Emigrantët: Kthimi nga toka e premtuar

16/03/2013 09:27 0 komente
toka e premtuar

toka e premtuarQë nga viti 2010 mbi 40,000 emigrantë janë kthyer në vend, sipas vlerësimeve zyrtare. Statistikat e sakta mungojnë, pasi llogariten vetëm ata që janë paraqitur vullnetarisht si të tillë pranë pikave kufitare. Pjesa më e madhe e tyre janë kthyer për shkak se kanë humbur vendet e punës, ndërsa kërkojnë ndihmën e shtetit për arsimin e fëmijëve, por edhe trajnime profesionale

Nga Elona Bedalli

Fillimi i krizës në vitin 2008 ishte sinjali i parë i kërcënimit për emigrantët, se e ardhmja e tyre nuk do të ishte më edhe aq e sigurt në “tokën e premtuar”, ndaj vendimet për t’u kthyer në atdhe do të shpeshtoheshin. Emigrantët shqiptarë kthehen kryesisht nga Greqia e Italia, aty ku edhe kriza ekonomike është më e fortë. Për shkak të formave të ndryshme të kthimit që ndjekin emigrantët është shumë e vështirë që të ofrohet një shifër e saktë, por zyrtarisht shifra llogaritet në mbi 40,000 që nga viti 2010. Natyrisht që mendohet se mund të jetë disa herë më e madhe. Mbajtja e statistikave është e vështirë dhe shpesh ato nuk përputhen nga njëri institucion te tjetri. Silvana Banushi, drejtore e Migracionit, Kthimit dhe Riintegrimit në Ministrinë e Punës thotë se shqiptarët e kthyer përmes marrëveshjeve të ripranimit apo formave të tjera të kthimit të detyruar, i nënshtrohen procedurës së identifikimit dhe intervistimit në pikën e kalimit kufitar, por paraqitja e tyre pranë sporteleve të ngritura për migracionin është vullnetare. Kjo është edhe arsyeja se përse në statistika nuk ka përputhje mes shifrave që jepen nga Ministria e Brendshme. Që nga viti 2010, për shqiptarët e kthyer ekziston një strategji e cila deri tani njeh si afat të fundit të zbatimit vitin 2015. Përmes saj sigurohet kthimi i qëndrueshëm i emigrantëve, falë procesit të riintegrimit, pavarësisht formës së kthimit. Janë rreth dhjetë ministri që kanë të parashikuara 42 objektiva konkrete që duhet të marrin për shtetasit shqiptarë që kthehen në vendin e tyre. Realizimi i tyre monitorohet çdo vit nga një komitet ndërinstitucional, i cili kryesohet nga kreu i qeverisë. “Emigrantët e kthyer përbëjnë potencial të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë së vendit, duke pasur parasysh përvojat e punës, formimit profesional dhe shprehitë sipërmarrëse që kanë fituar gjatë qëndrimit në vendet pritëse”, thotë znj. Banushi. Sipas saj, përgjatë viteve, migracioni i kthimit ka lindur si një tjetër dukuri brenda migracionit shqiptar për arsye nga më të ndryshmet. “Këta faktorë shpesh konsiderohen se ndikojnë tek kthimi vullnetar. Nga ana tjetër, përvojat e kthimit mund të lindin nga përvoja negative e migracionit, si dështimi në marrjen e statusit të rregullt në vendet e destinacionit, kthimi i detyruar si pasojë e qëndrimit të paligjshëm, sipas përcaktimeve në marrëveshjet e ripranimit apo praktikave të tjera të kthimit në vendin e origjinës. Në përgjithësi, emigrantët shqiptarë me status të parregullt në Bashkimin Europian, veçanërisht ata që jetojnë në Itali e Greqi, kanë qenë më të ekspozuar ndaj kthimit të detyruar sesa emigrantët me status të rregullt të kthyer vullnetarisht”, thotë znj. Banushi. Sipas saj, integrimi i shtetasve shqiptarë që kthehen në