Administrata Tatimore njofton se po vijon me kontrolle në çdo subjekt që ushtron aktivitet tregtar, për zbatimin e ligjit dhe garantimin e kushteve për konkurrencë të ndershme në luftën kundër evazionit dhe informalitetit.
Strukturat e zbatimit Task-Forcë të Drejtorisë së Hetimit Tatimor kanë ushtruar kontrolle në Tiranë, në zbatim të planit anti-informalitet. Gjatë kontrolleve janë konstatuar problematika për mos lëshim të kuponit tatimor, punonjës të padeklaruar apo subjekte të pa liçensuara.
Janë bllokuar 6 bare dhe restorante për mos lëshim kuponi tatimor (hera e dytë) si dhe dy subjekte tregtare që ushtronin aktivitet të pa liçensuar. Nga 265 kontrolle të realizuara 80 prej tyre janë penalizuar.
Masat ndëshkimore për mos lëshimin e kuponit tatimor janë si më poshtë:
Mos lëshim kuponi hera I-rë: Penalitet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe përveç masës së gjobës për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit.
Mos lëshim kuponi hera II-të: Penalitet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe në këtë rast merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike.
Mos lëshim kuponi hera III-të: Penalitet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe konsiderohet evazion tatimor duke e kallëzuar subjektin penalisht. Gjithashtu, publikohet emri i tatimpaguesit, NIPT-i dhe emri i përfaqësuesit të biznesit në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.