Këto kufje mund të jenë shumë të dobishme për disa për t’i mbijetuar përditshmërisë. Është zakon shumë i përhapur eliminimi i një zhurme me një zhurmë tjetër, por të personalizuar, duke bombarduar veshët për t’u izoluar nga ambienti rrotull.
Por ka një alternativë dhe është ajo e “reduktimit aktiv të zhurmave”. Në krahasim me kufjet që ulin zhurmat në sfond me anën e një mekanizmi izolues (nëpërmjet pjesës prej gome që futen në kanalin e veshit), këto të rejat veprojnë në mënyrë aktive në reduktimin e zhurmave. Praktikisht, këto kufje dallojnë tingujt e jashtëm të padëshirueshëm dhe prodhojnë tinguj me të njëjtën gjatësi vale, por me fazë të kundërt, duke anuluar në këtë mënyrë zhurmat e ambientit.
Ideja lindi nga zhurmat gjatë fluturimeve të avionëve
Kufjet e pajisura me teknologjinë ANR (active-noise reduction), lindën në avionë. Në vitin 1978, Amar Bose, drejtuesi i një shoqërie për teknologji audio, u trondit nga zhurma që pasagjerët dhe personeli i bordit duhet të duronin gjatë udhëtimit. Ai vendosi të punonte mbi një teknologji, e aftë të reduktojë në mënyrë aktive atë lloj zhurme. Dhe kështu eksperimentoi prototipin e tyre në vitin 1986, dhe ua dorëzoi dy personave që kishin nevojë për këto lloj kufjesh për t’i mbijetuar nismës së tyre, pa pësuar dëme në dëgjim – bëhej fjalë për fluturimin e parë rreth botës. Në vitin 2000, ishte po Bose që i dha gjerësisht publikut mundësinë për t’u zhytur në qetësi nëpërmjet kufjeve ANR.
Sa zhurmë eliminojnë
Bëhet fjalë për modele më të kushtueshme sesa ato tradicionale dhe që kanë konsume energjetike më të larta. Ato kryejnë dy funksione njëkohësisht: prodhojnë tingujt e muzikës dhe ulin zhurmat në sfond. Kompania Bose siguron se mund të eliminojnë deri në 98 për qind të zhurmave të ambientit.
Por llogaritja është më e komplikuar. Kjo varet nga lloji i frekuencave: ato më të ulëta janë më të thjeshta për t’u riprodhuar dhe për t’u kompensuar me një valë me fazë të kundërt. Është më e vështirë në rastin e valëve me frekuencë të lartë, p.sh. e qara e një foshnje. Në përgjithësi, kufjet me teknologji ANR mund të ulin nivelin e zhurmave mes 20-45 decibel.
Për të dëgjuar muzikë ose për të pasur thjesht qetësi
Teknologjia për reduktimin e zhurmës përdoret sidomos në kombinim me muzikën. “Për të pastruar” notat e muzikës që kemi zgjedhur të dëgjojmë nga interferencat e padëshiruara. Nëpërmjet tyre ju mund të rizbuloni cilësinë më të lartë të tingujve, pa u shpërqendruar nga gjërat që ndodhin rreth e qark jush. Ose mund të vendosni të mos dëgjoni listën tuaj muzikore në smartphone, thjesht të ndizni kufjet, të mbyllni sytë dhe më së fundi t’i gëzoheni qetësisë.
mirdita