Sistemi bankar duket se po hyn në një pikë kthese, pas “qetësisë” që e karakterizoi në gjysmën e parë të vitit. Pastrimi i bilanceve nga kreditë e këqija ka ndikuar të gjithë performancën e sistemit në tremujorin e tretë. Jepen shenjat e para të gjallërimit të kredisë, ndërsa bankat ulin pjesëmarrjen në letrat me vlerë të qeverisë dhe i vendosin sërish paratë jashtë vendit.
Nga Ornela Liperi
Sistemi bankar, pas një qetësie të muajve të parë, ka shënuar zhvillime interesante në periudhën korrik-shtator të këtij viti. Elementi më i rëndësishëm ka qenë pastrimi i bilanceve të bankave nga kreditë e këqija, veprim që ka ndikuar si në daljen e sistemit me humbje për herë të parë në një dekadë, ashtu dhe në rënien e stokut të kredisë dhe në shtimin e huave të humbura në sistem. Ndërsa shtatori solli zhvillime pozitive, si në drejtim të rritjes së kredisë, ashtu dhe depozitave (këto të fundit ishin ngadalësuar ndjeshëm).
Disa banka gjithsesi, i vendosën sërish paratë e lira në institucione të tjera ndërkombëtare, një dukuri kjo që ishte mjaft e dukshme në 2012-n, por nuk u konstatua më në pjesën e parë të 2013-s. Në të kundërt, interesi për të blerë letra me vlerë të qeverisë ra në periudhën korrik-shtator, ndonëse kjo tërheqje nuk duket se e ka vënë në vështirësi qeverinë, me yield-in e bonove që vijon të shënojnë nivele minimale rekord.
Rriten aktivet, bankat u largohen bonove, vendosin paratë jashtë
Totali i aktiveve të sistemit bankar u rrit me 2.6%, apo rreth 31 miliardë lekë në tremujorin e tretë në raport me tremujorin e mëparshëm, sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, duke arritur në 1.23 trilionë lekë. Sistemi ka përshpejtuar rritjen, e cila ishte më e larta që nga tremujori i katërt 2012. Me bazë vjetore, aktivet u shtuan me gati 4%.
Megjithatë, ky zgjerim në tremujorin e tretë të këtij viti ka reflektuar në pjesën më të madhe depozitimet e parave të lira në bankat e huaja. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, zëri “Depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare” ka shënuar rritje të ndjeshme me 34%, apo 32 miliardë lekë (230 milionë euro) vetëm në tremujorin e tretë në raport me atë të mëparshmin, pas një periudhe prej tre tremujorësh radhazi, kur ky tregues kishte shënuar vetëm rënie dhe bankat ishin orientuar disi te bonot e thesarit të qeverisë shqiptare.
Kjo është një tendencë ciklike, që po shfaqet tre vitet e fundit, ku në tremujorin e tretë vihet re një rritje e ndjeshme e këtij zëri, në raport me periudhën tremujore paraardhëse, teksa bankat, kryesisht ato me kapital perëndimor, bëjnë bilancin e gjysmës së parë të vitit.
Dukuria e vendosjes së parave jashtë vendit (me interesa që sipas bankave konsiderohen si ndëshkuese) u vu që në 2011-n dhe u bë më e ndjeshme pothuajse gjatë gjithë vitit 2012, kur Banka Raiffeisen në ndjekje të strategjisë së bankës mëmë, reduktoi ekspozimin në tregun shqiptar, përmes tkurrjes së kredisë dhe rënies së pjesëmarrjes në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë.
Në fund të tremujorit të tretë, pesha e zërit “Depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare” arriti në 10.4%, nga rreth 5% në tremujorin e parë 2011.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e intensifikoi sërish së fundmi tonin ndaj bankave perëndimore lidhur me politikën që po ndjekin me degët e tyre (një qëndrim të tillë ai e mbajti vazhdimisht gjatë 2012-s). Në fjalën e tij, gjatë takimit vjetor të Bankës Botërore dhe FMN-së në Uashington, në tetor 2013, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi rëndësinë e vazhdimit të financimit të ekonomive të Europës Lindore nga sistemi bankar dhe tregjet financiare ndërkombëtare. Ai shprehu shqetësimin për politikat e grupeve bankare ndërkombëtare, të cilat kanë ulur gatishmërinë e investimit në ekonomitë e rajonit, duke theksuar se bashkëpunimi më i ngushtë midis politikëbërësve dhe rregullatorëve europianë e lokalë do të prodhonte zgjidhje më të mira për të gjitha palët e interesuara.