atdhe është në qendër të strategjisë kombëtare, pesëvjeçare “Riintegrimi i shtetasve shqiptarë të kthyer në vend”, që ka nisur të zbatohet që nga qershori i vitit 2010. Mekanizmi i mbështetjes për riintegrim nis të vihet në punë që me mbërritjen e të kthyerve në pikat kufitare me Shqipërinë. Sipas drejtoreshës së Ministrisë së Punës, shqiptarët e kthyer përmes marrëveshjeve të ripranimit apo formave të tjera të kthimit të detyruar, i nënshtrohen procedurës së identifikimit dhe intervistimit në pikën e kalimit kufitar, por paraqitja e tyre pranë sporteleve të ngritura për Migracionin është vullnetare. Kjo është edhe arsyeja se përse në statistika nuk ka përputhje mes shifrave që jepen nga Ministria e Brendshme dhe ato që kanë të bëjnë me përfshirjen në këtë strategji. Ky është kontakti i parë që iu mundëson emigrantëve të njihen me atë se çfarë mund të bëjë shteti i tyre për ta. “Ata që kthehen në sportelet e migracionit mund të marrin informacion paraprak për mënyrën se si veprohet për të hapur një biznes, ku mund të investosh, për programet mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për përkrahjen sociale, për skemat e sigurimeve shoqërore, mbi aksesin në sistemin shëndetësor, skemat e sigurimit shëndetësor, kushtet dhe kriteret e përfitimit, dokumentacioni dhe procedurat, etj.”, thotë znj. Banushi. E përpos këtyre informacioneve, çdo emigranti të kthyer në momentin e parë, shteti iu siguron ushqim dhe para për transportin, për t’u kthyer pranë familjeve të tyre. Drejtoresha e Migracionit shpjegon se në çdo rast bëhet kujdes që të shmanget diskriminimi pozitiv, në lidhje me pjesën tjetër të popullsisë që nuk është migratore. “Strategjia nuk funksionon si një mekanizëm shërbimesh specifike, por si një mekanizëm mbështetës për riintegrimin e të kthyerve. Theksi vihet në përmirësimin e informimit të emigrantëve që kthehen mbi shërbimet ekzistuese, tek të cilat kanë akses të gjithë shtetasit shqiptarë, në bazë të ligjit”, thotë znj. Banushi. Sipas saj, strategjia i shtrin efektet si tek emigrantët e rregullt dhe ata të parregullt. “Ata vendosin të kthehen për shumë arsye: përvojat e para migratore, pra faktorët shtytës si varfëria, përvojat gjatë jetës në emigracion, si papunësia, statusi gjatë qëndrimit jashtë vendit, vështirësitë për të fituar statusin e rregullt dhe perceptimet për përvojën e kthimit, si zgjedhje pozitive, negative ose neutrale. Veç kësaj, përvoja e kthimit shpesh shihet si mundësi nxitjeje lidhur me punësimin, trajnimin, zhvillimin profesional dhe nismat financiare. Përvoja dhe mundësitë e riintegrimit ndikohen shumë nga faktorët individualë, si perceptimet për kthimin si mundësi dhe jo si dështim personal”, thotë znj. Banushi. Deri tani, fenomeni i kthimit në atdhe të emigrantëve ka prekur më shumë zonën verilindore dhe bregdetare, ndërsa dalëngadalë do të përfshijë të gjithë vendin, nxitur edhe nga përshkallëzimi i krizës financiare në shtetet ku ata janë më shumë të përqendruar. “Migracioni i kthimit nuk është thjesht ‘problem i individit’, por është mundësi për shoqërinë për të shtuar burimet njerëzore, financiare, sociale dhe të zhvillimit të atyre që kthehen. Pra, është një mundësi më shumë për mobilizimin e burimeve dhe energjive të reja të zhvillimit”, thotë znj. Banushi.

