Kufizimet doganore / A janë të bazuara akuzat e Trump kundër BE-së

10/08/2018 10:02 PM 0 komente

INTERVISTË: Donald Trump akuzon europianët se po abuzojnë me taksat doganore, por a është e vërtetë kjo gjë? Jean-Marc Siroën, profesor i ekonomisë në universitetin PSL Paris Dauphine, ndan të vërtetën nga gënjeshtra.

Përse Bashkimi Europian dhe Kanadaja nuk informojnë publikun, se prej vitesh ata përdorin taksa doganore të larta dhe barriera jotarifore kundër Shteteve të Bashkuara. Është krejtësisht e padrejtë për fermerët tanë, punëtorët tanë dhe bizneset tona. Ulni taksat dhe barrierat tuaja ose ne do të bëjmë më mirë se ju”! Shkroi Donald Trump në Twitter në qershor. Çfarë është me të vërtetë? A është Bashkimi Europian kaq agresiv sa dëmton eksportet e SHBA-së?

Profesori i Shkencave Ekonomike në Universitetin PSL Paris Dauphine, Jean-Marc Siroën shpjegon, për “Le Figaro”, lidhjet tregtare midis dy shteteve.

 

Le Figaro: Norma mesatare e taksave të aplikuara nga BE në eksportet e SHBA është më pak se 3%, sipas Komisionit Europian. Megjithatë, shpërndarja e këtyre taksave është shumë e ndryshme: a ekzistojnë në BE sektorë shumë të mbrojtur?

Jean-Marc Siroën: Së pari, Bashkimi Europian nuk përdor tarifa apo kufizime jotarifore kundër Shteteve të Bashkuara por “kundër” të gjitha vendeve me të cilat BE nuk ka një traktat tregtar. Aktakuza e Trump kundër Kanadasë, është edhe më absurde pasi, deri në një njoftim të mëtejshëm, të dy vendet janë anëtare të të njëjtit traktat të tregtisë së lirë, Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA). Prandaj, Kanadaja trajton më mirë Shtetet e Bashkuara sesa Kinën, Japoninë apo Korenë. Por Presidentit Trump i pëlqen të viktimizojë Shtetet e Bashkuara.

Për BE-në, ashtu si për të gjithë anëtarët e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), detyrimet doganore nuk janë rezultat i një vendimi të njëanshëm. Ato u negociuan me të gjitha vendet e GATT-it (Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë), paraardhësi i OBT-së. Reciprociteti nuk aplikohet produkt pas produkti, por në tërësinë e të gjitha lëshimeve të njërit apo tjetrit. Prandaj është e mundur që secili shtet të zgjedhë sektorët që do të jenë relativisht më të mbrojtur, ndërkohë që të tjerët do të jenë më pak të mbrojtur. Bashkimi Europian ka qenë në gjendje të mbajë në mbrojtje të fortë bujqësinë, automobilat apo industrinë e tekstilit, duke u hapur ndaj importeve në sektorë të tjerë: miell soje (ku Shtetet e Bashkuara janë furnizuesi kryesor), ilaçet, metalet…

 

Nëse disa sektorë janë jashtëzakonisht të mbrojtur nga BE-ja, nga ana tjetër, SHBA-ja nuk mbron po aq shumë sektorë të tjerë?

Ajo që është jashtëzakonisht e mbrojtur në Bashkimin Europian janë produkte të caktuara bujqësore. Për makinat, detyrimi është 10%, i cili sigurisht është i lartë, por mbetet relativisht i moderuar. Kur krahasojmë strukturën tarifore të Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, shohim se ato janë shumë të ngjashme. Me pak fjalë, të dyja mbrojnë ose hapin të njëjtët sektorë. E sigurt që Bashkimi Europian takson në favor të saj për makinat e veta (10% kundrejt 2.5%), Shtetet e Bashkuara taksojnë më shumë për kamionët (25% kundrejt një mesatare prej rreth 15% në BE). Të dyja mbrojnë tekstilet dhe veshjet, por Shtetet e Bashkuara pak më shumë se Europa. Së fundi, tarifa mesatare e Shteteve të Bashkuara është pak më e ulët se ajo e Bashkimit Europian (3.5% kundrejt 5.2%), por kjo diferencë është e parëndësishme dhe kryesisht kompensohet nga përdorimi i instrumenteve të tjera jotarifore.

