Kërkime të shumta që janë bërë në lidhje me kreativitetin në vendin e punës kanë treguar se janë shumë faktorë që ndikojnë në kreativitetin e punonjësve. Disa janë në nivel organizativ, disa në nivelin e skuadrës, dhe të tjerë në nivel individual. Një ndër faktorët më të rëndësishëm, në mos më i rëndësishmi, është autonomia. Studimet kanë treguar se ekziston një lidhje e ngushtë midis autonomisë dhe kreativitetit. Punonjësit kanë nevojë për autonomi që të jenë kreativë. Ata nuk kanë nevojë për autonomi që të vendosin se me cilin projekt të punojnë, por ata e kanë nevojshme autonominë për të vendosur se si ta ekzekutojnë një projekt.
Kjo bën kuptim. Në fakt, kur unë u them njerëzve se kam studiuar se pse njerëzit janë më shumë kreativë në një kompani startup se sa në një kompani të zakontë, ata më përgjigjen se kjo vjen për shkak të “kulturës”, “klimës” ose “autonomisë”. Është më shumë se aq, por tani për tani do të fokusohem tek autonomia.
Natyrisht, është e qartë se punonjësit nuk mund të bëjnë asgjë, nëse drejtuesit ua mohojnë atyre autonominë e dëshiruar.
Por nëse mendoni më mirë, drejtuesit janë njerëz, si unë e ti. Që ata t’ju japin autonominë për të cilën keni nevojë, së pari kanë nevojë që t’ju besojnë. Në të vërtetë ekziston një cikël vicioz ndërmjet besimit, autonomisë, kreativitetit, vënies në zbatim, inovacionit dhe rezultateve.
Supozojmë se drejtuesit kanë besim te punonjësit. Si rezultat, ata do t’u japin punonjësve autonominë për të cilën ata kanë nevojë.
Është vërtetuar edhe më parë që autonomia luan një rol të rëndësishëm në kreativitetin e punonjësve. Idetë kreative + vënia në zbatim = inovacion. Nëse idetë do të ishin vërtet kreative dhe do të zbatoheshin sipas nevojës, risia do të kishte një vlerë të rëndësishme në treg dhe do të jepnin rezultate në kompaninë tuaj, veçanërisht financiare.
Sigurisht, ky cikël mund të funksionojë edhe në anën e kundërt. Kur drejtuesit nuk u japin besim punonjësve të tyre, ata nuk do të kenë autonominë për të cilën kanë nevojë. Dhe në rrethana të tilla, ju nuk duhet të prisni ide kreative.
Por, vini re, të dy skenarët nisin me nivelin e besimit që drejtuesit kanë tek punonjësit e tyre. Dhe nëse ky është me të vërtetë një cikël, ai mund të fillojë edhe në një pikë tjetër.
Po sikur punonjësit të marrin vetë iniciativën në duart e tyre, edhe pse zyrtarisht, autonomia për të cilën kanë nevojë, u është mohuar. Unë e kam bërë një gjë të tillë edhe më parë dhe të njëjtën gjë kanë bërë edhe shumë të tjerë. Autonomia që ju i jepni vetes mund të funksionojë po aq mirë sa edhe autonomia që do t’ju jepnin drejtuesit tuaj për të dhënë rezultate kreative.
Në këtë pikë, sigurisht, drejtuesit do të mërziteshin për lirinë e të vepruarit që ju i keni dhënë vetes, por në të shumtën e rasteve, ata shqetësohen më shumë rreth kompanisë se sa egos së tyre (ndonjë do të pëlqente të besonte kështu) dhe ky cikël, i cili përfundon me një klient i cili është i interesuar, do të ndërtojë besimin e drejtuesve te punonjësit e tyre dhe do të zëvendësonte autonominë që ju i keni dhëne vetes me autonominë që do t’ju jepnin drejtuesit tuaj.
Siç e shihni, kultura e kreativitetit mund të fillojë me ju. Nuk ka pse domosdoshmërish të nisë nga drejtuesi juaj.
*Yoram Solomon/ INC