Ftesa është për investitorët e jo për konsumatorët. Sektori që duket se ofron ende potencial për investime përballet me “gangrenën” e fermës shumë të vogël. Ndaj, ndonëse në dukje e për nga numri i gjedhit në vend mund të sigurojnë lëndë të parë, ferma e vogël e bën të pamundur. Vitin e kaluar, tregu i përpunimit të qumështit u rrit lehtësisht. Dhjetëra punishte hoqën dorë, ndërsa investitorët e huaj e shikojnë ende me interes.
Nëse ka një treg ku është investuar shumë vitet e fundit është ai i përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij. Sipas të dhënave mes grupimit të përpunuesve, nga viti 2011 e deri më tani vlerësohet të jenë investuar mbi 10 milionë euro në stabilimente e linja të përpunimit. Me këtë vlerë, investimet në këtë sektor i kanë kaluar 40 milionë euro. Shpenzim i lartë, që mungon në shumë degë të tjera të industrisë ushqimore, perime, fruta, apo prodhimin e pijeve freskuese, mund të cilësohet edhe si i tepërt. Një treg që duket se njihet nga investitorët, por që u ka servirur surpriza të hidhura. E tillë ishte ajo e bllokimit të eksportit të qumështit vitin e kaluar në Kosovë. Mjaftoi publikimi i rezultateve për përmbajtje mbi nivelet mesatare të aflatoksinës, për të nxjerrë nga tregu kompaninë që investoi 6 milionë euro në këtë sektor.
Themi “duket se njihet”, pasi të dhënat e prodhimit të qumështit në fermë flasin për nivel të lartë prodhimi e rrjedhimisht edhe mundësinë e sigurimit të lëndës së parë për ta përpunuar atë. “Për sa kohë ka ende në treg bidonë qumështi 1.5 litra të pasterilizuar, do të thotë që ka ende hapësirë për përpunim”, tregojnë përfaqësues të Këshillit të Agrobiznesit. Por, pikërisht këtu qëndron problemi. Grumbullimi i qumështit të fermave të vogla është po aq i vështirë sa dhjetë vite më parë.
Sipërmarrësi i kompanisë “Mireli” tregon për “Monitor” se pikërisht ky është problemi kryesor që nuk po e kapërcen dot. “Grumbullimi vazhdon të mbetet problem. Jemi të detyruar të pranojmë furnizime në sasi të ndryshme, e rrjedhimisht të ofrojmë edhe çmime të ndryshme. Për furnizimet 50 – 200 litra qumësht çmimi i shitjes nga fermerët luhatet në 42-50 leke/litër”, thotë ai. Ky është pothuajse i njëjti çmim i ofruar në fermerët gjermanë, ndërkohë që në këtë treg qumështi kushton rreth 30% më shtrenjtë se tek ne.
Pra, sipërmarrësve në këtë sektor u duhet të punojnë në kushtet shqiptare, ku ka lëndë të parë, por është vështirë të grumbullohet, e rrjedhimisht është edhe më shtrenjtë. Pa përmendur këtu rrezikun e lartë që mbart kontaminimi i përzierësve të qumështit në sasi të vogla.
E përsëri, interesi për të investuar qëndron. Hajredin Fratari, president i Konfindustrisë, tregon se sektori po shihet me interes nga investitorë izraelitë.
Në përgjigje të këtij interesi, specialistët në fushën e blegtorisë, këshillojnë për më shumë kujdes. Sipas tyre, sektori i përpunimit është i tejngopur me investime. Ata nuk e përjashtojnë mundësinë e investimeve të tjera, por sugjerojnë që kjo të bëhet përkrah ngritjes së fermave blegtorale. Përndryshe, stabilimentet e përpunimit do të detyrohen të vihen në dispozicion të përpunimit të qumështit të importuar nga vendet fqinje, siç vlerësohet të ketë ndodhur këto vite.
Tregu rritet lehtësisht
Investimet e bëra nuk justifikohen me rritjen e lehtë të përpunimit të qumështit. Shifrat zyrtare të prodhimit e tregtisë së jashtme flasin për rritje të lehtë të tregut të qumështit. Si përpunimi në vend, edhe importi gjatë vitit të kaluar shënuan rritje. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, niveli i përpunimit në vend ishte 99 mijë hektolitra, ose 2% më shumë se një vit më parë. Në totalin e tregut, pesha e prodhimit vendas kryeson, duke zënë 92% të tregut zyrtar.
