Kompania shtetërore kineze China Railway Construction Corporation (CRCC) ka fituar konkursin për ndërtimin e stadiumit ku do të luhet finalja e Botërorit 2022 në Katar.
Këtë e bëri të ditur sekretari i përgjithshëm i Komitetit Suprem të Katarit, Hassan Al Thawadi.
Shoqëria e fitoi këtë kontratë në bashkëpunim me kompaninë me qendër në Katar, HBK Contracting, që do të zbatojë projektin e arkitektit britanik Norman Foster.
Stadiumi Lusail do të zërë një vend të rëndësishëm në Botërorin 2022 dhe sipas planeve urbanistike do t’i mbetet trashëgimi qytetarëve të vendit.
E veçanta e këtij projekti, që ngjalli menjëherë vëmendje, është që stadiumi do të rrethohet nga një kanal dhe do të lidhet me parkingjet nëpërmjet gjashtë urave.
China Railway Construction Corporation ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me HBK Contracting Co, si kontraktori kryesor për ndërtimin e stadiumit në Lusail. CRCC do të marrë 45% të të ardhurave.
Punimet parashikohet të zgjasin 40 muaj dhe vlera e investimit është llogaritur në 767 milionë USD.
Sipas Komitetit Organizativ të FIFA-s, në këtë stadium do të zhvillohet ceremonia e hapjes, ndeshje të tjera kualifikuese, finalja dhe ceremonia e mbylljes.
Stadiumi do të ketë kapacitet prej rreth 80 mijë vendesh. Punimet parashikohet të nisin në muajt e parë të 2017-s. Lusail, qyteti bregdetar ku do të ndërtohet stadiumi, gjendet në veri të Dohës.