Mësoni se cilat janë hapësirat që lejon legjislacioni tregtar shqiptar për tu regjistruar dhe përfituar nga taksat dhe cilat ndryshime priten të bëhen pas kërkesave të BE-së.Integrimi është një nga fjalët më të përdorura aktualisht në jetën shqiptare. Politikanët, artistët, intelektualët flasin për integrimin politik europian, ekonomik, kulturor, madje edhe për integrimin shpirtëror. Ndërmjet integrimeve të ndryshme ai euro-atlantik mbetet më i rëndësishmi, pasi do të nxisë edhe procese të tjera integruese. Të gjitha programet qeveritare shqiptare që nga viti 1992 kanë shpallur qartë orientimin e tyre euro-atlantik. Kështu, një nga çështjet për të cilën të gjithë janë dakord në Shqipëri është se anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet objektivi kryesor si afatshkurtër ashtu dhe afatgjatë i Këshillit të Ministrave. BE është i pranishëm pothuajse në çdo aspekt të jetës shqiptare duke marrë pjesë në mënyrë aktive në ndërtimin dhe përmirësimin e institucioneve, nëpërmjet vëzhgimit të zgjedhjeve, dhënies së ndihmës ekonomike etj. Në këtë sfond, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ka qenë në qendër të vëmendjes dhe një qëllim parësor i tërë politikës shqiptare. Për të vazhduar më tej në ecurinë e këtij procesi, Këshilli i Ministrave, me Vendimin nr. 317, datë 13 maj 2005, miratoi Planin Kombëtar të Përafrimit të Legjislacionit Vendas me atë të BE dhe të zbatimit të MSA. Ky artikull synon të shpjegojë për lexuesit e përzgjedhur të kësaj reviste reformën në legjislacionin tregtar, që konsiderohet si angazhim parësor në procesin e nisur në kuadrin e përafrimit të legjislacionit të brendshëm me atë komunitar.PërqEndrohu te ligjetPër të kuptuar dhe më tej analizuar ndryshimet që parashikohen në legjislacionin tregtar duhet të paraqesim në mënyrë të përmbledhur tre ligjet bazë që për 13 vjet kanë drejtuar ekonominë dhe biznesin shqiptar, por që me zhvillimet e reja në këtë fushë janë krijuar probleme dhe vështirësi që imponojnë domosdoshmërisht zgjidhje juridike nëpërmjet përmirësimit në tërësi të legjislacionit tregtar.Ligji nr. 7632, datë 04.11.1992 “Për dispozitat që rregullojnë pjesën e parë të Kodit tregtar”. Ky ligj është miratuar me idenë që pas tij do të kalonte për miratim ligji me pjesën e posaçme të Kodit Tregtar, gjë që nuk u realizua si rezultat i miratimit të ligjit “Për shoqëritë tregtare” dhe të vendosjes në Kodin Civil të pjesës së posaçme të Kodit Tregtar, që lidhet me kontratat dhe veprimet juridike tregtare. Gjithashtu, një tjetër mangësi e nxjerrë nga praktika lidhet në faktin se çështje të njëjta i gjejmë të dubluara jo vetëm në këtë ligj, por edhe në atë të regjistrit tregtar.Ligji nr. 7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”, i ndryshuar me ligjin nr. 7953, datë 21.06.1995 dhe ligjin nr. 8108, datë 28.03.1996. Ky është ligji bazë që përcakton 4 forma shoqërie tregtare (shoqëri kolektive, komandite, me përgjegjësi të kufizuar, anonime dhe shoqëritë shtetërore si shoqëri anonime, në të cilat të gjitha aksionet zotërohen nga shteti ose nga një ent publik), mënyrën e krijimit dhe të funksionimit të tyre, organet kryesore drejtuese dhe strukturat organizative, rolin dhe kompetencat e çdo organi dhe mënyrën e vendimmarrjes, raportet hierarkike dhe mënyrën e dhënies llogari për veprimet e kryera në emër dhe për llogari të shoqërisë, e të tjera. Një vend me rëndësi në ligj zë edhe kapitali i shoqërive, mënyra e rritjes dhe e zvogëlimit të tij, si dhe procedurat e likujdimit të shoqërive tregtare në kuadrin e formave për mbarimin dhe krijimin e subjekteve të rinj. Legjislacioni shqiptar pranon edhe krijimin e subjektit tregtar në formën e një