Ndonëse Ministria e Financave ka kaluar në thesar rreth 170 milionë dollarë pagesa për detyrimet e prapambetura të biznesit, burimet nga financat pohojnë se firmat po procedojnë ngadalë për tërheqjen e tyre.
Sidomos problematike paraqitet situata me detyrimet e prapambetura të viteve 2007-2008, ku firmat ose kanë falimentuar dhe nuk janë aktive, apo nuk kanë të gjithë dokumentacionin në rregull për të marrë pagesat.
Bëhet fjalë kryesisht për kompanitë që kanë kryer punim infrastrukture apo kanë realizuar investime të tjera, ndërkohë që më shpejt po ecën marrja e pagesave të TVSH-së së prapambetur.
Financat pohojnë se po punohet dhe me ministritë e linjës për të avancuar më shpejt dhe për të kaluar këto pengesa.
Sipas strategjisë së kthimit të detyrimeve të prapambetura, qeveria ka premtuar kthimin e 72 miliardë lekëve brenda periudhës 2014-2016, me gjysmën e kësaj shumë që pritet të shlyhet brenda këtij viti.
Deri tani, financat i kanë siguruar paratë për të shlyer detyrimet duke marrë hua në tregun e brendshëm, ndërsa shumë shpejt pritet dhe lëvrimi i transhit të parë të huasë prej 330 milionë eurosh nga FMN-ja, (transhi i parë do të jetë rreth 25-26 milionë euro.)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.