Kroacia ka nevojë për reforma strukturore dhe rritja e saj ekonomike do të varet gjithnjë e më shumë nga kapaciteti që ajo do të ketë për t’i zbatuar ato, thuhet në raportin e Komisionit Europian. Dhe qeveria duhet të fillojë sa më parë punën në këtë drejtim, sepse deri më tani ajo ka qenë e pasuksesshme në zbatimin e disa prej reformave më të rëndësishme, theksohet në raport.
Progresi i vendit ka qenë i ulët në politikën fiskale, përfitimet sociale janë të pakta dhe reforma e sistemit të pensioneve po shtyhet.
Disa prej reformave më të rëndësishme të administratës publike kanë mbetur në vend, ndërsa reforma arsimore është në pritje.
Progres është bërë në shitjen e aksioneve në ndërmarrjet shtetërore. Norma e rritjes së PBB-së në vitin 2017 ishte në 3.2% dhe progresi i mëtejshëm i vendit pritet të vazhdojë edhe në dy vitet e ardhshme, por me ritme më të ulëta rritjeje në krahasim me 2017.
Kroacia po përballet me sfida që lidhen me dhënien e mundësive të barabarta, aksesin në tregun e punës dhe ofrimin e kushteve të duhura për punonjësit në tregun e punës. Edhe pse papunësia është zvogëluar në 11.1%, shkalla e punësimit mbetet relativisht e ulët dhe një prej problemeve më të rëndësishme duke marrë në konsideratë edhe rritjen e flukseve të njerëzve që emigrojnë në vende të tjera.