shoqërie tregtare me përgjegjësi të kufizuar me pjesëmarrjen vetëm të një personi. Ky person quhet “ortaku i vetëm”1 dhe shoqëria quhet shoqëri me ortak të vetëm.Ku ndryshon dega nga filialiNë mjaft raste në praktikë krijohet një konfuzion midis termit “degë” dhe termit “filial”, aq sa ndonjëherë ato trajtohen si identike, por nga mënyra e trajtimit në ligjet përkatëse, del se janë dy koncepte të ndryshme. Situatat përjashtimore nga nocioni i trajtimit të barabartë kanë të bëjnë vetëm me dispozitat tranzitore të MSA (p.sh., pronat e patundshme, shërbimet financiare, transporti, njohja reciproke e diplomave).Lind nevoja që në ndryshimet që do ti bëhen paketës ligjore që rregullon legjislacionin tregtar të saktësohen këto terma dhe të bëhet dallimi nga njëri-tjetri, sepse nuk del e qartë, se kur jemi para njërës dhe kur jemi para tjetrës, si dhe nuk del e qartë se cila prej tyre ka personalitet juridik dhe cila jo.Mbështetur në paketën ekzistuese ligjore dhe në praktikë figurojnë të evidentuara: shoqëri të reja tregtare, shoqëri të regjistruara si degë dhe shoqëri të regjistruara si përfaqësi. Ndryshimi midis degëve dhe përfaqësive në praktikën shqiptare është se dega ka personalitet juridik, mban emrin e “mëmës”, kryhen aktivitet të njëjtë ose pjesërisht më të ngushtë sesa shoqëria “mëmë” dhe regjistrohet si subjekt më vete brenda kufijve që i jep shoqëria “mëmë”. Ndërsa përfaqësia është një subjekt që mban emrin e shoqërisë “mëmë”, por nuk kryen veprime të përfaqësimit të saj juridik, sepse personaliteti i saj është i kufizuar vetëm në nxitjen e aktivitetit të shoqërisë “mëmë”, por ajo regjistrohet në gjykatë dhe madje, ka pasur raste kur subjekti i huaj preferon krijimin e përfaqësisë dhe jo të degës, sepse përfaqësia nuk konsiderohet fitimprurëse dhe nuk është subjekt i pagimit të taksave dhe detyrimeve fiskale ndaj shtetit.Regjistrimi i degës dhe i përfaqësisë është përafërsisht i njëjtë dhe bëhet me vendim të gjykatës. Regjistrimi kërkon dokumentacionin në vijim:- kërkesën e noterizuar të organit drejtues të shoqërisë “mëmë”;- statutin e shoqërisë “mëmë”;- aktin e themelimit të shoqërisë “mëmë”;- vendimin e organit drejtues të organit “mëmë” për krijimin e tyre.Për degën, ka një ndryshim: vendimi i organit drejtues të shoqërisë mëmë” duhet të përcaktojë kufijtë e veprimit apo të administrimit dhe përfaqësimit të së drejtave të “mëmës”, strukturën organizative dhe administrative të degës dhe personin drejtues të saj. Në rastin e degës kërkohet edhe vërtetimi bankar për depozitimin e një kapitali të kërkuar nga ligji si kapital themeltar.Për përfaqësinë vendimi duhet të përcaktojë vetëm emrin e personit që drejton përfaqësinë, së bashku me kufijtë e përfaqësimit të shoqërisë “mëmë” prej tij.Duhet theksuar se dega apo filiali pas regjistrimit në gjykatë duhet të regjistrohen edhe në zyrën e tatim taksave të ndarjes administrative ku ato kanë selinë e tyre2, për të marrë një numër identifikimi si subjekt fiskal. (NIPTI), ndërsa përfaqësitë nuk regjistrohen si subjekt fiskal. Me daljen e ligjit “Për organizatat jofitimprurëse”, nr. 8788, datë 07.05.2001, çdo subjekt jofitimprurës duhet të regjistrohet në zyrën e tatim taksave, kështu që edhe përfaqësitë duhet të regjistrohen pranë saj me qëllim që aktiviteti i tyre të mos jetë i kundërligjshëm dhe të shmanget rreziku i të qenit një shoqëri tregtare apo degë që shmanget nga detyrimet fiskale. Që nga viti 2001 që ka dalë ligji i sipërpërmendur, janë regjistruar gjithsej 1691 subjekte jofitimprurës, nga të cilat 1293 shoqata, 177 fondacione dhe 221 qendra, ndërkohë kur deri në vitin 2000 vetëm në Tiranë janë regjistruar mbi 850 subjekte jofitimprurës. Ky