Korça, qyteti ku kthehen më shumë emigrantët

Në mbarë vendin janë hapur 36 sportele migracioni që shërbejnë edhe si “dera” e parë ku trokasin emigrantët që rikthehen në atdhe për të jetuar e punuar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës, për periudhën qershor 2010-dhjetor 2012, pranë këtyre sporteleve janë regjistruar 3,691 shtetas shqiptarë të kthyer. Numri më i madh i tyre (973) u regjistrua në periudhën korrik 2010-maj 2011. Korça është rajoni që shënon numrin më të madh të shqiptarëve të kthyer, e ndjekur nga Shkodra, Fieri, Tirana, Durrësi e Vlora. Sipas të dhënave, për dy vjet e gjysmë nga tri pikat kryesore të kalimit kufitar tokësor, Kapshticë, Kakavijë, Qafë Botë, u është siguruar transporti për t’u kthyer pranë familjeve 37,970 shtetasve shqiptarë të kthyer. Ndërsa mësohet se u janë ofruar shërbime për ushqim dhe ujë 43,382 shqiptarëve të kthyer, të cilët kanë paraqitur nevojën për trajtim me këto shërbime. Në kuadër të ripranimit ose vullnetarisht, trajtohen në momentin e kthimit, pas akomodimit të tyre, me ushqim, ujë dhe medikamente sipas nevojave që ata paraqesin. Rastet e kërkesave dhe trajtimit me medikamente janë shumë të pakta. Ata kthehen kryesisht nga fqinji jugor Greqia (rreth 80%) e më pak nga Italia dhe pjesa tjetër e vendeve të Bashkimit Europian. Arsyeja kryesore e kthimit (në masën 85%) është se kanë humbur vendin e punës për shkak të krizës ekonomike, më pak shprehen se vijnë për të investuar në Shqipëri, por edhe për pamundësinë për të siguruar dokumentacionin e duhur për qëndrim. Pjesa më e madhe (rreth 70%) janë familjarë, ndërsa sipas gjinisë mbizotërojnë femrat (rreth 35%). Kryesisht janë mbi moshën 25 vjeç dhe me arsim 9-vjeçar.

Në kërkim të një pune

Puna ishte fjala që i shoqëroi në ikje dhe është ajo që përsëritet edhe në kthim. Pjesa më e madhe e shqiptarëve që kthehen dhe që paraqiten pranë sporteleve të migracionit kërkojnë të punësohen (rreth 58%). Më të paktë janë ata që kërkojnë formim apo riformim profesional, që janë të interesuar për hapjen e një biznesi, apo që asistohen për procedurat e përfitimit të ndihmës ekonomike e shërbimeve shëndetësore falas. Për emigrantët, përvoja profesionale e fituar gjatë qëndrimit jashtë vlerësohet si avantazh i rëndësishëm për punësimin sa më të shpejtë të tyre. Shumë biznese, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me profesione të veçanta i konsiderojnë emigrantët si kandidatët më të preferuar. Gjatë vitit 2012 janë regjistruar pranë sporteleve të migracionit në drejtoritë rajonale dhe zyrat vendore të punësimit 1,006 shtetas shqiptarë të kthyer, të cilët janë informuar dhe orientuar për t’u përfshirë në programet e nxitjes së punësimit. Deri tani, janë regjistruar si punëkërkues të papunë, të cilët janë në gjendje për t’u përfshirë në programet e nxitjes së punësimit rreth 3,379 shtetas. Mësohet se pjesa më e madhe e atyre që kanë arritur të punësohet (rreth 15) gjenden në rajonin e Shkodrës, e më pas në Tiranë, Korçë, Durrës, Vlorë dhe Berat. Sipas aktiviteteve ekonomike, rezulton se më shumë janë punësuar në shërbime, më pas në industrinë e tekstilit dhe veshjeve, në ndërtim dhe në informacion e komunikacion. Rreth 80% e atyre që punësohen janë meshkuj.