Zëri i “Veprimeve të letrave me vlerë” nuk shënoi rritje, duke mbetur rreth 288 miliardë lekë, ndryshe nga dy tremujorët e mëparshëm të vitit, kur ai kishte qenë treguesi kryesor që kishte ndikuar në rritjen e aktiveve. Në rënie me rreth 2 miliardë lekë ka qenë dhe zëri i “Bonove të thesarit”.
Pesha e “huasë dhënë sektorit privat dhe individëve” në bilancet e bankave sa vjen e po zvogëlohet, si rrjedhojë e frenimit pothuajse total të kredisë nga ana e bankave gjatë 2013-s. Ky zë u ul me ritme të shpejta, duke rënë me 11.7 miliardë lekë (84 milionë euro), apo 2% me bazë tremujore, duke reflektuar dhe fshirjen e kredive të këqija nga bilancet e bankave. Pesha e “huasë dhënë sektorit privat dhe individëve” zbriti në 45% të totalit të aktiveve të bankave nga 50% që ishte në tremujorin e parë 2011.
Transferimi i parave jashtë nga Tirana Bank dhe Raiffeisen
Të dhënat më të detajuara, që janë publikuar nga Shoqata e Bankave tregojnë se janë dy banka, që kanë ndikuar në rritjen e treguesit “Depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare”, Raiffeisen dhe Tirana Bank. Kjo e fundit ka bërë diferencën, duke rritur ndjeshëm paratë e transferuara te mëma në tremujorin e tretë të vitit.
Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, zëri “Vendosje në banka” për Tirana Bank u rrit ndjeshëm me rreth 11 miliardë lekë në tremujorin e tretë, në raport me tremujorin paraardhës, nga rreth 33 miliardë lekë që ishte zgjerimi i këtij treguesi për të gjithë sistemin për të njëjtën periudhë kohore.
Edhe Raiffeisen e ka shtuar këtë tregues me rreth 8 miliardë lekë në periudhën korrik-shtator, në raport me tremujorin paraardhës.
Pas Tirana Bank dhe Raiffeisen, renditen FIB dhe Intesa San Paolo përkatësisht me një zgjerim prej 3.8 dhe 3 miliardë lekësh, me bazë tremujore, të këtij treguesi.
Pothuajse të gjitha bankat e tjera rezultojnë gjithashtu t’u jenë drejtuar bankave mëma apo institucioneve të tjera financiare jashtë në tremujorin e tretë, një lëvizje që sipas tyre është e detyruar, për shkak të mungesës së alternativave të investimit në vend, ndonëse vendosja e parave jashtë, sipas tyre bëhet me interesa ndëshkuese.
Tendenca është krejt e ndryshme nga gjashtë muajt e parë të vitit, ku zëri i “Vendosjeve në banka” për të gjithë sistemin, ra me rreth 6.7 miliardë lekë, në fund të qershorit, në raport me dhjetorin 2012, teksa bankat tashmë po u largohen investimeve në letrat me vlerë të qeverisë.
Bankat, si i ulën investimet në letrat me vlerë të qeverisë
Në gjashtë muajt e parë të vitit, bankat i orientuan investimet e parave të lira në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, duke bërë që yield-i i letrave me vlerë të bonove të binte me shpejtësi, me rreth 2.5 pikë përqindjeje, nga gati 7% që ishte në dhjetor 2012. Kjo tendencë është ngadalësuar ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit. Të dhënat e detajuara të Shoqatës së Bankave (ku mungojnë të dhënat për Alpha Bank dhe dy banka të vogla) tregojnë se teksa zëri “investime në letra me vlerë” u rrit me rreth 31 miliardë lekë (9.5%) në fund të gjashtëmujorit 2013 në raport me dhjetorin 2012, në tremujorin e tretë ky indikator ra me rreth 1%, apo gati 3.5 miliardë lekë.
Ka qenë tërheqja e Raiffeisen, ajo që ka dhënë ndikimin kryesor, me bankën më të madhe në vend, që e ka ulur ekspozimin në letrat me vlerë të qeverisë me rreth 8 miliardë lekë me bazë tremujore. Raiffeisen po e ul me shpejtësi peshën e saj në këtë zë, duke shkruar drejt humbjes së kryesimit, teksa BKT po i afrohet me shpejtësi.