regjistër ndonëse administrohet nga të njëjtët punonjës që administrojnë edhe Regjistrin Tregtar, nuk ka të dhëna as në rrugë elektronike, as në formë materiale, dhe sa më shpejt të ndahet në fakt nga Regjistri Tregtar, aq më shpejt do të lehtësojë punën, sepse juridikisht janë dy regjistra të ndryshëm nga njëri-tjetri.Regjistrimi në zyrën e tatim-taksave edhe i përfaqësive është parashikuar meqenëse ligji shqiptar për organizatat jofitimprurëse pranon mundësinë që ato mund të ndjekin qëllime ekonomike, por gjithmonë pa pasur të drejtë të nxjerrin fitime dhe me kushtin që të ardhurat e krijuara nga veprimtaria tregtare e OJF-së të riqarkullohen për veprimtarinë e OJF-së. Regjistrimi pranë zyrës së tatim taksave në një regjistër të veçantë për OJF-të i jep mundësinë autoriteteve fiskale që të mbajnë nën kontroll tregun për të minimizuar mundësitë e abuzimeve nga subjekte të ndryshme.Për regjistrimin pranë zyrave të tatim-taksave duhen dokumentet e mëposhtme:- kërkesa e subjektit;- vendimi i gjykatës për regjistrimin si subjekt tregtar;- statuti i shoqërisë;- kontrata me sigurimet shoqërore;- çertifikata e anëtarësisë në Dhomën e Tregtisë;- personi i kontaktit.Çertifikata e regjistrimit si subjekt del brenda pesë ditëve nga paraqitja e kërkesës.Shoqëritë e huaja mund të kryejnë shërbime pa u regjistruar Legjislacioni tregtar nuk ka ndonjë rregullim lidhur me shërbimet e mundshme që mund të kryhen pa qenë i regjistruar si degë a përfaqësi e një shoqërie të huaj tregtare, por neni 1 i Ligjit 7632, datë 4.11.1992, parashikon se për praktika të veçanta të cilat nuk gjejnë rregullime në legjislacionin tregtar, zbatohen dispozitat e Kodit Civil. Duke u nisur edhe nga fakti, që pjesa e posaçme e Kodit Tregtar është brenda dispozitave të Kodit Civil, mund të arrijmë në konkluzionin se ka shërbime që mund të kryhen nga subjekte të huaja tregtare me anë të kontratave të shitjes së mallrave, të kryerjes së shërbimeve të transportit, të sigurimit e të tjera, pa qenë nevoja të jesh patjetër i regjistruar si subjekt tregtar, por duhet të bëhet kujdes që të mos operohet me strukturë të përhershme të vendosur në Shqipëri, sepse kjo e fundit patjetër duhet të regjistrohet në një nga format e kërkuara ligjore.Ortakët mund të paguajnë secili tatimet më veteVeç kësaj, Kodi Civil njeh edhe mundësinë e krijimit të shoqërive të thjeshta3, të cilat janë subjekte që nuk e fitojnë personalitetin juridik me regjistrim në gjykatë. Shoqëria e thjeshtë sipas Kodit Civil është një bashkim i vullneteve të dy ose më shumë personave me anë të një kontrate, që synon në zhvillimin e një aktiviteti ekonomik, me qëllim ndarjen e fitimeve. Anëtarët e shoqërisë së thjeshtë mund të venë në dispozicion të shoqërisë, pasuri, të holla apo shërbime. Në këtë formë funksionojnë në Shqipëri studiot ligjore, klinikat mjekësore private dhe të tjera të ngjashme me to që ofrojnë shërbime të një llojit të veçantë. Në këto shoqëri taksat paguhen në mënyrë individuale nga subjektet që i kanë krijuar. Shoqëritë e sigurimit dhe ato të spedicionit mund të operojnë në Shqipëri pa qenë të detyruara të regjistrohen si subjekte tregtare, por mbështetur në marrëdhëniet kontraktore.Legjislacioni shqiptar parashikon se rregullohen këto shërbime:- blerjet me qëllim rishitje, shitja që rrjedh nga një blerje e mëparshme, çdo veprim shkëmbimi;- çdo veprim i sipërmarrjes industriale, të ndërtimit, të minierave, të transportit, të sigurimeve, të magazinimit, të shfaqjeve publike, të reklamës, të botimit, të shtypshkrimit joartizanal;- çdo shërbim bankar dhe këmbimi;- çdo shërbim që lidhet me spedicionin, ndërmjetësimin dhe përfaqësimin;- çdo shërbim që ka