Ku duhet të punoni sot? Ja disa prej zyrave ideale

16/02/2018 2:06 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Më shumë se gjysmë shekulli më parë, kompanitë filluan t’i shndërrojnë zyrat në hapësira të përbashkëta pune. Fillimisht kjo gjë u bë sepse u mendua si një lëvizje e mirë për të kursyer para, si dhe duke shpresuar se ajo do të ishte një mënyrë më efikase për të rritur produktivitetin. Por kohët e fundit, këto hapësira të përbashkëta duket se po përdoren gjithnjë e më shumë sidomos në startup-et e reja.

Por duke qenë se teknologjia po përparon ditë pas dite, ajo i ka krijuar mundësinë punonjësve që të punojnë ku të duan, duke krijuar në këtë mënyrë një “zyrë të lëvizshme dhe mbi të gjitha efikase”. Por në vazhdë të kësaj, pyetja e parë që lind është: Pse duhet të vijmë në ambientet e zyrës kur mund të punojmë fare mirë edhe nga ndonjë ambient tjetër?

E vërteta është se as hapësirat e përbashkëta të punës dhe as të punuarit nëpërmjet zyrave të lëvizshme të mundësuara nga teknologjia e avancuar nuk janë afër mjediseve ideale të punës. E para (hapësirat e përbashkëta) ndikon në ulje të produktivitetit, ndërsa e dyta mund t’u japë fund bashkëpunimeve të ndryshme apo punës në grup, shkruhet në një prej artikujve të botuar në Huffington Post.

Sipas studimeve të shumta të kryera së fundmi, zyrat e përbashkëta janë një prej faktorëve kryesorë që ndikon në rendimentin e ulët të punonjësve. Kjo sepse ato janë burimi kryesor i një mungese të madhe përqendrimi dhe i një niveli të lartë stresi. Edhe pse zakonisht punonjësit që punojnë në hapësira të përbashkëta pune mendojnë se janë pjesë e kompanive më inovative, gabohen, sepse janë pikërisht punonjësit e ambienteve të tilla të punës që vuajnë nga një mungesë e madhe përqendrimi, bëjnë më pak punë dhe janë më pak të motivuar.

Sipas një artikulli të fundit të botuar në BBC, në një studim të kryer në Universitetin e Sidneit, tërheqjet e vogla të vëmendjes mund të shkaktojnë një humbje përqendrimi që zgjat deri në 20 minuta. Artikulli shkruan më tej se 50 për qind e punonjësve që punojnë në ambiente të përbashkëta dhe 60 për qind e atyre që kanë për vete vetëm disa hapësira shumë të vogla që ndahen nga hapësira e të tjerëve me mure të vegjël, shprehen se një ndër faktorët kryesorë që ndikon në nivelin e ulët të përqendrimit të tyre është niveli i lartë i zhurmës në ambientin e punës. Ndërsa, vetëm 16 për qind e atyre që punonin në zyra të ndara nga të tjerët u shprehën se ndanin të njëjtin problem në lidhje me zhurmat.

Pra, cili mund të jetë ambienti ideal i punës, ai ku të gjithë punonjësit përveçse të jenë sa më produktivë edhe të vijnë me dëshirë në punë, një ambient pune i cili të arrijë të tërheqë sidomos të rinjtë e sotëm të cilat kanë shumë kërkesa?

Mjedise pune të ndryshme

Një prej përgjigjeve është krijimi i mundësive që punonjësit të zgjedhin mjedisin e tyre të punës në varësi të profesionit, dhe idealja do ishte që brenda të njëjtës kompani, punonjësve t’u krijohej mundësia që nëse dëshironin, të ndryshonin mjedisin e punës dhe të punonin aty ku ata do të ndiheshin më mirë. Sipas një sondazhi të kryer nga Gallup, punonjësit që kanë mundësi për të ndryshuar vendin e punës, janë 1.3 herë më shumë produktivë dhe të përqendruar në punë në krahasim me kolegët e tyre që nuk e ndryshojnë asnjëherë vendin e tyre të punës dhe rrinë tetë orë përpara kompjuterit.

Më poshtë, do të njiheni edhe me disa prej modeleve dhe ambienteve të zyrave më të pëlqyera nga punonjësit. Ja se cilat janë ato:

Zyrat e rehatshme

Gjithmonë e më shumë, mobilieve të zyrës po i kushtohet rëndësi e veçantë, në mënyrë që punonjësit të ndihen sa më komodë. Gjithashtu një numër i madh kompanish po i shtojnë gjithnjë e më shumë ambiente të tilla, si p.sh. të pasurit e një kuzhine me të gjitha pajisjet e nevojshme brenda kompanisë. Kjo, sepse në rast se punonjësit duan që të çlodhen disa minuta, apo qoftë për të konsumuar vaktin e drekës, nuk kanë pse të largohen nga kompania. Një ambient i tillë konsiderohet edhe si një mënyrë e mirë për të bashkëbiseduar me kolegët dhe për t’i njohur ata më shumë.

“Kabinat telefonike”

Krijoni sa më shumë dhomëza të vogla brenda kompanisë suaj, ku punonjësit të kenë mundësi që të bëjnë një telefonatë duke mos u bezdisur nga kolegët por edhe duke mos i bezdisur këta të fundit.

Libraria

Krijoni një dhomë të veçantë në kompaninë tuaj dhe vendosni brenda saj një bibliotekë e cila do të pasurohet edhe nga vetë punonjësit. Vendosni brenda saj disa banka të ndryshme dhe pse jo në sfond një muzikë të lehtë. Kjo ndihmon shumë në çlodhjen dhe në rritjen e përqendrimit tek punonjësit. Por duhet të siguroheni që në këtë ambient të mos diskutohet asgjë.

Përmbysje e modeleve të vjetra

Kohët e fundit po shihet gjithnjë e më shumë, sidomos në kompanitë e reja, që ata nuk po krijojnë fare një vend për recepsionin, por atë hapësirë e përdorin si një hapësirë të përbashkët ku mund të ulen dhe të bisedojnë, apo edhe të pinë një kafe në momentin që vendosin të bëjnë një ndërprerje të vogël.

Gjithashtu duke qenë se punonjësit mund të lëvizin nga një ambient pune në një tjetër, në kompanitë të cilat i kanë përqafuar këto modele të reja, ato kanë krijuar edhe një zonë të veçantë në të cilën ndodhen disa dollapë personalë, për çdo punonjës, ku ata mund të vendosin sendet tyre më me vlerë dhe t’i mbyllin ato me çelës kur lëvizin.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of