e energjisë kroate, INA. MOL dhe Zagreb kanë së bashku aksionet e firmës INA, por kanë qenë për vite të tëra në diskutime mbi të drejtat e menaxhimit dhe politikave të investimeve.
Sipas një sondazhi, të kryer në fillim të këtij muaji, një koalicion i udhëhequr nga Partia Social Demokrate me tre partitë më të vogla, është duke kryesuar me mbështetjen e 34.4% të votuesve, ndërsa Partia Konservatore mbështetet nga 26.4% e votuesve.
Gjithsesi, çelësi në këto zgjedhje do të jenë edhe një numër i madh i votuesish të pavendosur, shprehen analistët.
Ndërsa sipas sondazheve, nëse Kroacia nuk arrin të këtë një Parlament me shumicë votash, ashtu siç pritet nga të gjithë, lojtar kryesor në këto zgjedhje do të jetë përsëri partia reformiste “Shumica” apo “Ura”, e cila tani ka mbështetjen e rreth 10% të votuesve.
Pjesa më e madhe e anëtarëve të saj, që nxjerrin në pah (theksojnë) pakënaqësitë ndaj dy partive kryesore, kanë qenë pjesë e koalicionit të qendrës së djathtë në Partinë Konservatore që ra në qershor, si pasojë e diskutimeve midis drejtuesve kryesorë të koalicionit.