Por, tregu nuk ka qenë aq i qetë sa duket në pamje të parë. Nëse rritja mesatare e prodhimit ishte 2% vitin e kaluar krahasuar me vetëm një vit më parë, ndërkohë dhjetëra punishte vlerësohet të kenë hequr prizën e makinerive të tyre, pasi nuk e kanë parë më me interes. Sipërmarrës, anëtarë të Këshillit të Agrobiznesit bëjnë të ditur se nuk po mbulonin shpenzimet e tyre prej më shumë se 5 vitesh dhe muajt e fundit u bindën se duhet të heqin dorë përfundimisht. E ndërsa ata kanë nxjerrë makineritë në shitje, për të tjera kompani janë rritur shanset. Prodhuesit e bulmetit “Mireli” e “Erzeni” tregojnë se e mbyllën vitin me një rritje prej 5-6% krahasuar me një vit më parë, e pavarësisht se muajt e parë të këtij viti duken të zbehta, ata janë optimistë edhe për këtë vit. Sipas tyre, rritja e përpunimit këtë vit pritet të jetë 6% për qumështin, e shumë më tepër (15%) për produktet e tjera të bulmetit.
Aktualisht ka rreth 360 sipërmarrje të përpunimit të qumështit në vend, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë. Stabilimentet më të mëdha, të cilat arrijnë të dalin në treg me emrat e tyre i kalojnë 30. Sipas ekspertëve të bujqësisë, kapacitetet e përpunimit (rreth 25 mijë litra /orë në total) janë shumë më të larta se sasia e prodhimit të qumështit në vend, me të cilin ata pretendojnë të punojnë.
Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se prodhimi vjetor total është rreth 10 milionë hektolitra, ose mbi dhjetë herë më pak se kapaciteti i përpunimit. Kapaciteti i përpunimit është disa herë më i lartë edhe se niveli total i konsumit në vend. Megjithatë, sipërmarrësit shikojnë ende hapësira për sa kohë importi i qumështit vazhdon të mbetet i lartë, e madje edhe të rritet.
Të pyetur nga “Monitor”, sipërmarrësit e hershëm në këtë sektor flasin për rritje të theksuar të konkurrencës, por pa përmendur ndonjë rënie të mundshme të prodhimit. Të rinjtë e sektorit duket se e kanë filluar me ritme shumë të mira punën, pasi tregojnë se kanë arritur të plotësojnë synimet e tyre për t’u vendosur në treg.
Rritet importi i qumështit të papërpunuar
Pritej që zhvillimi i ndërmarrjeve brenda vendit të frenonte importin. Në fakt, nga të dhënat e tregtisë rezulton se importi i qumështit vazhdon të rritet e për më tepër, po rritet ai i qumështit të papërpunuar. Sasia e importuar gjatë vitit të kaluar ishte 8.6 mijë hektolitra, 2.4% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë që importi i qumështit të papërpunuar u rrit 6%, duke arritur në 7 mijë hektolitra. Sipas të dhënave të importit mbi 80% e qumështit të importuar vjen i papërpunuar.
Po të shohim importet, rritja e qumështit të papërpunuar është e vazhdueshme, me një rritje mesatare vjetore prej vitit 2010 me rreth 3%.
Pavarësisht se nuk ka verifikime zyrtare, specialistë të tregtisë bujqësore dyshojnë se industritë e përpunimit po i drejtohen edhe importit të lëndës së parë (qumësht rifuxhio). Sipas tyre, në bazë të kostos së lëndës së parë, industritë janë më të favorizuara ta blejnë qumështin jashtë (kryesisht në Bullgari e Maqedoni). Kostoja e një litri qumësht në fermat tona është mbi 40 lekë, ndërsa ajo e importit 35-37 lekë (duke përfshirë edhe koston e transportit).
Pjesa më e madhe e përpunueseve pohojnë se qëllimi i tyre parësor është të punojnë me lëndë të parë të importuar, por nuk mohojnë rastet kur janë “detyruar” të importojnë lëndë të parë në vendet fqinje. Rreth dy vite më parë, përpunuesit e “Ferlat” kishin në plan të importonin qumësht nga Maqedonia, meqë prodhimi vendas ishte shumë i kufizuar. Pjesa më e madhe e qumështit të importuar (gati 60%) erdhi nga vetëm tre tregje: Maqedoni, Bullgari e Rumani.
Hendek mes fshatit e industrisë
Faktorët që kanë nxitur investimet në përpunimin e qumështit janë dy: shkalla ende e lartë e konsumit të qumështit të papërpunuar termikisht dhe mundësia për eksporte.
