Sindikatat e shërbimit publik të Kroacisë kanë nisur bisedimet mbi një marrëveshje të re me qeverinë, duke këmbëngulur se pagat e tyre aktuale dhe shpërblimet nuk po i jepen aq sa i takojnë sidomos në një ekonomi e cila po rimëkëmbet.
Këto sindikata që përfaqësojnë rreth 180.000 punëtorë në një vend me 4.2 milionë banorë, u shprehën për BIRN, se do t’i kërkonin qeverisë sërish përmbushjen e të njëjtave kushte.
Pritet që marrëveshja e re të rregullojë çështje të tilla si rritja e pagave, pagesat jashtë orarit zyrtar, dietat në udhëtime dhe numrin e ditëve të lejes vjetore.
Marrëveshja e fundit u nënshkrua në vitin 2012, në mes të krizës ekonomike dhe përfundon në mars të këtij viti.
Zeljko Stipic, presidenti i sindikatës “Preporod” (Rilindjes), u shpreh për BIRN, se edhe pse koha për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re po skadon, ai shikonte vullnetin e mirë nga ana e qeverisë. Stipic shton se sindikatat nuk po e kërcënojnë qeverinë me hyrjen në grevë në rast se ajo nuk i përmbush kërkesat e tyre, sepse asnjëherë nuk mund të hysh në negociata duke e kërcënuar qeverinë.
Ai shpjegoi më tej duke thënë se gjatë takimit të zhvilluar ditën e enjte, ministri i Punës dhe Pensioneve, Tomislav Coric, u shpreh se autoritetet vendase nuk kishin ndër mend të ndryshonin termat e tyre nëse marrëveshja e re nuk nënshkruhej përpara se të përfundonte e vjetra.
Nëse ka pasur kërcënime ndaj sindikatave se pagesat nuk do të bëhen më në bazë të marrëveshjes së vjetër dhe se orët e punës do të shkurtohen, atëherë ne do të detyrohemi për të hyrë në grevë dhe nuk do të heqim dorë nga të drejtat që kishim sipas marrëveshjes së vjetër, tha Stipic.
Ai përfundoi duke thënë se ai së bashku me sindikatën e tij do të përpiqen për të arritur zgjidhjen më të mirë, sidomos në lidhje me pagesën e transportit për të shkuar në punë.
Anica Prasnjak, kryetari i Këshillit të Sindikatës Kroate të Infermierëve dhe Laborantëve u shpreh për BIRN se edhe sindikata e tij gjithashtu kërkon pagimin e shpenzimeve të transportit, sepse sistemi aktual është i padrejtë sidomos me punëtorët me paga më të ulëta.
Përveç masave që duhen marrë në lidhje me pagesat që duhet t’u bëhen punonjësve në lidhje me shpenzimet e transportit, ata u shprehën se do të vazhdojnë të kërkojnë edhe shpërblime me raste festash zyrtare si Krishtlindjet, si dhe shpërblime vjetore mbi nivelin e produktivitetit të secilit punonjës.
Prasnjak shpjegoi se të dyja palët do të përcaktojë dinamikën se pagat do të rriten në përputhje me rritjen e PBB-së në vitet e ardhshme, në një përpjekje për të shmangur përsëritjen e situatës të 2015. Në atë vit, qeveria e qendrës së majtë duhet të kishte ngritur pagat bruto me 6% në sektorin publik, duke qenë se PBB-ja u rrit me 2% për dy tremujorë njëri pas tjetrit, por ata nuk e bënë një gjë të tillë.
Ai vazhdoi më tej duke thënë se nëse sindikatat nuk mund të arrijnë një marrëveshje me qeverinë atëherë ata mund të detyrohen edhe të hyjnë në grevë. Këto negociata kanë filluar në këtë periudhë sepse pritet që ekonomia e Kroacisë ta rimarrë veten. Sipas parashikimeve të Komisionit Europian, rritja e PBB-së së Kroacisë në 2017 do të jetë 3.1% në krahasim me 2.8% në 2016.