Me ndeshjet e raundit të tretë të FA Cup – që tradicionalisht luhen në fundjavën e parë të janarit – ka filluar edhe këtë vit faza më e nxehtë e turneut më të vjetër në botë. Por cilët janë elementet që e bëjnë të suksesshëm FA Cup? Ky kompeticion është unik pasi kombinon suksesin sportiv dhe ekonomik, gjë që për shumë sportdashës është e pamundur, por në fakt është më se e mundur nëse aktivizohen mekanizmat e duhur.
Organizimi
FA Cup e merr emrin nga Federata, e cila u përket të gjithëve. Këtë e demonstron formula e saj, ndryshe nga Italia, ku trofeu i Kupës organizohet nga Liga e Futbollit. Sa i përket anës ekonomike, klubet e dinë që luajnë në një kompeticion, ku pjesa më e madhe e të ardhurave të Federatës do të shkojë për zhvillimin e futbollit dhe jo tek arkat e tyre.
Tradita
Më shumë se formula, një aspekt më i rëndësishëm është ai i traditës. Ndeshjet luhen gjithnjë në të njëjtat data (si për shembull shorteu për Raundin e Tretë i cili hidhet në fillim të dhjetorit dhe transmetohet drejtpërdrejt). Klubet e Premier League dhe Championship (Kategoria e Dytë) hyjnë në garë gjithnjë në 10-ditëshin e parë të janarit (duke filluar nga raundi i tretë); finalja, tradicionalisht, është ndeshja e fundit e sezonit në Angli dhe luhet në Wembley (që mirëpret edhe gjysmëfinalet). Aftësia për të krijuar dhe për të ruajtur traditën është vendimtare.
Formula
Pas disa fazave kualifikuese, ku marrin pjesë të gjitha skuadrat e futbollit anglez, në muajin nëntor zhvillohet raundi i parë dhe i dytë për Kupën, me hyrjen e skuadrave (profesioniste) të kategorisë së tretë (League One) dhe të katërt (League Two). Në raundin e tretë të janarit mbijetojnë vetëm 20 skuadra (këtë vit ishin 6 skuadra joprofesioniste: 5 të kategorisë së pestë plus ekipi i Stourbridge në që vjen nga kategoria e shtatë. Këtyre u shtohen 44 skuadra nga Championship (24) dhe Premier League (20). Luhet gjithnjë një ndeshje teke, pra nuk ekziston koncepti vajtje-ardhje. Në rast se ndeshja del barazim luhet ndeshja e kthimit (replay) dhe kështu vijohet deri në fazën gjysmëfinale.
Kohët e fundit formula është bërë objekt i kritikave, veçanërisht nga klubet e mëdha, që do të donin heqjen e ndeshjeve replay, për të mos pasur shumë ndeshje për të luajtur.
Në prillin e shkuar, BBC dhe BT Sport ripërtërinë marrëveshjen për transmetimin e ndeshjeve (vetëm disa, jo të gjitha) deri në vitin 2021. Marrëveshja e re është zgjerim i marrëveshjes ekzistuese prej 200 milionë sterlinash të përcaktuar në vitin 2013. Duhet të kujtojmë se FA arkëton edhe 30 milionë të tjera nga Emirates si sponsor i saj zyrtar.
Ajo çka shkaktoi zhurmë ishte kontrata rekord me shoqëritë e marketingut Pitch International dhe IMG për transmetimin ndërkombëtar të FA Cup prej 820 milionë sterlinash. FA e konfirmoi këtë marrëveshje e cila do të hyjë në fuqi në sezonin 2018-2019 dhe do të jetë e vlefshme për gjashtë vjet.
Çmimet
Më shumë para për klubet e mëdha? Absolutisht jo! Fituesit marrin në total 3,4 milionë sterlina, në të cilën shtohet një përqindje e arkëtimeve nga finalja (për shembull, vitin e kaluar, fituesit e Manchester United arkëtuan 45%). Këto të dhëna u konfirmuan edhe këtë vit. Finalistja do të marrë 900 mijë sterlina më pak se fituesja. Këtu aspekti ekonomik nuk është parësor krahasuar me fitimet marramendëse në Premier League.
Duke marrë parasysh të gjitha, FA Cup është një kompeticion që i vjen në ndihmë lëvizjes kombëtare futbollistike.
Përfitimet për klubet e mëdha janë më të pakta krahasuar me shifrat stratosferike që ata janë mësuar, por pavarësisht kësaj, impenjimi është maksimal, dhe kjo Kupë mbetet trofeu kombëtar më prestigjioz dhe më magjepsës në botë.
A është e mundur të bësh biznes dhe të promovosh sportin në të njëjtën kohë?
Modeli i FA Cup, me gjithë veçantitë e saj, duket se ia ka dalë mbanë.