Kroacia importon një sasi të madhe frutash dhe perimesh. Së bashku me traditën e tij të pasur ose me prodhimin e frutave dhe perimeve në kushtet optimale të klimës dhe tokës, vendi ka potencial të madh për të përmbushur kërkesën në rritje për prodhim me cilësi të lartë dhe për të hyrë në tregjet e eksportit.
Një grup i caktuar i përfaqësuesve të qeverisë kroate, organizatave të prodhuesve, përpunuesve, tregtarëve me shumicë dhe atyre me pakicë morën pjesë në një forum të nivelit të lartë në kryeqytetin e Zagrebit, për të diskutuar në lidhje me mundësitë që ky potencial të vihet sa më parë në zbatim.
Eventi u organizua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara, së bashku me Ministrinë e Bujqësisë së Kroacisë, Dhomën e Tregtisë së Kroacisë dhe Shoqatën Kroate të Fermerëve të Rinj.
Marija Vučković, Sekretare e Shtetit për Ministrinë e Bujqësisë, e hapi eventin duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të dialogut me sektorin publik dhe privat, si një mjet për të zbuluar dhe për të luftuar pengesat në këtë drejtim dhe duke e bërë sektorin e hortikulturës kroate më të fortë, më konkurrues dhe fitimprurës. Pjesëmarrësit e forumit ndanë me njëri-tjetrin edhe mësimet më të rëndësishme të një udhëtimi studimor të bërë një vit më parë në Itali, organizuar po nga BERZH dhe FAO.
Ata diskutuan edhe mundësitë e zgjidhjeve paraprake të një analize nga Universiteti Wageningen dhe Qendra Kërkimore mbi mundësitë e biznesit për prodhuesit kroatë të frutave dhe perimeve, si dhe diskutuan në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të hortikulturës kroate.
Nëpërmjet intervistave të gjera me një numër të madh pjesëmarrësish nga sektori i frutave dhe perimeve, duke përfshirë ato që punojnë në përpunim, shpërndarje, shitje me shumicë dhe pakicë, si dhe analizën e të dhënave, hulumtimi nxjerr në pah mundësitë për të përmirësuar zinxhirët e furnizimit dhe për të lehtësuar lidhjet ndërmjet furnitorëve dhe blerësve.
Shumica e prodhuesve të frutave dhe perimeve të Kroacisë janë fermerë të vegjël. Shumë prej tyre nuk janë të njohur me teknikat e prodhimit modern ose nuk kanë mjete për të përmirësuar operacionet e tyre, për të investuar në kërkime dhe për të pasur influencë në tregje. Kjo do të thotë se prodhimi është i fragmentuar dhe bashkëpunimi midis prodhuesve, kompanive vendase të përpunimit të ushqimit dhe shitësve është shumë i dobët.
Udhëtimi studimor në rajonet e Friuli-Venecia Giulia dhe Emilia Romagna në Itali, hodhi dritë mbi përfitimet e kooperativave bujqësore që funksionojnë mirë, të cilat përfshijnë efikasitet më të lartë në zinxhirin e furnizimit, duke ofruar një pamje të qartë në praktikat e prodhimit të sektorit të hortikulturës kroate.
Në veçanti, vizitat në kooperativat bujqësore italiane i krijuan grupit të pjesëmarrësve mundësinë që të shihte se cilat ishin teknikat e ndryshme të prodhimit, sesi mund të rrisin cilësinë dhe shijen e produkteve. Shembuj konkretë u demonstruan edhe për përdorimin e sigurisë ushqimore dhe kontrollit të cilësisë, si dhe për metodat e prodhimit ekologjik siç është Menaxhimi i Integruar i Pesticideve.
Në organizimin e turneut studimor, BERZH dhe FAO bashkëpunuan ngushtë me LegaCoop, organizata më e vjetër kooperative e Italisë e cila numëron më shumë se 15,000 kooperativa anëtare. Kooperativat bujqësore italiane, që kanë qenë shumë të forta në këto 100 vitet e fundit, i ndihmojnë prodhuesit që të kenë akses në çdo gjë, që nga inputet, teknologjitë dhe të rejat më të fundit, financimin dhe tregjet e reja, si në Itali dhe jashtë saj.
“Është e qartë se ju mund të arrini shumë më tepër duke punuar së bashku se sa kur mundeni të punoni vetë”, tha Jan Marinac, President i YFA. “Ne kemi nevojë për mbështetje të vazhdueshme në mënyrë që edhe sektori ynë i hortikulturës të ecë me të njëjtën shpejtësi të zhvillimeve të fundit, duke përfshirë sigurinë e ushqimit dhe kontrollet e cilësisë, si dhe për të organizuar më mirë fermerët tanë, qoftë në kooperativa, shoqata apo grupe prodhuese”, shtoi ai.
Vedrana Jelušić Kašić, Drejtoresha e EBRD-së për Kroacinë, Slloveninë, Hungarinë dhe Sllovakinë, theksoi nevojën për të formuar kooperativa dhe organizata prodhuese për të ndihmuar në arritjen e ekonomive të shkallës në shitje, si dhe aksesin në teknologjinë moderne dhe shkëmbimin e njohurive më të reja. Prandaj, që këto organizata të jenë të suksesshme është shumë e rëndësishme që ato të fuqizohen më shumë.
Andriy Yarmak, një ekonomist i FAO-s, shpjegoi se nga një koordinim më i mirë dhe organizim përgjatë zinxhirit të furnizimit përfitojnë të gjithë. “Prodhuesit kroatë do të kenë më shumë blerës të parashikueshëm, shitësit me pakicë dhe kompanitë e përpunimit do të jenë në gjendje të kenë prodhime vendase më efikase dhe konsumatorëve do t’u jepet mundësia që të kenë në tavolinat e tyre produkte vendase me cilësi më të lartë, përfundoi ai”.