Sipas një analisti ekonomik kroat, z. Santini, banka shtetërore ruse Sberbank dhe ajo VTB mund të marrin një pjesë të pronësisë dhe të menaxhimit të një prej kompanive private më të mëdha kroate, Agrokorin. Një veprim i tillë do të ketë pasoja të rëndësishme, por as nuk mund të përjashtohet fare si mundësi, vazhdoi ai më tej.
Kompania Agrokor, e cila po përballet me një krizë financiare për shkak të borxheve të mëdha, u detyrohet 1.3 miliardë euro bankave ruse. Sipas raporteve të fundit të mediave, banka Sberbank sapo ka aprovuar edhe një kredi tjetër prej 300 milionë eurosh kredi për Agrokorin, për t’i ardhur asaj në ndihmë që të paguajë punonjësit dhe furnizuesit e saj. Referuar një artikulli në gazetën kroate, Novi, pronësia dhe menaxhimi i kësaj kompanie që aktualisht është në pronësi të themeluesit të saj Ivica Todoric, mund të ndryshohet.
Në një situatë të tillë, një përvetësim i pjesshëm i saj nga bankat ruse nuk mund të përjashtohet si mundësi, dhe ky rast nuk do të jetë i vetmi as në Kroaci dhe as në botë, sepse të tillë ka shumë. Por ajo çka është shqetësuese në këtë drejtim është fakti se marrja e një prej kompanive më të rëndësishme private kroate nga bankat ruse, do të ketë pasoja politike, u shpreh analisti Santini.
Ai vazhdoi më tej duke thënë se Agrokori është një kompani shumë e rëndësishme jo vetëm për Kroacinë, por edhe për rajonin prandaj ajo nuk mund të falimentojë. Sberbank u shpreh se ajo është në komunikime të vazhdueshme me Agrokorin, por që nuk mund të japë më shumë detaje në lidhje më marrëdhënien e saj me klientët.
Ditët e fundit, në televizionin N1 u dha lajmi mbi një takim të mbajtur ndërmjet zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe Todoriq, që u mbajt në ndërtesën qeveritare. Nën trysninë e gazetarëve, zyrtarët e qeverisë e pranuan zhvillimin e takimit me kompaninë me probleme. N1 raportoi gjithashtu se zyrtarët e qeverisë u takuan edhe me përfaqësues të bankës ruse Sberbank, por ky lajm nuk u konfirmua nga asnjë prej palëve.
Roli i kompanisë në ekonominë e Kroacisë është shumë i madh, me të ardhura që shkojnë në 6.5 miliardë euro gjatë vitit 2015, pothuajse 16% të PBB-së së përgjithshme të Kroacisë. Ndërsa numri i të punësuarve në këtë kompani shkonte deri në 40,000 vetë.
Problemi kryesor i kësaj kompanie janë borxhet e saj të akumuluara. Huatë në fund të vitit 2016 arritën shifrën 3.4 miliardë euro, ndërsa borxhi i saj i përgjithshëm u vlerësua në 6 miliardë euro, shifër pothuajse gjashtë apo edhe shtatë herë më e lartë sesa vlerësimi i kapitalit të saj të përgjithshëm.