Cila është tendenca më e fundit e arredimit të zyrave. Sa kujdes i kushtojnë sipërmarrjet shqiptare mjedisit ku ushtrojnë aktivitetin punonjësit e tyre. Si ndikojnë ngjyrat, hapësirat, ndriçimi dhe mjedisi përreth në produktivitetin në punë
Nga Deada Hyka
Në qoftë se nuk i keni parë zyrat e famshme të Google (në internet), bëjeni! Kombinimi i ngjyrave, ideve inovatore, lojës, bimësisë, rehatisë së një shtëpie ka bërë që Google të shpallet kompania me dizajnin më të mirë të zyrave të tyre në të gjithë botën. Jo më kot kanë stafin më produktiv dhe vendin e merituar në treg.
Një arkitekt i famshëm amerikan thotë: “Bëje zyrën një ambient që do të doje të ishe dhe jo që do të duhet të ishe dhe do kesh punonjësit më të
motivuar”.
Nuk duhet të jesh një arkitekt në profesion që të kuptosh se çfarë rëndësie ka një arredim i mirë zyre, për punonjësit të cilët shpenzojnë më tepër orë në zyrë se sa në shtëpitë e tyre. Jemi larg tashmë nga koha ku zyra konsiderohej ajo tavolina tipike me një numër të madh dosjesh në të, e zëvendësuar vite më vonë me kompjuterët e parë. Kompanitë e huaja prej vitesh kanë përqafuar idetë nga më kreativet për ta shndërruar ambientin e punës në një vend të qetë, jo stresues, me ngjyra etj.
Edhe në Shqipëri, këto 10 vitet e fundit kanë nisur tendencat e marra nga jashtë, të të krijuarit të një mjedisi të mirë për punonjësit, duke marrë në konsideratë fitimin që përkthehet në rritje produktiviteti ose klientësh.
Si ndikon dizajni në suksesin e një kompanie
Arredimet më të mira të zyrave kombinojnë shkencën dhe emocionin, një balancë që është konsideruar jetësore. Një zyrë e arreduar mirë do të komunikojë brand-in e kompanisë dhe do të marrë stafin më të mirë. Jo më kot bizneset e suksesshme shpenzojnë kohë dhe energji që të sigurohen se zyrat e tyre janë dizajnuar siç duhet. Jo vetëm që krijon një vend të shëndetshëm për të punuar, por një mjedis zyre ka aftësinë që të zgjerojë dhe mbështesë suksesin e biznesit.
Punonjësit shpesh kalojnë më shumë kohë në zyrë se sa në shtëpinë e tyre. Duke marrë në konsideratë këtë fakt, bën kuptim fakti që një zyrë e mirëdizejnuar mund të rrisë moralin, produktivitetin dhe eficiencën e punonjësve.
Jolin Habili, arkitekt prej shumë vitesh në treg, tregon për “Monitor” se arkitekti duhet të kuptojë historikun dhe brand-in e firmës, qëllimin dhe objektivat në mënyrë që të jetë sa më i qartë, që të japë zgjidhje të personalizuara dhe autentike. Në rast se arredimi i një zyre realizohet duke marrë në konsideratë këto elemente, atëherë kompania formëson një fytyrë autentike dhe që njëkohësisht e ndihmon të pozicionohet në treg.
Megi Hoxha, arkitekte, pohon se klientët gjithashtu marrin mesazhe nga dizajni i zyrës. N.q.s një zyrë është e zymtë, jashtë mode dhe me një dizajn minimalist, klientët mund të mendojnë të njëjtën gjë për kompaninë. Ndërsa, nga ana tjetër, një dizajn i mirorganizuar, i këndshëm dhe që të fut në mendime, flet vetë për brand-in e kompanisë, për suksesin, për promovimin etj.
Ndërsa ndërthurrja e shijeve të kompanive tona me ato lider në tregjet botërore, duket se mund të jetë tendencë, duke qenë se janë të shumta kompanitë që vijnë me një foto specifike se “si i duan zyrat”. Por, një tjetër ekspert i fushës, Xhuljan Bushi tregon se me kalimin e kohës lindin ide të tjera, duke e ndryshuar thuajse 90% nga ideja fillestare që kishte klienti.