 

Pikërisht, le të flasim për kufizimet jotarifore. Cili është qëllimi i tyre: mbrojtës apo cilësor? A mund të jepni shembuj të fushave që janë të mbrojtura veçanërisht nga këto kufizime?

Përkufizimi i kufizimeve jotarifore është mjaft i paqartë, pikërisht për shkak se ndonjëherë është e vështirë të provohet natyra e tyre mbrojtëse. Për më tepër, ne gjithashtu përfshijmë detyrimet kundërbalancuse ose antisubvencion, si dhe klauzola mbrojtëse të cilat… janë tarifat. Këto instrumente përdoren më shumë nga Shtetet e Bashkuara sesa nga ndonjë vend tjetër (përveç, ndoshta, Indisë), përfshirë Bashkimin Europian. Dhe këto detyrime janë përgjithësisht shumë më të larta në Shtetet e Bashkuara sesa në Europë. Sipas sondazhit të OBT-së, në vitin 2017, Shtetet e Bashkuara vendosën një numër shumë më të madh kufizimesh jotarifore sesa Bashkimi Europian: 5409 kundër 2075. Shtetet e Bashkuara duken shumë më kufizuese për standardet sanitare dhe fitosanitare. Ata gjithashtu krijojnë pengesa teknike për tregtinë.

 

A mund të masim me të vërtetë ndikimin e kufizimeve jotarifore në shkëmbimin tregtar?

Për disa, po. Detyrimet amerikane kundërbalancuese të imponuara nga çeliku kinez ulin importet në pothuajse asgjë. Për masat me të vërtetë jotarifore, ndikimi është më i vështirë për t’u llogaritur, por shumë prej tyre janë ekuivalente me tarifa të larta ose, ashtu si për standardet, me ndalime reale.

 

Donald Trump flet për ribalancimin e deficitit tregtar …

Ky deficit nuk është vetëm tregtar. Në nivelin makroekonomik, një deficit tregtar është korrespondenti i kursimeve kombëtare që nuk është i mjaftueshëm për të financuar investimet dhe deficitin publik. Me fjalë të tjera, të ardhurat dhe kursimet, bizneset dhe shteti, jetojnë përtej mundësive të tyre dhe prandaj duhet të marrin hua jashtë vendit. Donald Trump me siguri mund t’i vijë keq për suficitin gjerman, i cili megjithatë ndihmon për të financuar ekonominë amerikane! Nuk ka prova se masat mbrojtëse të adoptuara nga administrata amerikane reduktojnë konsumin familjar dhe shtetëror, si një kusht i domosdoshëm për uljen e deficitit tregtar. Përkundrazi, politika fiskale tepër ekspansioniste e Shteteve të Bashkuara do të thellojë jo vetëm deficitin buxhetor, por edhe “binjakun” e vet, deficitin tregtar.

 

A ju duket i justifikuar zemërimi i Shteteve të Bashkuara?

Është zemërim apo qëndrim? Presidenti Trump beson se duke ngritur tonin, ai do të trembë shtetet e tjera dhe do të kënaqë zgjedhësit e tij. Shtetet e Bashkuara nuk janë aspak “idiotët” e globalizimit, që e dëshiruan, ndërtuan dhe dominuan, sikur vetëm duke imponuar dollarin si monedhë ndërkombëtare, e cila tani u lejon atyre të marrin borxhin me normë më të ulët. Për momentin, janë shqetësuese vetëm tregjet, investitorët dhe… firmat amerikane. Nëse duke taksuar makinat europiane, Shtetet e Bashkuara besojnë se i kënaqin prodhuesit amerikanë, General Motors sapo e ka goditur me një përgënjeshtrim të ashpër…

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of