të bëjë me përpunimin, sipërmarrjen dhe shitjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale;- çdo shërbim artizanati i organizuar jo nga një person i vetëm4. Si bëhet regjistrimi në gykatëLigji nr. 7667, datë 28.01.1993 “Për regjistrin tregtar dhe formalitetet që duhen respektuar nga shoqëritë tregtare”. Ky ligj plotëson një pjesë shumë të rëndësishme të legjislacionit tregtar, sepse përcakton procedurat për regjistrimin e personave juridikë e fizikë tregtarë me qëllim fitimin e personalitetit juridik, si dhe anën formale që ka të bëjë me dokumentacionin e nevojshëm për regjistrim. Një vend të rëndësishëm zënë edhe mënyra e depozitimit të ndryshimeve në statut, pas regjistrimit fillestar të shoqërisë, roli i gjykatës në procesin e regjistrimit, ana teknike e mbajtjes së regjistrit në formë skedarësh. Ligji autorizon Këshillin e Ministrave që brenda datës 6 dhjetor të çdo viti të caktojë gazetën ose gazetat, në të cilat lejohet publikimi i regjistrimeve, që do të bëhen gjatë vitit të ardhshëm. Publikimi i të dhënave të regjistrit tregtar në Fletoren Zyrtare dhe në të paktën një gazetë të autorizuar për publikimin e njoftimeve ligjore, parashikohet edhe nga ligji i shoqërive tregtare, por faktikisht, kjo gjë nuk ka gjetur zbatim.Regjistri tregtar mbahet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit të Tiranës për gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë5. Informacioni që lidhet me shoqëritë tregtare, është i kompjuterizuar, por që nga viti 2000 është pezulluar procesi i hedhjes së të dhënave në sistem, sepse programi është i vjetëruar dhe nuk i përgjigjet kapaciteteve. Deri në fillim të vitit 2005 rezultojnë rreth 40669 Shoqëri me Pëgjegjësi të Kufizuar dhe 627 Shoqëri Anonime, prej të cilave një numër i konsiderueshëm janë të huaja6. Po ashtu, ka mjaft degë dhe përfaqësi të shoqërive të huaja tregtare, ndërsa filialet janë më të pakta. Praktika na tregon se në Regjistrin Tregtar nuk ka subjekte të regjistruara në mënyrë të mirëfilltë si filiale, sepse edhe nga mënyra se si është përkufizuar kuptimi i tyre në ligj lë një shteg për vështirësi, por gjithsesi ekzistojnë filialet të cilat evidentohen vetëm në rastin kur shoqëria “kryesore” që ka mbi 50% të kapitalit shprehet në aktet e saj se cilat filiale ka.Shoqëritë e huaja paguajnë më shumë Legjislacioni dhe praktika gjyqësore ofrojnë mundësinë për të ushtruar aktivitetin tregtar dhe për tu regjistruar si subjekt juridik në gjykatë në mënyrë jo diskriminuese si për shoqëritë komunitare, ashtu dhe për ato shqiptare. Është evidentuar një trajtim jo i barabartë në lidhje me pagesën e diferencuar që duhet të kryejnë shoqëritë e huaja në Shqipëri për qëllim regjistrimi në raport me ato shqiptare, praktikë e cila do të ndryshojë në përputhje me parimet e trajtimit të barabartë:- taksë e regjistrimit (1,500 Lekë për shoqëritë shqiptare dhe 4,500 Lekë për shoqëritë e huaja);- taksë noteri (25,000 Lekë për çdo dokument për shoqëritë shqiptare, ndërsa shoqëritë e huaja duhet të paguajnë edhe 10,000 Lekë plus).Republika e Shqipërisë ka nënshkruar një numër marrëveshjes dypalëshe për shmangien e tatimeve të dyfishta mbi të ardhurat dhe kapitalet. Këto marrëveshje janë nënshkruar me Bullgarinë, Poloninë, Republikën Çeke, Norvegjinë, Belgjikën, Francën, Kroacinë, Turqinë, Zvicrën, Suedinë, Rusinë, Moldavinë, Rumaninë, Maltën, Italinë, Hungarinë, Greqinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Sistemi i taksimit vendas është i njëjtë si për shoqëritë e huaja, ashtu dhe për ato shqiptare. Në lidhje me dividentin që paguajnë shoqëritë e huaja tregtare, kuadri ligjor shqiptar përcakton pagimin e një takse prej 10%, me