Por edhe bankat e tjera kanë ngadalësuar ndjeshëm investimet në letrat me vlerë të qeverisë. BKT e rriti këtë zë me vetëm 1 miliard lekë investimin në këtë zë në tremujorin e tretë, në raport me fundin qershorit, nga gati 20 miliardë lekë që ishte ky zgjerim në fund të gjashtëmujorit të parë në krahasim me dhjetorin 2012. BKT ka qenë në fakt “shpëtimtarja” e qeverisë gjatë dy viteve të fundit, teksa ka kanalizuar pjesën më të madhe të fondeve të lira në blerjen e bonove të thesarit, apo obligacioneve të qeverisë.
Megjithatë, kjo tërheqje e bankave nuk rezulton të ketë shkaktuar vështirësi për qeverinë për financimin e borxhit në saj, me kërkesën në ankandet e bonove të thesarit dhe obligacioneve që ka qenë më e lartë se oferta dhe yield-in që vazhdoi të ulej dhe në ankandin fundit të Bankës së Shqipërisë, duke zbritur në nivel rekord prej 3.73%, për bonot me maturim 12-mujor.
Kredia gjallërohet lehtë në shtator, por bie 1.8% me bazë vjetore
Kredia për ekonominë shfaqi sinjalet e para të rigjallërimit në shtator, pasi kishte rënë për tre muaj radhazi, megjithatë, me bazë vjetore, huadhënia për bizneset e individët ka shënuar rënie prej gati 2%.
Sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë, totali i kredisë për ekonominë në fund të muajit shtator arriti në 547 miliardë lekë, duke shënuar rritje prej 0.44%, apo rreth 2.4 miliardë lekë, në raport me një muaj më parë. Rritja ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e rigjallërimit të huasë në valutë, ndërkohë që ajo në lekë ka mbetur në vend.
Në krahasim me fundin e vitit 2012, huaja për ekonominë është tkurrur me 1.3%, apo rreth 7.4 miliardë lekë. Një vit më parë, ndryshimet përkatëse ishin rreth 3% dhe 15 miliardë lekë.
Me bazë vjetore (shtator 2013/shtator 2012), huaja për ekonominë është reduktuar me 1.8%, apo rreth 10 miliardë lekë (një vit më parë ndryshimet përkatëse ishin 5.5% dhe 29 miliardë lekë).
Kjo është ecuria më negative, që prej më se një dekade, kur sistemi bankar po vuante problemet e ristrukturimit të bankave të atëhershme shtetërore. Një paketë e Bankës së Shqipërisë, e miratuar në fillim të muajit prill, që synonte përmirësimin e ekzekutimit të kolateralit dhe lehtësimin e kritereve të likuiditetit për bankat, nuk arriti të nxisë huadhënien, teksa bankat vijuan të përqendroheshin në menaxhimin e huave me probleme, që në fund të gushtit u rritën sërish në 24.1% të totalit, pasi kishin rënë lehtë në korrik.
Arsyet e kreditimit të ulët lidhen si me kërkesën e dobët të biznesit, që ka frenuar investimet, ashtu dhe nga shtrëngimi i standardeve të kreditimit nga bankat. Kjo e fundit duket të jetë më e fortë se rënia e kërkesës, teksa Banka e Shqipërisë ka pranuar se tkurrja e huasë nga bankat po ndikon në lulëzimin e kredisë informale.
Tkurrja e huasë, nga Tirana Bank dhe Raiffeisen
Tirana Bank dhe Raiffeisen rezultojnë të kenë dhënë ndikimin kryesor në tkurrjen e kredisë për ekonominë gjatë nëntë muajve të këtij viti, teksa kanë pastruar bilancet e tyre nga huatë e këqija. Të dhënat e detajuara bëhen të ditura nga Shoqata e Bankave.
Sipas statistikave, rekordin e mban Tirana Bank, e cila e ka ulur stokun e saj të kredisë me gati 11 miliardë lekë, apo rreth 20% në fund të shtatorit në raport me dhjetorin 2012.
Më pas renditet Banka Raiffeisen, që e ka reduktuar këtë tregues me gati 9 miliardë lekë, apo gati 7% për të njëjtën periudhë.
