Kroacia është duke luftuar për të përballuar pasojat e rënda ekonomike të borxheve të shumta të kompanisë Agrokor, u shpreh në deklaratën e tij për shtyp të hënën e kaluar, drejtori ekzekutiv i ristrukturimit, i emëruar nga qeveria për të drejtuar këtë proces.
Agrokor, punëdhënësi më i madh në rajonin e Ballkanit, me rreth 60.000 të punësuar, i shtoi borxhet e tij kryesisht si pasojë e zgjerimit të shpejtë në Kroaci, Slloveni, Bosnjë dhe Serbi. Sipas të dhënave të fundit të publikuara gjatë shtatorit të kaluar, borxhet e tij arritën rreth 45 miliardë kuna (6.42 miliardë dollarë), ose gjashtë herë më shumë se kapitali i tij neto.
Ne jemi duke luftuar për të parandaluar përhapjen dhe ndikimin e krizës së Agrokorit, jo vetëm në ekonominë e Kroacisë, por edhe më tej në rajonin e Ballkanit, u shpreh për gazetarët, Ante Ramljak, një ekspert në fushën e investimeve bankare.
Emërimi i Ramljakut për të drejtuar ristrukturimin e Agrokorit u miratua këtë të hënë nga Gjykata e Zagrebit. Agrokor tha se do t’ia dorëzonte shtetit, kontrollin e saj, në bazë të një ligji emergjent, sipas të cilit Agrokori do të bashkëpunonte me kompani të tjera të mëdha për të përballuar problemet financiare. Po sipas këtij ligji, shteti kishte të drejtë të zgjidhte një drejtues ekzekutiv në krye të procesit të ristrukturimit.
Ramljak pritet të mbledhë një ekip ekspertësh dhe këshilltarësh për të drejtuar së bashku këtë proces, i cili do të përfshijë rifinancimin e borxheve dhe ndoshta shitjen e disa pjesëve të kompanisë.
Gjashtë banka, duke përfshirë në këtë grup edhe kreditorët më të mëdhenj rusë të Agrokorit si Sberbank dhe VTB, janë duke punuar për të përfunduar rifinancimin e parë ndaj kësaj kompanie. Bankat kanë rënë dakord të japin një shumë deri në 150 milionë euro.
Nëse përgatitet një plan i mirë ristrukturimi, mendoj se ky proces mund të marrë drejtimin e duhur, tha Miljenko Zivaljiç, kreu i bankës më të madhe të Kroacisë, Zagrebacka Banka, pas një takimi me kryeministrin Andrej Plenkoviç. Banka Zagrebacka është në pronësi të UniCredit.
Analistët thonë se si hap i parë, ky është ai i duhuri, por zgjidhja e problemeve të Agrokorit duket shumë e largët. Në dukje, bankat po tregohen të kujdesshme duke qenë se ne ende nuk i dimë detajet e planit të ristrukturimit. Ramljak duhet të veprojnë sa më shpejt për të përfituar nga kalimi i likuiditetit.
Gjithashtu, një problem tjetër është që ne nuk e dimë saktësisht se sa i madh është borxhi i Agrokorit, u shpreh Damir Novotny, një analist i pavarur.
Agrokor nënshkroi javën e kaluar një marrëveshje me bankat për të ngrirë pagesat dhe për të marrë një financim me të holla në një vlerë të papërcaktuar, para se të nisë procesi i ristrukturimit të biznesit.
Por furnizuesit, të cilët ishin të shqetësuar në lidhje me vonesat e pagesave, si pasojë e ristrukturimit, nuk kanë rënë dakord me një marrëveshje të tillë.
Duke mos pasur një marrëveshje nga ana e të gjithë aksionerëve, Agrokorit, nuk iu la shumë mundësi zgjedhjeje, por vetëm të kërkonte ndihmën e shtetit. Ligji emergjent parashikon çdo ristrukturim që zgjat deri në 15 vjet.
Gjykata e Zagrebit zhbllokoi llogaritë e Agrokorit dhe të firmave të tij, të hënën e kaluar dhe u kërkoi kreditorëve që të paraqesin pretendimet e tyre brenda 60 ditëve.
Kryeministri Plenkovic u shpreh të hënën e kaluar se “objektivi ynë i radhës është stabilizimi i operacioneve të Agrokorit, ndërsa hapi tjetër është ristrukturimi, për të cilin ne do të kemi nevojë për një këshilltar”.