përjashtim të rasteve kur ndërmjet Shqipërisë dhe vendit të origjinës së shoqërisë “mëmë” ekziston një marrëveshje për shmangien e tatimeve të dyfishta dhe nëse në këtë marrëveshje përcaktohet një pagesë më e ulët për dividentin se ajo e përcaktuar në legjislacionin shqiptar.Legjislacioni që lidhet me marrëdhëniet e punës, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, parashikon rregulla që janë të njëjta si për subjektet shqiptare, ashtu edhe për ato të huaja, duke i krijuar mundësinë të huajve të punësuar në Shqipëri të zgjedhin sistemin e sigurimeve shoqërore të Shqipërisë ose atë të vendit të origjinës.Lehtësi për personelinLigji “Për të Huajt” parashikon disa kushte lehtësuese për “Personelin Kyç” të shoqërive tregtare të huaja, duke përjashtuar nga detyrimet për tu pajisur me leje pune: – drejtorët ekzekutivë dhe punonjësit e rëndësishëm të shoqërive të huaja që ushtrojnë veprimtari në Shqipëri apo që kanë qëllim të hapin veprimtari;- punonjësit dhe profesionistët e tjerë të kompanive të huaja, që vijnë për të punuar në degët dhe filialet e kësaj kompanie në Shqipëri;- personelin e transportit ndërkufitar të mallrave dhe njerëzve;- personat që bëjnë negociata për një shoqëri të huaj;- personat që përfundojnë marrëveshje për një shoqëri të huaj;- personat që punojnë në fushën e transportit, të instalimit të makinerive, të konstruksioneve, të riparim-shërbimit të makinerive, si dhe të trainimit për përdorimin e tyre. Seksionet tregtare janë në gjykatat më të rëndësishme, por aktualisht Gjykata e shkallës së parë të Rrethit të Tiranës ka volumin më të madh të punës. Pranë kësaj gjykate funksionon një seksion tregtar me 8 gjyqtarë si dhe zyra e regjistrit që është e unifikuar vetëm pranë kësaj gjykate. Ligji parashikon një afat kohor prej 30 ditësh nga marrja e kërkesës brenda të cilave, Gjykata duhet të japë vendimin për regjistrimin e subjektit tregtar. Ky afat kohor, është konsideruar i gjatë dhe në krahasim me praktikat e vendeve të tjera dhe për këtë arsye mendohet të reduktohet në 15 ditë. Megjithatë, nga praktika rezulton se këto afate janë më të shkurtra. Zakonisht, gjykata shprehet me vendim për regjistrim jo më vonë se 10 ditë nga depozitimi i kërkesës, qoftë për subjektet shqiptare, ashtu edhe për të huaja. Legjislacioni shqiptar parashikon se nëse për ushtrimin e disa shoqërive tregtare të caktuara kërkohet një autorizim zyrtar7, (licencë) me ligje të posaçme, atëherë kërkesa drejtuar gjykatës duhet të shoqërohet me një kopje të noterizuar të licencës. Për shembull, licencë duhet për krijimin e shoqërive të sigurimit, shoqërive të ndërtimit8, atyre që ndjekin veprimtari në fushën farmaceutike, kimike, bankare e të tjera. Kur subjekti tregtar është degë e një shoqërie të huaj, duhet të depozitojë edhe një kopje të licencës të marrë në shtetin ku ka selinë mëma. Nuk ka penalitete për regjistriminLigji për regjistrimin e shoqërive tregtare nuk ka penalitete apo gjoba për mospërmbushjen e detyrimeve që lidhen me regjistrin, ndërsa ligji për shoqëritë tregtare ka një seksion me penalitete, nga neni 295 301, që lidhen me deklarime të rreme lidhur me ndarjen e pjesëve të kapitalit themeltar, me abuzimin e kompetencave nga administratorët apo anëtarët e këshillit mbikëqyrës, nga emisioni i parregullt i aksioneve, si dhe nga parregullsitë dhe paligjshmëritë që lidhen me funksionet e ekspertëve kontabël të autorizuar. Këto penalitete lëvizin nga 5000 deri në 200000 lekë, ndërsa mosshënimi i të dhënave të detyrueshme në aktet dhe dokumentet e nxjerra nga shoqëria dhe të destinuara për të tretët penaliteti shkon deri në 250000 lekë.Decentralizimi i regjistrimit të shoqërive tregtare