Ndoshta mendoni se punonjësit duhet të ndihen falënderues se kanë një punë të mirë për të cilën paguhen ashtu siç duhet dhe se duhet të ndihen thjesht mirënjohës që ju është dhënë mundësia për të punuar për kompaninë tuaj.
Në mendimin tim, përulësia duhet të jetë si nga ana e drejtuesve, si nga ana e bashkëpunëtorëve. Nuk duhet të harrojmë se nëse nuk ka punonjës/bashkëpunëtorë, nuk ka as liderë.
Përgjatë viteve, u kemi kërkuar bashkëpunëtorëve të thonë se çfarë duan e për çfarë kanë nevojë nga lideri i tyre. Çfarë do të duhej për të ndjekur drejtuesin e tyre pa hezitim? Më poshtë janë të renditur disa prej mendimeve të tyre:
“Do të doja që drejtuesi im të vihej në vendin tim, të kuptonte vërtet se çfarë përjetoj ditë pas dite dhe se si vendimet që merr ndikojnë tek unë”
“Ndonjëherë ndiej se shihem thjesht si një numër, por, si gjithë personat, jam një qenie njerëzore. Ndiej dashuri dhe frikë në jetë, por gjithashtu jam i mbushur me shpresë dhe frustrime”
“Do të më pëlqente të më thuhej e vërteta: gjërat e mira, të këqija, të shëmtuara”
“Përpara se ju të merrni vendime të rëndësishme që lidhen me punën time, ju lutem, a mund të më përfshinit dhe mua në procesin e mendimit? Në fund të fundit, unë jam më pranë punës dhe me shumë gjasa mund t’ju tregoja se si ta bëjmë më efektive”
“Me siguri, do të pranoja thuajse çdo ndryshim, nëse do të më thoshit se pse po e bëjmë atë”
“Ju lutem, kuptoni që kam një familje për të mbajtur. Paguaj taksa dhe përballem me problemet në shtëpi. Marr vendime të rëndësishme çdo ditë. Ju lutem më jepni një mundësi të jem pjesë e procesit vendimmarrës”.
Shpesh dëgjoj drejtuesit të bëjnë këtë pyetje: “Si t’i motivoj punonjësit e mi? Unë zakonisht i përgjigjem: “Mjaft u përpoqët për këtë gjë”! Në vend të saj, jini vetvetja, autentikë dhe unë do të jem i motivuar”.
“Që të jemi vërtet të suksesshëm, kuptoni se kemi nevojë për njëri-tjetrin. Ju keni nevojë për mua, po aq shumë sa unë kam nevojë për ju”.
“Do të dëshiroja që drejtuesit e lartë, menaxherët rajonalë dhe të tjerë të shfaqnin më shumë shqetësim për drejtuesit e departamenteve dhe personelin. Shpeshherë, nuk kam pasur mundësi ta takoj drejtuesin e kompanisë pasi ai ‘është shumë i zënë’ apo ‘pret një telefonatë’.
Do të doja që kjo kompani të kthehet përsëri të jetë vetvetja se sa të përpiqej të jetë kaq e rëndësishme”.
Siç shihet nga këto komente, punonjësit nuk kërkojnë shumë. Në të vërtetë, mesazhi është mjaft i thjeshtë. Kërkojnë që drejtuesi i tyre të bëjë atë që është e drejtë. Kjo do të thotë të jenë autentikë, të besueshëm dhe të drejtojnë me zemër.
*Susan Steinbrecher, CEO Steinbrecher and Associates
Burimi: INC