Sipas një anketimi të bërë tre vite më parë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, qumështi i freskët i papasterizuar kryeson në konsum. Rreth 31% e të anketuarve konsumojnë nga ky produkt. Kohët e fundit është vërejtur se konsumatorët po e zëvendësojnë gjithnjë e më tepër qumështin e tregtuar në kushte jashtë standardeve me qumështin e paketuar që tregtohet në supermarkete. Ekspertë të tregtisë mohojnë mundësinë që vitin e kaluar të ketë pasur ndonjë ndryshim tendence në drejtim të konsumit. Pavarësisht se shifrat zyrtare flasin për tkurrje të konsumit, kjo nuk vlerësohet të ketë prekur një prodhim bazë si qumështi, ndërkohë që specialistët e kanë të vështirë të mendojnë se blerësit kanë ndryshuar prirjen e janë rikthyer te qumështi i tregtuar nga fshatarët. “Në kushtet natyrale, konsumi i prodhimeve bazë ushqimore rritet 3% në vit”, shpjegon specialisti i teknologjisë ushqimore prof. Abdyl Sinani. Por ekspertë të tjerë, mendojnë se vitin e kaluar, më shumë se rënie reale të konsumit, mund të ketë pasur një tkurrje të deklarimeve reale të kompanive prodhuese.
Kemi në vend, por shpresojmë tek importi?!
Me investimet e fundit të bëra, kapaciteti i përpunimit të qumështit në vend llogaritet rreth 25 mijë litra/orë në total. Krahasuar me prodhimin në ferma prej rreth 10 milionë hektolitrash në vit, kapacitetet janë shumë më të larta, aq sa për të plotësuar kërkesën e një tregu tre herë më të madh se Shqipëria. E në fakt, përpunuesit e pranojnë se janë të gatshëm të prodhojnë kos apo djathë me qumësht të importuar. Drejtuesit e marketingut të qumështit “Fast” thonë se kanë pasur periudha kur kanë provuar të importojnë nga Maqedonia. Dhe ekonomistët nuk shohin asgjë të keqe në këtë mes, madje theksojnë se kjo mund të jenë një mundësi për konsumatorin, i cili mund të blejë me çmim më të ulët të njëjtin prodhim të siguruar me lëndë të parë vendase. Por, furnizimi nga importi nuk duket zgjidhja më e mirë. “Qumështi rrezikon të dëmtohet gjatë kohës së nevojshme për të mbërritur në fabrikë dhe kemi pasur raste konkrete të parave të shkuara dëm”, thotë Admir Hila, përfaqësues i një prej fabrikave të përpunimit të qumështit në zonën e Fierit.
E në rritjen e nivelit të prodhimit nuk ndihmon as mundësia për eksport. Dështimi i kompanisë “Primalat” në Kosovë, i bën të ndihen edhe më të dobët edhe përpunuesit e tjerë të qumështit, të cilët deri dje tentonin të ishin konkurrentë të markave serbe në tregun kosovar.
Fermat blegtorale, drejt tkurrjes
Një vend blegtoral si Shqipëria duhej të paraqitej shumë më mirë në supermarketet vendase për gamën dhe sasinë e prodhimeve të bulmetit “Made in Albania”. E ndërsa po kalon një çerek shekulli ekonomi tregu, zinxhiri i furnizimit fermë-industri vazhdon të mbetet i shkëputur. Shembujt e mirë të ngritjes së fermave nuk munguan veçanërisht në periudhën 2006-2008, por ato morën një goditje me rritjen e çmimit të drithërave në 2008-n, duke bërë një hap mbrapa në mundësinë e furnizimit të fermave. Në vrojtimin e revistës “Monitor” mbi këtë sektor në vitin 2011, specialistët e blegtorisë shpreheshin se “sektori i qumështit gjendet në një situatë kaotike e të paorganizuar dhe për më tepër pa kontrolle të mjaftueshme të prodhimit”. Shqetësimi është që edhe tre vite më vonë përsërisin të njëjtën gjë, përjashtuar rritjen e kontrolleve kohët e fundit. Sipas tyre, dy skajet që përcaktojnë këtë kaos zhvillimi janë fermat e vogla në njëjtën anë (mbi 70% e tyre 1-2 krerë lopë, pra nuk mund të quhen as ferma) dhe stabilimentet e përpunimit, çdonjëri prej të cilëve me vlerë mbi 1 milion euro nga ana tjetër.
Gjedhi dhe të imëtat që rriten në vend me qëllim prodhimin e qumështit nuk janë pak. Aktualisht numërohen rreth 357 mijë lopë. Fondi i nevojshëm për prodhimin e lëndës së parë ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në pesë vitet e fundit numri i lopëve është rritur 8%. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se fermat e vogla bujqësore kanë sjellë ferma po të vogla blegtorale (1.5 krerë gjedh).
Sipas specialistëve të bujqësisë, zgjidhja më e mirë është që investitorët e përpunimit të merrem me ndërtimin e fermave të mëdha e rentabël të prodhimit të qumështit. Por, në apel thërrasin edhe qeverinë. Sipas tyre, do të duheshin më shumë garanci nga Ministria e Bujqësisë, pasi mjafton thatësira e një sezoni, për të vënë në rrezik mbijetesën e fermave blegtorale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.