Formimi profesional

Strategjia që mbështet emigrantët e kthyer i kushton vëmendje të veçantë edhe mundësisë së formimit apo riformimit profesional, që renditet edhe si kërkesa e dytë që kanë ata kur vijnë për të qëndruar në atdhe. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës deri tani: janë përfshirë në programin e nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë në vështirësi 16 shtetas të kthyer nga emigracioni; në atë të nxitjes së punësimit nëpërmjet formimit në punë 4 shtetas të kthyer në rrethin e Shkodrës; në programin e praktikave profesionale 4 shtetas shqiptarë të kthyer. Nga të gjithë këta janë punësuar 16 shtetas, nga të cilët 10 në qytetin e Durrësit, 3 në Shkodër, 2 në Vlorë dhe 1 në qytetin e Beratit. Një pjesë e mirë e emigrantëve të kthyer kanë kërkuar formim profesional në fusha si: instalim dhe riparim panelesh diellore, parukeri-estetikё, rrobaqepësi, elektricist, saldator etj. Gjatë vitit 2012 u informuan dhe u orientuan për të marrë pjesë në kurset publike të formimit profesional me tarifa falas 357 shtetas të kthyer. Nuk kanë munguar tastet kur emigrantëve të kthyer iu është mundësuar pjesëmarrja në kurse formimi, pa pagesë. Kanë përfituar nga ky shërbim 228 shtetas shqiptarë, kryesisht në Shkodër (113), Lezhë (69), Korçë (25), Tiranë (21) etj. Pjesa më e madhe janë trajnuar në profesione, si: instalues dhe riparues rrjetesh, riparues pajisjesh elektroshtëpiake, rrobaqepës, hidraulikë, kuzhinierë etj. Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional janё hartuar dhe miratuar kurrikulat për formimin profesional, për panelet diellore, parukeri-estetikё dhe për rrobaqepësi.

Nevojë për mjekë familjeje dhe psikologë

Megjithëse në momentet e para të kthimit, emigrantët nuk kanë pësuar nevoja emergjente shëndetësore, ata më tej kanë kërkuar të përfshihen në skemat që shteti shqiptar ka për sigurimin e këtyre shërbimeve. Statistikat tregojnë se janë regjistruar pranë mjekut të familjes 10,603 shtetas shqiptarë të kthyer. Rrethet me numrin më të madh të këtyre të regjistruarve janë: Vlora me 1,941 persona, Dibra me 1,315, Tirana me 820, Korça me 500, Lushnja me 486 shtetas etj. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë gjithashtu bëjnë të ditur se kanë vazhduar kalendarin e vaksinimit 5,028 fëmijë të shtetasve shqiptarë të kthyer të moshës nga 0–14 vjeç. Pjesa më e madhe e fëmijëve janë paraqitur në Vlorë (812), më tej në Tiranë (725), Fier (541), Berat (253), Korçë (159) etj. Nuk kanë munguar rastet kur fëmijëve u është ofruar shërbim psikologjik pranë sistemit arsimor, në përshtatshmëri me shkollën, në marrëdhëniet mes komunitetit të nxënësve dhe me personelin mësimdhënës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, shërbim psikologjik u është ofruar 1,330 nxënësve, fëmijë të shtetasve shqiptarë të kthyer. Problematikat kryesore për të cilat është ofruar ky shërbim kanë qenë ato të lidhura me përshtatshmërinë me shkollën, me komunitetin e nxënësve dhe me stafin pedagogjik.

Ndihmë ekonomike për 345 familje

Të parët që “përplasen” në dyert e shtetit natyrisht janë ata më nevojtarët, për të cilët emigracioni ka rezultuar më i dhimbshëm se qëndrimi në atdhe. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës janë trajtuar me ndihmë ekonomike 558 shtetas dhe 354 familje të kthyera. Pjesa më e madhe e individëve i përkasin rajonit të Dibrës, ndërsa në Korçë (170) gjenden numri më i madh i familjeve që ka përfituar ndihmë ekonomike, duke u ndjekur nga rajoni i Beratit, Elbasanit, por edhe Kukësit e Vlorës. Në Tiranë, vetëm një familje ka përfituar një fond prej 200,000 lekësh për shkak të vështirësive.

