Në korrik 2018, Rrjeti Europian i Gazetarisë së të Dhënave (EDJNet), një konsorcium i mediave nga e gjithë Europa, midis të cilave H-Alter dhe OBC Transeuropa, nisën një hetim në shkallë të gjerë, që mbulon 558 qytete europiane dhe fokusohet në qëndrimet e banorëve vendas të këtyre qyteteve ndaj ndryshimeve klimatike. Pjesë e hetimit ishte edhe anketa që iu bë administratave lokale për të shqyrtuar faktin sesi qytetarët reagojnë ndaj rritjes së temperaturës.
Sondazhi dha një pasqyrë të plotë mbi qëndrimin e përgjithshëm të qytetarëve ndaj ndryshimeve klimatike në rajonet e ndryshme të Europës. Pyetësori mbi qëndrimin ndaj rritjes së temperaturës dhe sfidave të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, iu dërgua edhe autoriteteve lokale në qytete të ndryshme të Kroacisë, si Zagrebi, Pula, Spliti, Osijeku dhe Dubrovniku, në mënyrë që të krahasohej situata në secilin prej këtyre qyteteve.
Me përjashtim të autoriteteve lokale të qytetit të Pulas, asnjë tjetër nuk iu përgjigj pyetësorit. Edhe në tetor të vitit të kaluar u kontaktua sërish me disa organizata mjedisore, në mënyrë që të grumbulloheshin më shumë informacione për këtë kërkim, por edhe atë herë kërkesa u injorua plotësisht. Vetëm organizata “Eco Zadar” u përgjigj.
Përpjekje të tjera u bënë edhe në dhjetor të vitit të kaluar, kësaj here duke tentuar të kontaktoheshin autoritetet kompetente lokale, por sërish u arrit në përfundimin se edhe kësaj here, asnjë prej tyre nuk do të jepte asnjë përgjigje, fakt ky që tregon për ekzistencën e një problemi të madh sistematik, të cilit do t’i kthehemi padyshim në një moment të dytë.
Sondazhi synonte të zbulonte se si ndryshimet e temperaturës kanë ndikuar në mënyrën e jetesës në qytete të ndryshme në dy dekadat e fundit; se si autoritetet lokale i informojnë qytetarët dhe kompanitë rreth pasojave të temperaturave në rritje; nëse autoritetet vendase kanë kryer kërkime në lidhje me pasojat e rritjes së temperaturës në 20 vitet e fundit (në lidhje me shëndetin publik, transportin dhe infrastrukturën, turizmin, planifikimin dhe menaxhimin e qytetit, natyrën dhe kafshët e egra, arsimin, etj.); dhe nëse autoritetet e qytetit kanë ndërmarrë veprime specifike për t’iu përshtatur temperaturave në rritje gjatë këtyre dy dekadave të fundit.
Rasti i Pulas
Vetëm autoritetet lokale të qytetit të Pulas iu përgjigjën pyetësorit. Ato vlerësuan se ndryshimet e temperaturës kanë ndikuar negativisht në jetën e qytetit në dy dekadat e fundit.
Rezultatet e studimit të quajtur “Ndryshimet e perceptuara dhe të parashikuara në nivelin e reshjeve, temperaturën e ajrit dhe ekstremet klimatike për qytetin e Pulas”, të kryera në vitin 2016 nga Instituti Meteorologjik dhe Hidrologjik i Kroacisë, treguan rritje të ndjeshme të temperaturës mesatare në këtë qytet.
Sipas këtij studimi, në 10 vitet e fundit ka pasur rritje të dukshme të temperaturës mesatare vjetore (nga 0.3ºC deri në 0.6ºC), të temperaturës mesatare minimale (duke filluar nga 0.3ºC në 0.6ºC) dhe të temperaturës mesatare maksimale (duke filluar nga 0.2ºC deri 0.6ºC). Në vitin 2018, qyteti i Pulas zhvilloi edhe një studim tjetër të quajtur “Analiza e vlerësimit të rreziqeve dhe ndikimit të ndryshimeve klimatike në territorin e qytetit të Pulas”.
Sa i përket shëndetit publik, studimi tregoi se temperatura e ajrit, veçanërisht nxehtësia ekstreme, ndikon në rritjen e nivelit të vdekshmërisë dhe kontribuon në zhvillimin ose përkeqësimin e simptomave të sëmundjeve kardiovaskulare. “Në studim thuhej se rritja e temperaturës ka shkaktuar shfaqjen e insekteve të reja në rajonin tonë, të cilat paraqesin rreziqe potenciale për transmetimin e sëmundjeve të reja infektive, por edhe për rishfaqjen e sëmundjeve të vjetra që mungonin prej një kohë të gjatë në këtë rajon”.
Thatësirat në periudha të gjata kanë shtuar grimcat e imta në ajër, duke ndikuar në përkeqësimin e cilësisë së tij. Rritja e parashikuar e nivelit të detit dhe ngjarjet ekstreme të motit mund të shkaktojnë dëme në infrastrukturën e transportit dhe të ndikojnë në qëndrueshmërinë rrugore. Cilësia e mjedisit urban në qytetin e Pulas mbështetet në pozicionin e favorshëm gjeografik dhe sistemin e mirë të transportit, në sajë të autostradës “Istriani Y”.
Sa i përket turizmit, deri më sot nuk është bërë asnjë studim në lidhje me temperaturën optimale dhe as me temperaturën maksimale mesatare të parashikuar ditore gjatë verës dhe as me numrin e parashikuar të ditëve të nxehta që mund të kenë ndikim negativ në kërkesën e turizmit.
Studimi i kryer nga qyteti i Pulas tregoi se modifikimi i ekosistemeve natyrore, përdorimi i paqëndrueshëm i burimeve natyrore dhe ndotja e ajrit paraqesin kërcënimin më të madh për ekosistemet dhe biodiversitetin. Ndryshimet klimatike që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekosistemet natyrore dhe biodiversitetin në territorin e qytetit të Pulas përfshijnë: rritjen e temperaturës mesatare, vëllimin e reduktuar dhe ndryshimet në shpërndarjen e reshjeve, ngjarjet ekstreme të motit (valët e nxehtësisë, thatësirat, stuhitë e shiut dhe të dëborës) dhe rritjen e nivelit të detit.
Edhe pse autoritetet lokale të Pulas pohojnë faktin se po ndërmarrin masa në nivele të ndryshme për të trajtuar çështjet e ndryshimeve klimatike, shumica e këtyre masave nuk janë aspak efikase, pasi ato nuk trajtojnë thelbin e problemit.
Për shembull, autoritetet lokale pretendojnë se “duke marrë parasysh një sërë aktivitetesh që synojnë edukimin e popullatës për një mënyrë jetese të shëndetshme, si dhe faktin që qyteti i Pulas ka një shkallë të ulët të analfabetizmit, mund të thuhet se banorët e tij janë të përgatitur për ndikimet e mundshme të ardhshme të ndryshimeve klimatike.