Është momenti që të shkëputemi dhe të shijojmë pushimet e merituara. Po si mund të bëjmë zgjedhjen e duhur? Për ata të cilët pëlqejnë kroçerat u vjen në ndihmë Cruise Critic Cruisers Choise Destination Awards, një portal i specializuar që merr në konsideratë vlerësimet që udhëtarët publikojnë në të.
Janë 15 destinacione që propozohen si të mundshme për t’u realizuar në të gjithë botën, duke përfshirë edhe portet e lumenjve të lundrueshëm. Përkatësisht është hartuar një klasifikim me pesë portet më të mirë që gjenden në çdo pjesë të planetit dhe që mund të kthehen në destinacionin e duhur për një udhëtim me anije. Paqësor, Australi, Europë Lindore dhe Perëndimore, Karaibe, SHBA apo Kanada? Bëni zgjedhjen tuaj.
Sipas Cruise Critic Awards, Budapesti është destinacioni ideal. Ai është vlerësuar si destinacioni më i mirë për kroçera në vitin 2017, i pari ndër portet europiane. Komentet më të mira janë dhënë për qytetet në të cilat kalon Danubi. Historia dhe arkitektura mbresëlënëse e bëjnë kryeqytetin hungarez destinacionin e preferuar nga ata që udhëtojnë në kroçera. Lundrimi në valët romantike të Danubit, në krahët e një qyteti magjik, për të kaluar ditë të mbushura me emocione dhe net romantike e bëjnë një domosdoshmëri udhëtimin në Budapest.
Në Europë, destinacionet e tjera janë: Shën Petërburgu, Amsterdami, Villefranche (në rivierën franceze) dhe Dubrovniku. Ky i fundit është një hyrje e re në klasifikim. Kryeqyteti kroat u ofron vizitorëve një histori të pasur mes kishave dhe manastireve, por ajo që e bën një atraksion të pëlqyeshëm është fakti i zgjedhjes si shesh xhirimesh për filmin Games of Thrones.
Në klasifikim, në pjesën tjetër të botës, në Azi dhe në portet e Paqësorit të Jugut, është futur për herë të parë Singapori, vlerësuar për pastërtinë dhe kopshtet e mrekullueshme në parkun natyror të gjirit.
Një risi është Alaska. Pavarësisht temperaturave të ulëta, dëshira për të udhëtuar mes akujve dhe ajsbergëve, nuk shuhet kurrë, saqë vitet e fundit, kompanitë kanë shtuar numrin e anijeve që përshkojnë këtë pjesë të botës. Në itineraret më të kërkuara në zonën e parkut kombëtar është Glacier Bay.
Vlerësime të rëndësishme në portalin Cruise Critic ka marrë edhe një ishull privat me plazhe të virgjëra në Bahamas.
Nëse zgjedhja juaj janë ishujt Karaibe, merrni në konsideratë King’s Wharf, Curacao dhe Cozumel.
Nuk mungojnë këshilla edhe për ata që nisen nga Kanadaja, Hawaii, Riviera meksikane apo Australia, ku vlerësohen respektivisht Quebec City, Kauai, Cabo San Lucas dhe Akaroa.
“Zgjedhja e një itinerari nga kroçera nuk është e thjeshtë, veçanërisht me numrin në rritje të destinacioneve të disponueshme – shpjegon Adam Coulter, redaktor përgjegjës në Cruise Critic në Britaninë e Madhe. – Vlerësimet e udhëtarëve në kroçera nga e gjithë bota na ndihmojnë në identifikimin e destinacioneve më të dashura. Duke ndarë me ju këto përshtypje, shpresojmë të frymëzojmë dhe të drejtojmë udhëtarët në zgjedhjen e një itinerari që do ta pëlqejnë edhe ata”.
Burimi: La Repubblica