Sa u përket tendencave të këtij viti dhe atij pasues, duket se mbetet zyra centrike. Arkitektët pohojnë se një hapësirë e tillë është e shëndetshme dhe i ndihmon punonjësit të ndihen sa më energjik, si fizikisht dhe mendërisht, duke ulur edhe nivelin e stresit.” Duke qenë se një person qëndron në këtë hapësirë 8 orë në ditë, ne e shohim të arsyeshme që të fusim më shumë elemente natyrale në mjedisin e punës. Kjo mënyrë krijon një ambient më të ngrohtë si dhe ndihmon në pastrimin e ajrit. Përdorimi i materialeve të riciklueshme, ekologjike dhe industriale, si p.sh. druri, uji dhe bimësia natyrale. Ngjyrat janë një tjetër mënyrë për të krijuar imazhin e natyrës”, – pohon z. Habilaj.
Dizajni, funksionaliteti i biznesit dhe punonjësit
Një ndër elementet kyç, sipas arkitektëve, është lidhja e funksionalitetit të kompanisë me mënyrën e arredimit të zyrave të tyre. Për këtë, duhet zgjedhur një stil i veçantë dhe unik, që zyra të përfaqësojë fytyrën e vërtetë të një biznesi. Për shembull, arkitektët tregojnë për “Monitor” se një vinotekë përqafon kryesisht stilin vintage, ndërsa një kompani ndërtimi atë modern dhe bashkëkohor. Megjithatë, ekzistojnë edhe përjashtime nga modeli.
Një tjetër element që arkitektët sugjerojnë është krijimi i hapësirave të cilat janë shumëfunksionale. “Hapësira që përdoren edhe për mbledhje të vogla, diskutime, por edhe si hapësirë relaksi dhe argëtimi. Kjo mënyrë jep më shumë produktivitet duke e larguar punonjësin nga tavolina e punës. Produktiviteti në ambientin e punës është çelësi kryesor në projektimin e hapësirave të zyrave. Për çdo kompani është thelbësore që punonjësit të ndihen të frymëzuar dhe pa stres”, – pohon Jolin Habili.
Zyrat duhet të jenë shumë lehtë të adaptueshme edhe ndaj ndryshimeve që mund të bëhen në të ardhmen, tregojnë specialistët e fushës së interierit. Kjo do të ishte shumë pozitive në rast se do të ndryshonte organigrama ose funksioni i kompanisë, pasi pozicionimi i ri do të jetë i lehtë menaxhueshëm. Mobiliet e zyrave vendosen për një fleksibilitet sa më të mirë dhe lloji i mobilieve që arkitektët këshillojnë është ai modular, pasi është shembulli për një zyrë smart, funksionale dhe të adaptueshme.
Shqiptarët dhe rëndësia e arredimit të zyrës
Bizneset shqiptare prej kohësh kanë filluar t’i kushtojnë rëndësi arredimit të ambienteve dhe nuk është diçka e re. Kjo ndodh për arsye se duke qenë një ambient komod, i përshtatshëm në lidhje me llojin e biznesit që operon dhe duke qenë bashkëkohor me stilin e momentit, tërheq klientelën dhe shfaq besueshmëri më të madhe. Kështu tregon arkitekti Xhuljan Bushi, i cili shton edhe se nga puna në vite është vënë re se, sa më i mirë të jetë arredimi, aq më shumë cilësi dhe seriozitet paraqet te klienti.
Zyrat nuk janë një ambient çfarëdo, nuk duhet menduar vetëm si një hapësirë e ndarë, por është pjesë e rëndësishme për të qenë më aktiv në punë. Specialistët tregojnë për “Monitor” se pjesa më e rëndësishme në projektimin e zyrave është funksionaliteti i planit duke krijuar lëvizshmëri fluide dhe komode në mënyrë që të krijojmë hapësira për lëvizshmërinë e punonjësve.
“Zyra mund të jetë centrike ose policentrike në bazë të organigramës dhe hapësirës. Për çdo projekt nuk ka një manual standard projektimi, por duke dëgjuar kërkesat e klientëve krijohet plani i projektimit. Arkitekti duhet të kuptojë historikun dhe brand-in e firmës, qëllimin dhe objektivat, në mënyrë që të jetë sa më i qartë, që të japë zgjidhje sa më të personalizuara dhe autentike. Duke qenë se në kompanitë moderne, teknologjia në zyra ka përdorim të gjerë, ne mundohemi t’i implementojmë edhe këtu. Pjesa më e madhe e dokumenteve fizike po dixhitalizohen duke kaluar në serverë dhe në cloud, duke e eliminuar në njëfarë mënyre magazinimin, printimin dhe kopjimin e dokumenteve. Kjo na krijon më shumë hapësira në zyra, që mund të shfrytëzohen kryesisht për ambiente mbledhjesh, rekreative dhe relaksi”,- pohon z. Habilaj.
