Kur shoqëruesja më e mirë është një birrë

25/06/2012 9:39 AM 0 komente

Këtë herë “Birra Tirana” zgjodhi Afërdita Dreshën për të prezantuar “Kuqalashen” e saj. Një reklamë që nuk ka kaluar pa rënë në sy, për shkak të “fabulës” së zgjedhur dhe masivitetit.

Një reklamë e prodhuar tërësisht në Shqipëri, e ideuar për një produkt gjithashtu të ri. Drejtoresha e Marketingut e “Birra Tirana”, Edlira Mali, tregon detajet se si një shesh xhirimi u kthye në një festë.

Reklama që u kthye në një festë

Flet Edlira Mali, Drejtore e Marketingut “Birra Tirana”

Karakteri sezonal i birrës kushtëzon edhe mënyrën e strukturimit të strategjive të komunikimit me konsumatorin. Periudha e verës është periudha më aktive për kompanitë prodhuese të birrës, është periudha e fushatave promocionale, është koha ku konsumatorit i prezantohen të rejat, ndryshimet, zhvillimet, ecuria, për t’ia bërë sa më të thjeshtë zgjedhjen mes varietetit të produkteve që ofrohen në treg.

Si lindi ideja e hedhjes në treg të këtij produkti dhe më pas realizimi i fushatës publicitare?

Produkti “Kuqalashe” është brandi më i ri i “Birra Tirana”, që erdhi si pasojë e studimit të detajuar të tregut dhe dëshirës e impenjimit për t’iu përgjigjur kërkesave, shijes dhe preferencave të konsumatorit. Ky brand i ri i drejtohet një target grupi kryesisht rinor, shumë aktiv, dinamik dhe pikërisht duke u bazuar në karakteristikat e këtij target grupi, është ideuar edhe fushata promocionale, që i dedikohet birrës “Kuqalashe”. Synimi është që konsumatorët te produkti të gjejnë veten dhe ta ndjejnë që i përfaqëson në mënyrën më të natyrshme. Birra është një produkt që përfaqëson status. Rinia e zgjedh birrën për të treguar që janë “trendy”, “cool”, “modern”. Këtë jemi munduar që të prezantojmë edhe ne me mënyrën e ndërtimit të fushatës sonë komunikuese.

Për ideimin dhe kreativitetin e reklamës është bërë një punë shumë e gjatë në terma kohorë. Çdo detaj i saj është studiuar me shumë kujdes dhe në hollësi. Veshjet e çdo personazhi, veglat e punës, pajisjet në kantier, vajza që drejton suksesshëm një kamion të përmasave të mëdha, të mbushur plot me birrë. Ndaj çdo gjë që ndodh aty, nuk është e rastësishme.

“Birra Tirana” zgjedh shpesh të përfaqësohet nga imazhi i personazheve të njohur publikë, përse kjo zgjedhje?

Përdorimi i personazheve VIP është një nga strategjitë e njohura në prezantimin e produkteve të ndryshme, që veprojnë në dy drejtime: personifikojnë personazhin me produktin dhe anasjelltas. Përzgjedhja e Afërdita Dreshaj si imazhi i “Birra Tirana”, u bë pas shumë diskutimesh dhe analizimi të një numri të konsiderueshëm personazhesh femërorë, të gjitha shumë të njohura dhe të suksesshme si në Shqipëri ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Tani mund të themi me shumë siguri se përzgjedhja e Afërditës ishte vërtet e duhura, pasi që të dyja, produkti dhe personazhi, identifikojnë shumë mirë njëra-tjetrën.

Jo vetëm kaq, Afërdita është një personazh shumë i dashur dhe i mirëpritur nga konsumatori, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, por edhe në vende të tjera europiane dhe ndërkombëtare. Kjo për ne është shumë e rëndësishme, sepse “Birra Tirana” nuk tregtohet vetëm brenda kufijve të Shqipërisë apo në trevat shqipfolëse, ajo eksportohet suksesshëm edhe në disa vende europiane dhe më gjerë. Ishte kënaqësi të punoje me Afërditën sepse është shumë bashkëpunuese, komunikuese dhe kreative.

Ajo e shijon punën që bën dhe në profesionin e saj, kjo është shumë e rëndësishme për të qenë e suksesshme. Me pak fjalë, ajo ishte zgjedhja perfekte për të përfaqësuar të “përkëdhelurën” tonë “Kuqalashen”, e cila është unike në tregun shqiptar për llojin, karakteristikat dhe statusin që përcjell tek konsumatori.