Në rënie ka qenë huaja dhe tek Emporiki, me rreth 1 miliard lekë.
BKT, e cila deri vitin e kaluar ishte mjaft aktive në kredidhënie, i ka ngadalësuar ndjeshëm ritmet në periudhën janar-shtator 2013, duke e zgjeruar kredinë me vetëm 1 miliard lekë, apo 1.5%, në krahasim me fundin e 2012-s. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndryshimi përkatës ishte plus 5 miliardë lekë.
Më aktivet në huadhënie, ndonëse me ritme të ngadalësuara, kanë rezultuar për 9-mujorin Credins Bank, Intesa San Paolo Bank, Societe Generale, Veneto Banka.
Depozitat rriten në shtator, rikthehet valuta në banka
Depozitat u rritën për të dytin muaj radhazi në shtator, duke kthyer tendencën rënëse që ishte konstatuar në periudhën prill-korrik, kryesisht si rrjedhojë e rikthimit të kursimeve në valutë në banka. Të dhënat bëhen të ditura nga statistikat mujore të Bankës së Shqipërisë.
Totali i depozitave në sistemin bankar arriti në gati 956 miliardë lekë në fund të muajit shtator, duke u rritur me 0.8%, apo rreth 7 miliardë lekë në raport me një muaj më parë. E gjithë kjo rritje ka ardhur pothuajse tërësisht nga shtimi i kursimeve në valutë, të cilat janë zgjeruar me gati 1.6% në raport me një muaj më parë. Si depozitat e korporatave në valutë, ashtu dhe ato të individëve kanë parë një zgjerim të ndjeshëm në shtator, ndryshe nga periudha janar-korrik, kur kursimet në valutë shfaqën një tendencë konstante rënieje. E ndjeshme ishte kjo rënie, sidomos në periudhën rreth zgjedhjeve, ku gjatë prill-korrik u larguan nga bankat rreth 130 milionë euro (18 miliardë lekë).
Në gusht u konstatua një rritje e ndjeshme e depozitave në valutë, si rrjedhojë e shtimit të kursimeve nga emigrantët, të cilët preferojnë të sjellin valutën në Shqipëri, për të përfituar nga interesat më të larta që ofrojnë bankat këtu, në raport me vendet ku ata jetojnë e punojnë.
Në krahasim me fundin e 2012-s, kursimet në total janë rritur me rreth 25 miliardë lekë, apo 2%, kryesisht si rrjedhojë e shtimit të depozitave në lekë, ndërsa ato në valutë kanë ndikuar vetëm në 10% të rritjes.
Me bazë vjetore (shtator 2013/shtator 2012), ishin 25.4 miliardë lekë, apo 2.7% më të larta, duke qenë tre herë më të ulëta në raport me një vit më parë, ku ndryshimet përkatëse ishin 8% dhe 72 miliardë lekë.
Sipas të dhënave të detajuara nga Shoqata e Bankave, pothuajse të gjitha bankat i janë gëzuar rritjes së depozitave të tyre në nëntë muajt e parë të këtij viti, në raport me fundin e 2012-s. Përjashtim bën Raiffeisen, depozitat e së cilës ranë me rreth 8%, apo gati 22 miliardë lekë në fund të shtatorit, në krahasim me dhjetorin 2012.
BKT ka shënuar rritjen më të madhe të kursimeve, me rreth 14 miliardë lekë, apo 7.3%, pjesën më të madhe të të cilave e ka investuar në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë.
E dyta renditet Credins, me një shtesë prej 12 miliardë lekësh.
E treta është Tirana Bank, e cila ndërsa ka tkurrur ndjeshëm huadhënien, ka përfituar nga një rritje e depozitave prej rreth 6 miliardë lekësh, apo gati 9%.
Edhe bankat e tjera në përgjithësi kanë pasur një ecuri pozitive në mbledhjen e kursimeve.
Kreditë e humbura rriten me shpejtësi, arrijnë në nivelin më të lartë që nga 2011
Shuma e huasë së humbur (ato që janë më shumë se një vit vonesë dhe që banka nuk ka më shpresë se mund t’i rikuperojë) kanë arritur në rreth 440 milionë euro.