Asnjë kërkesë për strehim

Strehimi duket se është “kokëçarja” e fundit e emigrantëve shqiptarë të kthyer. Qeveria shqiptare ka një program të veçantë në lidhje me sigurimin e strehimit për rastet emergjente. E parashikuar si një nga masat e strategjisë, Ministria e Transportit së bashku me atë të Financave ka të planifikuar një fond për bonusin e strehimit për rreth 50 familje/persona. Me këtë rast, janë bërë disa ndryshime në në ligjin për “Programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”. Në ndryshimet e tij, emigrantët e kthyer janë përfshirë në kategoritë që trajtohen me përparësi për të përfituar strehim. Për rreth 50 familje/persona raportohet se janë planifikuar fonde për bonusin e strehimit me vlerë rreth 4.5 milionë lekë/34.000 euro, por deri tani nuk është paraqitur asnjë kërkesë. Nga ana e qeverisë gjithashtu është miratuar një udhëzimi i përbashkët për Ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Financave për përcaktimin e kritereve bazë, të sektorëve që do të mbështeten dhe të masave të përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Në këtë udhëzim janë përcaktuar masat konkrete të programit të mbështetjes direkte dhe vlera e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2011. Në kriteret konkurruese të çdo skeme zbatuese për vitin 2011 është vendosur që fermeri emigrant i rikthyer që aplikon për këto skema përfiton 10 pikë më shumë se fermerët e tjerë. Deri më tani nuk është bërë asnjë aplikim nga shtetasit shqiptarë të kthyer, për të përfituar nga masat mbështetëse dhe nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural që MBUMK zbaton.

Gjuha, pengesa më e madhe

Arsimi është një nga problemet kryesore me të cilat hasen kryesisht fëmijët e emigrantëve të kthyer. Mungesa e studimeve në gjuhën e nënës i bën ata të ndihen të huaj përballë bashkëmoshatarëve të tyre. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, mësohet se janë regjistruar në arsimin parauniversitar gjithsej 5,260 nxënës, fëmijë të shtetasve shqiptarë të kthyer. Lidhur me ekuivalentimin e dëftesave dhe diplomave raportohet se kanë paraqitur kërkesë 580 shtetas, ndërsa kanë arritur ta realizojnë 180 persona. Sipas Ministrisë së Arsimit për fëmijët e shtetasve shqiptarë të kthyer janë përgatitur programe të posaçme në lëndën e gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore. Gjithashtu janë hapur 10 shkolla verore, në qytetin e Elbasanit, Durrësit, Tiranës, Fierit, Beratit, Kukësit, Sarandës dhe Vlorës. Në to kanë marrë pjesë 192 nxënës. Përveç mësimit të gjuhës shqipe, fëmijët e shtetasve shqiptarë të kthyer kanë marrë mësime plotësuese edhe në lëndë të tjera shkencore. Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit thonë se nuk janë evidentuar nevoja të veçanta apo vështirësi nga fëmijët për asimilimin e programit shkollor. Nga ana tjetër është punuar në bashkëpunim me institucione të specializuar vendase dhe të huaja, për të bërë përshtatjen e politikave kurrikulare me nevojat e të kthyerve, për arsimim dhe formim profesional. Mësohet se janë përshtatur 44 kurrikula për formimin profesional publik, në rrethet: Tiranë, Shkodër, Lushnjë, Gjirokastër, Fier, Berat, Durrës, Korçë. Ndërkohë në shkollat profesionale janë hapur rreth 20 profile të reja, si: mirëmbajtës rrjeti kompjuterik, teknologji informacioni, specialist i sistemeve ngrohëse dhe ftohëse, telekomunikacion, administrator zyre, përpunues mishi, bulmeti etj. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit për përballimin e këtyre nevojave nuk ka punësime të reja, pasi janë vetë arsimtarët ata të cilët, sipas grafikëve, punojnë me orë shtesë kurrikulare. Ata thonë se nxënësit, të cilët janë në ciklin 9-vjeçar, e kanë më të thjeshtë për të mësuar gjuhën shqipe dhe programin mësimor në tërësi, ndërsa më shumë vështirësi paraqesin të rinjtë që duhet të ndjekin ciklin e lartë arsimor, maturantët, duke qenë se një nga kushtet për të ndjekur arsimin e lartë në vend është testimi në gjuhën shqipe.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.