Nisi më 14 qershor Kampionati Botëror i Futbollit, Rusi 2018, me ndeshjen e parë, Rusi – Arabi Saudite (5 -0) e cila u zhvillua në Luzhniki Stadium të Moskës.
Ndeshjet e këtij Kampionati do të zhvillohen në 12 stadiume, në 12 qytete të ndryshme të Rusisë.
Komiteti organizator i këtij Botërori i ka kushtuar shumë rëndësi përgatitjes së infrastrukturave për Kupën e Botës, jo vetëm sa i përket respektimit të rregulloreve të FIFA “REGULATIONS – 2018 FIFA World Cup Russia” dhe “Football Stadiums – Technical Reccomendations and Requirements”, por edhe përdorimin e këtyre stadiumeve pas përfundimit të kompeticionit, në mënyrë që të mos përsëriten të njëjtat gabime të vlerësimit të bëra nga Brazili në Kupën e Botës 2014, me ndërtimin e të ashtuquajturave “Katedrale në shkretëtirë”.
Stadiumet, Rusia investim 5,3 miliardë dollarë
Në momentin që standardet e FIFA-s kërkojnë një kapacitet minimal për stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet e Botërorit, janë bërë punime të ndryshme në përshtatjen e impianteve të mëparshme me disa zgjidhje inovative, si për shembull ajo në Ekaterinburg Arena, në qytetin me të njëjtin emër. Vendet në dispozicion ishin vetëm 27 mijë dhe për këtë është hapur kurba dhe janë ndërtuar dy tribuna të jashtme, duke shfrytëzuar në mënyrë të veçantë metodën e quajtur “Method Lego”, e cila parashikon ndërtimin e strukturave të tilla të përkohshme, falë së cilës, kapaciteti i stadiumit është rritur në 45 mijë vende.
Pas përfundimit të Botërorit, këto struktura do të çmontohen. Sa u përket shpenzimeve për stadiumet, ato arrijnë rreth 5,32 miliardë dollarë, me një investim që shkon nga 215 milionë dollarë për Ekaterinburg Arena deri në thuajse 1,5 miliardë për ristrukturimin e Krestovsky Stadium në Shën Peterburg
Stadiumet e zgjedhur për Botërorin ndahen në dy kategori të mëdha: stadiume të përdorur më parë për ngjarje të tjera sportive dhe stadiume të ndërtuar pikërisht për Kupën e Botës 2018.
Ekaterinburg Arena
Ndër më të njohurit është Ekaterinburg Arena (45.000 vende), kjo falë ristrukturimit të Stadiumit historik Kombëtar, që është shtëpia e klubit FC Ural Yekaterinburg. Përveç instalimit të tribunave të përkohshme për të rritur kapacitetin, stadiumi është i njohur pasi ka qenë skenë e Kampionatit Botëror të Patinazhit të Shpejtë në vitin 1959 dhe se ka pritur tre herë Kombëtaren ruse U 21.
Fisht Stadium
Fisht Stadium (47.659 vende), është ndërtuar me rastin e Lojërave Olimpike Dimërore XXII në vitin 2014 dhe më pas është shndërruar në një hapësirë për futboll me rastin e Confederations Cup.
Për këtë u nevojitën disa ndryshime, shpenzimet për të cilat arritën në 519 milionë dollarë, të cilave u shtohen edhe 8 milionë për mirëmbajtjen gjatë vitit, të cilat nuk duhen nënvlerësuar për shkak të përdorimit jo të shpeshtë të stadiumit dhe largësisë së këtij impianti nga qendra e qytetit. Për këto arsye, parashikohet reduktimi i kapacitetit në fund të Kupës së Botës.
Kazan Arena
Një situatë e ngjashme është edhe për Kazan Arena në Kazan, qytet që është konsideruar kryeqyteti i sportit rus – i ndërtuar me rastin e Universiade në vitin 2013, është një ndër impiantet më moderne dhe shumëfunksionale, në të cilin janë zhvilluar kompeticione futbolli dhe atletike. Ky stadium ka kushtuar 400 milionë dollarë (tre herë më shumë se sa 155 mln të parashikuar). Për të mbuluar gjithë këto shpenzime shpresohet që të planifikohen evente të ndryshme komerciale dhe kulturore në fund të këtij kompeticioni, pavarësisht vështirësive logjistike për të shkuar atje.
Otrykie Arena apo Spartak Stadium në Moskë
I fundit ndër stadiumet që kanë ekzistuar më parë është Otrykie Arena apo Spartak Stadium në Moskë (45.379 vende), i përfunduar në vitin 2014, për t’u bërë shtëpia e skuadrës së futbollit me të njëjtin emër. Stadiumi, para të cilit ndodhet statuja e gladiatorit Spartak, ka disa pika të forta. Tribunat janë shumë pranë fushës dhe kjo krijon një atmosferë emocionuese falë një numri të madh tifozësh. Spartak Stadium është gjysmë orë larg nga qendra e qytetit dhe është lehtësisht i arritshëm me metro.
