Kroacia rriti pagën e saj minimale me 5% dhe numrin e licencave për punëtorët e huaj në 2018, në një përpjekje për të rritur konkurrencën e një prej ekonomive më të dobëta në Bashkimit Europian. Qeveria gjithashtu uli kontributet që punëdhënësit duhet të paguajnë për pagat minimale neto me 50% për të ulur koston e pagave.
“Këto masa do të favorizojnë si punëdhënësit ashtu edhe punonjësit”, u shpreh Kryeministri Andrej Plenkoviç gjatë një seance të kabinetit. Paga minimale neto nga viti i ardhshëm do të qëndrojë në 2,752 kuna (429.63 dollarë), ndërsa vlera e saj bruto do të jetë 3,439 kuna.
“Qëllimi ynë kryesor është që, me kalimin e kohës, të rrisim pagën minimale deri në 50% të pagës mesatare bruto”, deklaroi ministri i Punës, Marko Pavic, gjatë së njëjtës seancë kabineti. Në Kroaci, rreth 75,000 njerëz marrin paga minimale.
Qeveria gjithashtu rriti në 31,000 numrin e punëtorëve të huaj të licencuar, të cilët kryesisht vijnë nga shtete që nuk janë pjesë e BE-së dhe që më së shumti punojnë në ndërtim, turizëm, ndërtimin e anijeve dhe përpunimin e metaleve të ndryshme. Gjatë viteve të fundit, këto industri kanë vuajtur nga mungesa e punëtorëve në tregun e brendshëm. Shkalla e papunësisë në Kroaci është 11.6%, ose rreth 180.000 të papunë, ndërsa popullsia e saj është 4.3 milionë banorë.
“Gjithsesi këto masa nuk mund të zgjidhin problemet strukturore që pengojnë rritjen ekonomike të Kroacisë, siç është për shembull mbetja prapa në modernizimin e sektorëve të saj industrialë”, u shpreh analisti ekonomik DamirNovotny. Ekonomia e Kroacisë pritet të rritet pak më shumë se 3% këtë vit.
Por sipas disa analistëve të tjerë, perspektivat e saj afatgjata të rritjes pritet të shkojnë nga 1-2%, nëse vendi nuk përmirëson ndjeshëm klimën e investimeve dhe efikasitetin e sektorit publik.