Ndonëse buxheti i rishikuar 2014, që u miratua në shtator të këtij viti, i mbajti të pandryshuar shpenzimet kapitale në 67.3 miliardë lekë, financat e kanë ndryshuar planin “papritur” së fundmi duke i ulur ndjeshëm ato.
Në kuadrin buxhetor afatmesëm, 2015-2017, të publikuar sot, plani i pritshëm për shpenzimet kapitale është 55 miliardë lekë, apo rreth 18% më i ulët se pritshmëritë në buxhetin fillestar dhe në atë të rishikuar gjithashtu.
Ky është niveli më i ulët i shpenzimeve për investime, që nga 2009-a, kur raportohen të dhënat. Ky zë pritet të rritet në 2015-n, në 68 miliardë lekë, për të arritur në 89 miliardë lekë në 2017-n.
Në 9 muajt e parë të këtij viti, realizimi i shpenzimeve kapitale është vetëm 30 miliardë lekë, nga 67 miliardë lekë që ishte plani për gjithë vitin, duke e bërë të pashmangshme rishikimin në ulje të tyre. Sipas planifikimit të ri, financave u mbeten dhe 25 miliardë lekë për t’u shpenzuar, shifër që sërish duket e vështirë për t’u realizuar, duke pasur parasysh ecurinë e 9 muajve të parë.
Në këtë situatë, financat kanë filluar të hartojnë skenarin rezervë për të rialokuar shpenzimet kapitale në një shumë prej rreth 15 miliardë lekësh. Kjo shumë mendohet të shpenzohet në shpronësimet e rrugëve, me qëllim që t’i hapet rruga investimeve në projekte të mëdha të infrastrukturës gjatë vitit të ardhshëm; shlyerjen e detyrimeve që KESH i ka hidrocentraleve të vogla, që vlerësohen në shumën e 50 milionë eurove (për të cilën duhen konsensus i FMN); një pjesë e fondeve do të shkojë në investime për by pass-e në disa nyjet kryesore rrugore në vend.
Ministria e Ekonomisë ka filluar ndërkohë të verifikojë projektet që nuk do të arrijnë të realizohen këtë vit dhe pas kalimit të buxhetit 2015 do të hartohet dhe akti normativ për riaolkimin e shpenzimeve kapitale të këtij viti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.