Pavarësisht motit të paqëndrueshëm në pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor këtë vit, shifrat e fundit për turizmin kroat për vitin 2014 kanë treguar një prirje të shëndetshme në rritje në krahasim me 2013-n.
Retë e stuhishme dhe shiu që nuk është aspak karakteristikë e sezonit të verës, nuk i penguan një numër në rritje të vizitorëve të huaj për të zgjedhur Kroacinë si destinacionin e tyre të pushimeve verore këtë vit.
Ministri i Turizmit të Kroacisë, Darko Lorencin, prezantoi rezultate shumë të mira për sezonin turistik për tetë muajt e vitit 2014 në qytetin bregdetar të Zadarit.
Shifrat treguan një trend pozitiv për gushtin – dhe gjithë vitin – përkundrejt motit të keq për pjesën më të madhe të kohës.
Sipas ministrisë, numri i të ardhurve arriti 3.7 milionë në bregdetin e Adriatikut dhe në kryeqytet, Zagreb, në gusht, një shifër mbi 7% nga gushti i vitit 2013.
Janë regjistruar rreth 25 milionë qëndrime prej një nate, 4% më shumë se në të njëjtën periudhë në vitin 2013.
Në tetë muajt e vitit 2014, numri i turistëve arriti mbi 10.6 milionë, 5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013.
Rreth 62.1 milionë qëndrime për një natë gjatë tetë muajve ishin 2% më shumë se në 2013-n.
Numrat treguan përsëri se rezultatet më të mira u arritën nga qytetet më të mëdha dhe qytetet në bregdet – Zadar, Split, Dubrovnik – dhe nga Zagrebi, i cili nuk laget nga deti dhe kështu varet më pak nga moti dhe aktivitetet e lidhura me detin.
Ndërsa shifrat tregojnë për një situatë pozitive, disa ekspertë vënë re se më shumë vizitorë nuk nënkuptojnë detyrimisht më shumë para.
Eksperti ekonomik, Damir Novotny, tha se të ardhurat e krijuara nga turizmi këtë vit nuk do të bëhen të dukshme për disa kohë.
“Unë do të analizoja parashikimin që do të arrihen të ardhura më të mëdha, pasi askush nuk mund të thotë me siguri se sa para kanë shpenzuar këta turistë”, – tha Novotny për BIRN.
Novotny vuri në dukje se, ndërsa shpenzimet në hotele dhe restorante është më e lehtë të përllogariten, “ka edhe shpenzime jashtë bordit, jashtë hoteleve dhe restoranteve, të cilat është më e vështirë t’i llogarisësh”.
Novotny pranoi se turizmi është një nga degët më të forta të ekonomisë kroate dhe i vetmi që është konkurrues në nivel europian.
Turizmi përbën 15% të PBB-së vjetore të Kroacisë.