E pyetur nëse zgjedhin shqiptarët përdorimin e bimësisë në arredimin e zyrave, arkitektja Megi Hoxha tregon se shumë pak kompani kanë kulturën e zgjedhjes së bimëve dhe luleve. “Mbase kjo lidhet edhe me faktin se lulet duan kohë dhe përkujdesje”,-tregon ajo.
Një bankë jashtë kornizave të zakonshme
Zyrat qendrore të Credins Bank, në rrugën “Vaso Pasha”, spikasin për arkitekturën moderne, por përtej arkitekturës, ambientet e brendshme janë konceptuar me një stil të ri që, jo vetëm përcjell shije, estetikë dhe transparencë te klientët, por krijon dhe një ambient frymëzues e motivues për stafin që punon.
Shtatë katet e godinës kanë një kombinim midis hapësirave “open space” të stilit amerikan që lehtëson komunikimin e stafit me njëri-tjetrin dhe punën në ekip dhe zyrave individuale, të drejtuesve, të cilat ndërkohë që ka privatësi për një punë menaxheriale, falë ndarjeve me xham, mbeten ndërvepruese me hapësirën tjetër të stafit.
Krijimi i ambienteve të përbashkëta si Credins Cafe apo restoranti i stafit, në katin 0 dhe minus 1, gjithashtu u jep ambienteve të bankës, një profil më shoqëror dhe joformal. (Jo më kot dakordësitë më të zakonshme në biznes ndodhin në kafe.) Këto ambiente, sipas burimeve nga Banka, janë konceptuar për të lejuar një lëvizje të natyrshme të stafit nga sallat e mbledhjeve, apo trajnimeve në një ambient kafeje. Gjithashtu, kanë shtuar ndërveprimin e stafit me njëri-tjetrin, duke lehtësuar komunikimin. Në godinë ndodhen disa salla mbledhjesh ku ndërthuret arti, estetika, trashëgimia kulturore dhe një lloj koncepti i një linje muzeore.
Sallat janë emërtuar me emrat e vendeve të trashëgimisë kulturore si Salla Butrinti, Salla Apolonia, Salla Onufri dhe secila prej tyre është në vetvete një miniekspozitë. Ky koncept, thuajse i pahasur në asnjë kompani apo biznes tjetër në Shqipëri, gjithashtu krijon hapësira të reja për ndërveprim të stafit, pasi teksa presin fillimin e një mbledhje a takimi, diskutojnë, mësojnë diçka më shumë apo flasim për një përjetim personal lidhur me vendet apo veprat e ekspozuara. Në tërësi, godina moderne dhe zyrat të veshura nga xhami, edhe në tavan, konsiderohen një risi, që kanë arritur të shkëpusin linjën rutinë dhe të zymtë të bankës dhe e kanë shndërruar atë në zyra të qeta dhe ndërvepruese, pohojnë drejtuesit e bankës.
Ndikimi i ngjyrave në produktivitetin tuaj në punë
Nëse muret e zyrës tuaj janë në ngjyrë gri të hapur, ju duhet t’i ndryshoni ato sa më parë të jetë e mundur.
Ngjyra gri e lehtë konsiderohet ngjyrë e ftohtë dhe sipas disa studimeve të fundit të Universitetit të Teksasit shkakton ndjesi negative si trishtim, depresion etj.
Por ngjyrat në ambientet e punës nuk ndikojnë vetëm në gjendjen tonë të humorit por edhe në nivelin e rendimentit dhe kreativitetit në punë.
Bojëqielli
Njihet si ngjyra e cila ndikon në rritjen e produktivitetit. Ajo është një ngjyrë që të krijon një gjendje qetësie dhe rrit nivelin e përqendrimit te punonjësit. Këshillohet që të gjithë zyrën ta lyeni me ngjyrë bojëqielli dhe pastaj mund të përdorni një ngjyrë tjetër (p.sh. atë të mobilieve) për të krijuar një thyerje për syrin.
E gjelbra
Ngjyra e gjelbër këshillohet sidomos për ata punonjës që punojnë me orë të zgjatura. Nuk krijon lodhje për sytë dhe ju ndihmon që të ndiheni të qetë dhe produktivë në të njëjtën kohë.
E verdha
Njihet si ngjyra më pozitive dhe ndihmon në rritjen e kreativitetit. Këshillohet sidomos për dizajnerët dhe për punonjësit të cilët duhet të jenë sa më kreativë në punën e tyre.
E kuqja
Nëse puna juaj ka të bëjë me aktivitet fizik, atëherë ngjyra e duhur për ju është e kuqja. E kuqja rrit rrahjet e zemrës, presionin e gjakut. E kuqja konsiderohet edhe një ndër ngjyrat që tërheqin më shumë vëmendje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.