Ideja e reklamës ka lindur në një ambient ku njerëzit pinin birrë dhe argëtoheshin. Mund të themi me krenari që skenari apo ideja e kësaj reklame është prodhim ynë totalisht, i brendshëm, sepse te “Birra Tirana”, nuk prodhohet vetëm birrë, por edhe krijohet. Një produkt i tillë transmeton dinamizëm dhe kënaqësinë e saj dhe kur e dashuron produktin, bëhesh një me të dhe krijimtaria vjen natyrshëm.

Përse një reklamë masive?

Gjatë kësaj periudhe, komentet për reklamën kanë qenë nga më të ndryshmet, pjesa më e madhe e tyre supozojnë se reklama është realizuar jashtë Shqipërisë, duke hamendësuar që reklama të këtij niveli nuk mund të realizohen këtu. Më duhet të sqaroj se reklama është realizuar në Tiranë, me produksion shqiptar, ndërkohë që kemi pasur edhe supervizimin e një agjencie italiane. Bashkëpunimi me studion e produksionit “MC” (Ministria e Komunikimit) ishte vërtet i këndshëm dhe i suksesshëm dhe këtë e tregon dhe rezultati i këtij bashkëpunimi. Për realizimin e saj janë dashur mbi tri ditë xhirime, gjatë të cilave kushtet atmosferike nuk ishin gjithmonë bashkëpunuese. Numri i pjesëmarrësve në shesh-xhirim ishte mbi 300 persona.

Ajo që filloi si një punë për realizimin e një reklame u kthye në një festë të vërtetë birre, ku u bashkuan edhe shumë kalimtarë dhe festuan bashkë me ne. Madje për ca kohë u bllokua edhe trafiku. Për sa i përket kostove për realizimin e kësaj reklame, mund t’ju them që ato identifikohen nga niveli i reklamës dhe i së gjithë fushatës.

Çfarë reagimesh keni marrë pas transmetimit të kësaj reklame?

Feedback-u i reklamës dhe i së gjithë fushatës ka qenë shumë pozitiv, duke tejkaluar edhe parashikimet tona. Njihet fakti që kur një fushatë është shumë e suksesshme, përgjegjësia është shumë e madhe, pasi fushata pasuese duhet të jetë në të njëjtin nivel, madje edhe më e suksesshme. Aktualisht jemi duke u përgatitur për fushatën pasardhëse, e cila përsëri në qendër ka konsumatorin dhe dëshirat, preferencat dhe shijet e tij.

“Birra Tirana” do të vijojë të mbetet përzgjedhja e konsumatorit sepse ajo është birra së cilës i besohet, si një miku të mirë që e ke pranë në çdo moment.

Po fushata e komunikimit, ku bazohet?

Për të kuptuar më mirë strategjinë tonë të punës, mund të them se fushata promocionale e “Birra Tirana” këtë sezon nuk përbëhet vetëm nga reklama, ndonëse kjo e fundit zë një vend të konsiderueshëm, më lehtë e identifikueshme nga aspekti vizual. Në fakt, është përgatitur një fushatë e strukturuar dhe e kompletuar me elementë ATL dhe BTL dhe të gjithë këto elemente kanë rolin e tyre në realizimin e një fushate të plotë, suksesin e së cilës e ka në dorë konsumatori. Prandaj ne preferojmë që të kombinojmë sa më mirë të gjithë elementët komunikues, promovues, argëtues, për të qenë sa më pranë konsumatorit atje ku ai preferon të konsumojë produktet e këtij niveli.

Në këtë kontekst, ne kemi bërë një kombinim të suksesshëm dhe të studiuar me sukses të fushatës sonë me aktivitetin më të rëndësishëm sportiv të vitit, Kampionatin Europian, Euro 2012. Njihet mirë lidhja e fortë e birrës me sportin dhe veçanërisht me futbollin, kjo jo vetëm për një target mashkullor, por edhe femëror. Rezultati është lehtësisht i dukshëm. Ku ka më mirë se të shoqërosh emocionet e ndeshjeve të këtij kampionati me një “Kuqalashe akull të ftohtë”.

300 numri i pjesëmarrësve në spot

Strategjia

Ne preferojmë që të kombinojmë sa më mirë të gjithë elementët komunikues, promovues, argëtues, për të qenë sa më pranë konsumatorit, atje ku ai preferon të konsumojë produktet e këtij niveli

Detaji

Ajo që filloi si një punë për realizimin e një reklame u kthye në një festë të vërtetë birre, ku u bashkuan edhe shumë kalimtarë dhe festuan bashkë me ne.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of