Krestovsky Stadium në Shën Peterburg
Një ndër stadiumet e ndërtuar pikërisht për Botërorin Rusi 2018 është Krestovsky Stadium në Shën Peterburg (64.287 vende), i ngritur mbi rrënojat e stadiumit historik Kirov Stadium, shpenzimet për të cilin kanë kapërcyer 1 miliard dollarë dhe është konsideruar stadiumi më i shtrenjtë i futbollit në botë.
Samara Arena në Samara
Samara Arena është frymëzuar nga tradita hapësinore e zonës në Samara (“Futbol’nyj v samare”, 44.807 vende), e cila fillimisht mendohej të ndërtohej në një ishull pranë qytetit, por projekti u konsiderua i parealizueshëm. Shpenzimet totale arrijnë rreth 320 milionë dollarë, 40 milionë më shumë se buxheti i parashikuar. Pikërisht për këtë janë bërë disa ndryshime nga plani fillestar për të përfunduar impiantin para afatit të parashikuar. Në këtë stadium do të luajë ndeshjet Krylia Sovetov (në kategorinë e dytë ruse).
Arena Baltika në Kaliningrad
Arena Baltika (35.212 vende) është ndërtuar në ishullin Oktyabrsky pranë qytetit të Kalingradit (i njohur si vendlindja e figurave historike, ndër të cilët filozofi Kant). Forma e impiantit frymëzohet nga Allianz Arena në Mynih dhe pika e tij e fortë është thjeshtësia, si për sa i përket design edhe funksionalitetit. Pas Botërorit, vendet do të reduktohen në 25 mijë. Ka kushtuar 290 milionë dollarë.
Nizhny Novgorod Stadium dhe Rostov Arena
Dy impiante janë ndërtuar pranë brigjeve të një lumi; Nizhny Novgorod Stadium (44.899 vende) është ndërtuar aty ku bashkohet lumi Volga me Oka, ndërsa Rostov Arena (45.145 vende) ngrihet pranë lumit Don. I pari ka kushtuar 290 milionë dollarë dhe ka si pikë të fortë fasadën gjysmëtransparente nga ku shihet Kremlini i shekullit të XVI të Nizhny Novgorod, atraksioni më i rëndësishëm turistik i qytetit.
Ndërsa tek Rostov Arena të befason çatia, forma e së cilës të kujton valët e lumit Don. Edhe në këtë rast, plani fillestar është rishikuar për shkak të mungesës së fizibilitetit. Shtëpi e FC Rostov, ky impiant i cili ka kushtuar 330 milionë dollarë, do të shërbejë si pikënisje për ndërtimin e bizneseve dhe restoranteve me synim rigjallërimin e zonës.
Mordovia Arena dhe Volgograd Arena
E mbyllim me dy stadiume – Mordovia Arena në Saransk (44.442 vende), për të cilin janë shpenzuar 300 milionë dollarë, ngjyra e jashtme e koperturës të të cilit është një simbol i arteve dhe zanateve tipike të zonës së Mordovës. Në fund të Botërorit, parashikohet reduktimi i vendeve në 28 mijë.
Volgograd Arena (45.568 vende, 280 milionë dollarë të shpenzuara), ndodhet në qytetin i njohur dikur si Stalingrad, dhe është shtëpi e FC Rotor Volgofrad. Punimet përfunduan me vonesë për shkak të një zjarri të vogël dhe gjetjes së një predhe që daton në betejat e Stalingradit.
Luzhniki Stadium në Moskë
Një vend të veçantë meriton Luzhniki Stadium në Moskë (më i madhi, me kapacitet 80 mijë vende) ku u zhvillua ndeshja e parë dhe do të zhvillohen finalja e Botërorit (më 15 korrik) dhe pesë ndeshje, ndër të cilat një nga dy gjysmëfinalet
Përveç finales së Kupës së UEFA-s në vitin 1999 dhe Champions League në vitin 2008 (si dhe 3000 ndeshje në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar) në këtë stadium është zhvilluar edhe Kampionati Botëror i Atletikës në vitin 2013.
Ky impiant ka kushtuar 400 milionë dollarë. Luzhniki Stadium synon që, në të ardhmen, të bëhet shtëpia kryesore e Kombëtares ruse, ku të zhvillohen më shumë se një finale ndërkombëtare futbolli, si dhe evente që lidhen me sporte të tjera.