Kreditë e humbura u rritën me shpejtësi në tremujorin e tretë të vitit 2013, në 11.2%, sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, nga 9.23% që ishin në tremujorin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë që nga tremujori i dytë 2001, kohë kur sistemi bankar u pastrua nga kreditë e këqija të bankave të atëhershme shtetërore (ish-Banka e Kursimeve – sot Raiffeisen dhe Banka Kombëtare Tregtare).
Një rritje e tillë ishte paralajmëruar dhe nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili, në daljen e tij të fundit për shtyp, tha se “një faktor pozitiv i vënë re në muajt e fundit dhe i inkurajuar nga Banka e Shqipërisë është pastrimi i bilanceve të bankave nga kreditë me probleme pa shpresë rikuperimi. Përtej ndikimit statistikor të tij në afat të shkurtër, pastrimi i bilanceve të bankave është pjesë e një procesi kompleks të administrimit të portofolit të kredive me probleme”.
Në vlerë absolute, kreditë e humbura (ato që janë më shumë se një vit vonesë dhe që banka nuk ka më shpresë se mund t’i rikuperojë) kanë arritur në rreth 440 milionë euro.
Huatë me probleme në total bien lehtë
Në tremujorin e tretë, një zhvillim pozitiv është rënia e lehtë e totalit të huave me probleme, në 24.34%, nga 24.38% në tremujorin e dytë.
Pavarësisht rritjes së huave me probleme, sistemi duket se nuk po prodhon më me shpejtësi kredi të pakthyera në afat, teksa përkeqësimi i këtij treguesi është ndikuar kryesisht nga kalimi i huave të dyshimta në të humbura.
Si një zhvillim pozitiv, pesha e huave standard (të kthyera në afat) u rrit për herë të parë që nga tremujori i tretë 2009, duke arritur në 67.15% në fund të tremujorit të tretë, nga 66% një tremujor më parë.
Pastrimi i bilanceve: Sistemi bankar, humbje 20 mln euro në korrik-shtator 2013
Sistemi bankar ka rezultuar me humbje për 9-mujorin, për herë të parë që nga viti 2008, duke reflektuar pastrimin e bilanceve të bankave nga kreditë e humbura.
Sipas të dhënave tremujore, që janë publikuar nga Banka e Shqipërisë, humbja e sistemit bankar për periudhën janar-shtator 2013 ishte 1.27 miliardë lekë, nga 3.1 miliardë lekë, që kishte qenë fitimi për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kthesa është bërë në tremujorin e tretë, ku humbja e sistemit ishte rreth 2.8 miliardë lekë, apo rreth 20 milionë euro. Deri në fund të qershorit, sistemi rezultonte me fitim prej 1.5 miliardë lekësh për gjashtë mujorin.
Gjatë tremujorit të tretë, nisi procesi i pastrimit të bilanceve të bankave nga kreditë me probleme pa shpresë rikuperimi. Kjo solli dhe rritje të shpejtë të kredive të humbura në këtë periudhë, në 11.2% në fund të shtatorit, sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, nga 9.23% që ishin në tremujorin e mëparshëm. Në vlerë absolute, rritja e huave të humbura vetëm në një tremujor është rreth 70 milionë euro.
Dhe ka qenë pikërisht rritja e shpejtë e shpenzimeve për provigjione (kosto që lihet mënjanë për mbulimin e kredive me probleme), ajo që ka gërryer fitimet e bankave. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet për provigjione u rritën në 14 miliardë lekë për në ntë mujorin 2013, nga 4 miliardë lekë, që ishin për të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një shtesë në vlerë absolute prej 9.2 miliardë lekësh (rreth 66 milionë euro).
Krahas shtimit të ndjeshëm të shpenzimeve për provigjione, bankat janë përballur dhe me një ulje të të ardhurave nga interesi, si rrjedhojë e reduktimit të ndjeshëm të yield-eve të bonove të thesarit – ku bankat kanë përqendruar investimet e fondeve të lira këtë vit, si rrjedhojë e tkurrjes së huadhënies – gjatë nëntë muajve të këtij viti. Të ardhurat nga interesi ranë me rreth 1.1 miliardë lekë, apo 2%, me bazë vjetore.
Pozitivisht në rezultatin e bankave ka ndikuar ulja e zërit “Shpenzime për veprimtari të tjera”, që ra me 8.3 miliardë lekë, apo rreth 18%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.