Si pasojë e ekonomisë më të madhe dhe më konkurruese dhe institucioneve të saj më të forta që nga pranimi në BE, Kroacia qëndron më lart në krahasim me Serbinë
Përfundimi vjen nga një raport që bën krahasimin ndërmjet shteteve, të publikuar nga kompania vlerësuese Moody’s, sipas së cilës vlerësimi për Kroacinë është “Ba2 i qëndrueshëm”, ndërsa për Serbinë “Ba3 i qëndrueshëm”.
“Ekonomia e Kroacisë është përafërsisht një e treta më e madhe se ajo e Serbisë dhe anëtarësimi i saj në BE ndikoi në rregullimin e plotë të institucioneve të saj”, tha zëvendëspresidenti i Moody’s dhe bashkautor i raportit me Evan Wohlmann. Ai shtoi se nga ana tjetër, reformat që po ndërmerren në Serbi në vitet e fundit do të mbështesin konvergjencën e të ardhurave dhe gjithashtu ka mundësi që investimet të përfitojnë nga përmirësimet e kohëve të fundit në mjedisin e biznesit në vend.
Sipas fjalëve të z. Wohlmann, të publikuara në faqen e internetit të agjencisë, të dy vendet “kanë ngarkesa të mëdha borxhi, por konsolidimi fiskal do të ndikojë në përmirësime graduale”, ndërkohë që nivelet e tyre të borxhit janë qartazi më të larta se mesatarja e kolegëve të vlerësuar në mënyrë të ngjashme.
Raporti i borxhit ndaj PBB-së arriti në 84.2% të PBB-së në vitin 2016, ndërsa barra e borxhit të Serbisë ishte 74.0% e PBB-së në të njëjtin vit – krahasuar me një mesatare prej 47.6% të PBB-së për kolegët e vlerësuar në nivelin Ba.
Raporti vë në dukje se pavarësisht progresit në përmirësimin e reformave fiskale, që nga kriza financiare, sektori i ndërmarrjeve shtetërore vazhdon të përfaqësojë rrezik më të madh fiskal në shtetin Serb.
Reformat për të zvogëluar rrezikun e kërkesave të ardhshme nga ndërmarrjet shtetërore në buxhet kanë filluar, duke përfshirë këtu edhe ristrukturimin e ndërmarrjeve shtetërore me humbje.
“Megjithatë, ndryshe nga Kroacia, Serbia nuk është subjekt i rregullave të ndihmës shtetërore të BE-së, të cilat kufizojnë shanset e mbështetjes direkte të qeverisë dhe sigurojnë një shkallë të mbikëqyrjes së jashtme”, tha agjencia në një përmbledhje të raportit.
Sipas kësaj, normat e papunësisë kanë shënuar rënie në të dyja vendet dhe reformat legjislative të kryera në Serbi në vitin 2014 kanë çuar në norma më të larta të pjesëmarrjes në punë dhe rritje të fuqishme të punësimit të nxitur nga sektori privat.
“Megjithatë, papunësia në rënie reflekton edhe reduktimin e fuqisë punëtore të lidhur me popullsinë e plakur dhe emigracionin e lartë, duke shtuar pasiguri ndaj pritshmërive afatgjatë të rritjes. Integrimi i vazhdueshëm me BE-në dhe përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar klimën e investimeve janë thelbësore për një përshpejtim në potencialin e rritjes së të dy vendeve”, përfundoi Moody’s.