vetëm pranë gjykatës së shkallës së parë të Rrethit të Tiranës ka krijuar probleme në praktikë, prandaj amendimet në ligjet tregtare do të parashikojnë procedura regjistrimi edhe pranë gjykatave të rretheve. Zbatimi i plotë i legjislacionit të ri tregtar dhe sistemit përkatës të gjykimeve tregtare duhet të realizohet nëpërmjet ngritjes së infrastrukturës së nevojshme fizike dhe institucionale si dhe investimeve në drejtim të rritjes së kapaciteteve të këtij sistemi.KonkluzioneNë kuptim të reformës në legjislacionin tregtar, angazhimet që ka marrë Shqipëria në kuadër të MSA, janë si në vijim:- Përmirësimi i klimës së biznesit dhe nxitja e zhvillimit ekonomik nëpërmjet përmirësimit të legjislacionit mbi shoqëritë tregtare me qëllim harmonizimin e tij me përvojën e përgjithshme9. Qëllimi i këtij objektivi është krijimi i një mjedisi të përshtatshëm veprimi për shoqëritë tregtare dhe harmonizimi i ligjeve kombëtare me direktivat komunitare. Një harmonizim i tillë ka qëllim të dyfishtë: së pari, të heqë pengesat për lirinë e ngritjes së shoqërive duke iu ofruar ndërmarrjeve mënyrat për të zgjeruar dhe përmirësuar konkurrencën e tregut; së dyti, të vendosë një shkallë të njëvlershme mbrojtjeje në gjithë komunitetin duke u siguruar aksionerëve, kreditorëve dhe palëve të treta që kanë marrëdhënie kontraktuale me shoqëritë, mbrojtje të interesave të tyre10.- Përmirësimi i legjislacionit me qëllim liberalizimin e vendosjes së shoqërive tregtare komunitare në Shqipëri dhe anasjelltas (Neni 49 i MSA-së). Përcaktimi i një trajtimi për shoqëritë tregtare komunitare jo me pak të favorshëm sesa ai i shoqërive tregtare shqiptare dhe anasjelltas në mënyrë reciproke (Neni 50 paragrafi 1. dhe Neni 51 paragrafi 1. i MSA-së).Reforma në legjislacionin tregtar synon që projektligjet tu përgjigjen zhvillimeve të reja sociale dhe ekonomike të shtetit dhe shoqërisë shqiptare, duke u përqendruar në përmirësimin dhe plotësimin e legjislacionit tregtar aktual, duke rregulluar mangësitë e vërejtura në praktikën e deritanishme, duke harmonizuar dispozitat bazë tregtare me ato të legjislacionit civil në tërësi, si dhe duke realizuar një përafrim gradual me standardet europiane në mënyrë që përqasja me 12 direktivat e BE-së (12 direktivat në lidhje me të drejtën e shoqërive tregtare) dhe përmbushja e detyrimeve që burojnë nga dokumentet politikë: MSA, Axhenda e Selanikut dhe Dokumenti i Partneritetit, të jetë sa më e kompletuar.Drejtimet kryesore të përmirësimit të legjislacionit tregtar ekzistues duhet të konsistojnë kryesisht në11:- përmirësimin e të drejtës së vendosjes së shoqërive tregtare të huaja në Shqipëri;- trajtimin e barabartë të shoqërive të huaja me shoqëritë shqiptare;- ndarjen e qartë të rasteve kur shoqëria duhet të falimentojë apo likuidohet;- përcaktimin e procedurave të formimit të shoqërisë së re në rastet e ndarjes se shoqërive anonime, në ndarje me likuidim, me shkrirje apo përthithje;- përcaktimin e drejtë në ligj të masave të konvertimit të aksioneve të shoqërisë;- përcaktimin e saktë të mënyrës, vendit, kushteve dhe procedurave të emetimit të aksioneve;- përcaktimin e procedurave të rivlerësimit të kapitalit si dhe të modaliteteve për rritjen progresive të vlerës minimum të kapitalit fillestar;- përcaktimin e saktë procedurial në lidhje me rritjen e vlerës nominale të aksioneve nëpërmjet kontributeve të një pjese të aksionerëve kur ata kontribuojnë për rritjen e aktivitetit të shoqërisë dhe aksioneve;- përcaktimin në procesin e likudimit të ndarjes së përgjegjësive dhe detyrave të ekspertit të likuidimit dhe ekspertit që kontrollon procesin e likuidimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.