Hapni kompjuterin dhe jeni duke kërkuar dhuratën e përkryer në një faqe shitjesh online. Çdo ditë u besojmë markave të njohura, duke u deleguar menaxhimin e të dhënave personale.
Por ajo që konsumatori ndoshta nuk e kupton është se këto faqe e ndajnë informacionin mbi klientët me një rrjet kompleks reklamuesish, shoqëri marketingu dhe të tjerë “partnerë të përzgjedhur”.
Për shembull, të dhënat e gjeneruara nga klientët online nga “John Lewis”, një zinxhir dyqanesh në Britaninë e Madhe, transferohen në një grup kompanish të vogla si “Scene7”, “RichRelevance”, “Ensighten”, “Tapad”, “TagMan”, “Bazaarvoice”, “Qubit”, “BlueKai” e “Infection Media”, sipas “Evidon”, një shoqëri që merret me analizat e marketingut të kompanive dhe shërbimeve të pajtueshmërisë, e cila ka krijuar një hartë në kohë reale të fluksit të informacionit.
Pak njerëz kanë një ide, madje jo shumë të qartë, se cilat janë këto shoqëri apo se çfarë bëjnë me të dhënat që mbledhin, por bota e errët e ndarjes së informacioneve do të jetë e detyruar të dalë në dritën e diellit, kur rregullorja e përgjithshme e Bashkimit Europian mbi mbrojtjen e të dhënave, të hyjë në fuqi në maj të këtij viti. Kompanitë do të jenë të detyruara t’u japin klientëve të tyre më shumë informacione se cilat të dhëna do të ndahen me kompani të caktuara dhe se si do të përdoren ato.
Shoqëri të ndryshme që marrin të dhënat e klientëve nga kompani të tjera, janë të përfshira, në mënyra të ndryshme, në mbledhjen dhe organizimin e informacioneve personale, për të ndërtuar profile online (kur dhe ku lundrojnë personat, çfarë shikojnë dhe nëse blejnë diçka).
Këto profile, të cilët përpunohen më tej me shtimin e të tjera informacioneve të mbledhura nga rrjetet sociale, aplikacionet për celularët, motorët e kërkimit dhe sjellje të tjera telematike etj., mund t’u shiten agjencive reklamuese dhe më pas të përdoren për t’i reklamuar produkte përdoruesit të internetit.
Rregullorja e re euopiane do të detyrojë kompanitë të japin më tepër llogari rreth aktivitetit të tyre më shumë se më parë, nëse përpunojnë apo arkivojnë të dhëna personale të qytetarëve të Bashkimit Europian. Ato duhet t’i bëjnë më të qarta kërkesat për dhënien e pëlqimit për ndarjen e të dhënave.
Po ashtu do të ketë një përcaktim më të gjerë të konceptit të informacioneve personale, që do të përfshijë të ashtuquajturat “të dhëna me pseudonime” si identifikues online dhe gjithçka që mund të zbulojë vendndodhjen e një personi.
Të gjitha këto po krijojnë dhimbje të madhe koke për kompanitë, të cilat janë të detyruara të krijojnë harta për të përcaktuar me saktësi se ku përfundojnë të dhënat e klientëve të tyre, që në disa raste kalojnë nëpërmjet njësive të shumëfishta. Si të mos mjaftonte kjo, pjesa më e madhe e shkëmbimit të të dhënave menaxhohet nga algoritme telematike dhe teknologji të automatizuara, dhe kjo e bën më të vështirë krijimin e një harte se ku përfundojnë të dhënat tona.
Kompanitë më të mëdha, që monitorojnë informacionet online dhe kanë në organikën e tyre drejtues përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave, me siguri tashmë janë gati të zbatojnë rregulloren e re. “John Lewis Partnership” thotë se kompania “është përgatitur prej kohësh për rregulloren” dhe e konsideron atë “një prioritet shumë të rëndësishëm”.
Por sondazhe të shumta në sektorin e shitjeve online tregojnë se shumë kompani nuk janë plotësisht të përgatitura për ligjin e ri europian, veçanërisht në çështje si dhënia e pëlqimit dhe transparenca.
Një sondazh në 284 faqe britanike të retail-it, i realizuar vitin e kaluar nga studio ligjore “Bryan Cave”, zbuloi se të gjithë, në një mënyrë ose në një tjetër, nuk pajtoheshin me kërkesat e rregullores së re, nga lajmërimet mbi cookie tek politikat për privatësinë, te sistemet për të marrë pëlqimin si dhe terma dhe kushte të tjera.
Përveç respektimit të normave të rregullores, kompanitë i frikësohen një revolte të përdoruesve, kur të kenë një ide më të qartë se si funksionon sistemi i shpërndarjes së të dhënave.
“Pjesa më e madhe e konsumatorëve nuk ndihen mirë kur nuk e kupton se çfarë ndodh me të dhënat e tyre”, – thotë Mark Roy, themelues i “Read Group”, një kompani analitike dhe marketingu.
Një kërkim i bërë vitin e kaluar nga “PageFair”, një shoqëri për këshillim dixhital që ndihmon kompanitë të përballen me programe për bllokimin e reklamave, tregon se sa e vështirë është të bindësh përdoruesit online t’u besojnë informacionet e tyre kompanive që nuk i njohin. Në një sondazh tek 305 profesionistë të shitjeve me pakicë – 4 në 5 u përgjigjën se do ta mohonin pëlqimin nëse një faqe do t’u kërkonte lejen për të ndarë zakonet e tyre të lundrimit në internet me një markë tjetër dhe një “partner analitik”.
Thuajse dy të tretat e të intervistuarave thanë se nuk do të besonin se përdoruesi do të jepte “Ok” dhe pëlqimin e tij për të ndarë të dhënat me kompani të tjera. Rezultati është që kompanitë të cilat mbështeten mbi besimin e konsumatorëve, janë duke luftuar për të gjetur një mënyrë për t’u dhënë përdoruesve informacione rreth destinacionit të të dhënave të tyre, pa i trembur.
“Në këto harta jo domosdoshmërisht ka diçka negative. Fakti që kompanitë mbledhin informacione rreth jush nuk do të thotë që do t’i dërgojnë ato nëpër të gjithë rrjetin, në pjesën më të madhe të rasteve”.
“Por, për pesë muaj, kompanitë duhet të jenë gati të thonë: kjo është ajo që ndodh me të dhënat tuaja, këto janë subjektet që kanë akses tek të dhënat tuaja dhe këto janë mënyrat se si i përdorin ato”.
Burimi: Il Sole 24 Ore