Gjendja e kompanisë vlerësohet kritike, rreth 700 punëtorë rrezikojnë vendin e punës, ndërsa drejtuesit kërkojnë “dorën” e shtetit
Nga Elona Bedalli
Në një kohë kur qeveria flet për mijëra vende pune të krijuara, paradoksalisht vijnë lajme se një nga fabrikat më të mëdha, siç është ajo e hekur-çelikut në Elbasan, Kurum, rrezikon çdo ditë mbylljen. Madje drejtuesit e kompanisë shkojnë edhe më larg kur thonë se gjendja është edhe më e vështirë, sesa ishte në vitin 2006, kur fabrika u gjend përballë kolapsit për shkak të çmimeve të larta të energjisë elektrike.
Sot, ky nuk është më një problem, sepse është zgjidhur tashmë nga vetë kompania, por arsyet janë edhe më komplekse. Numri i punëtorëve që “luajnë ruletë ruse” me vendin e punës llogaritet në 700 dhe nëse situata nuk përmirësohet dhe për këtë kërkohet ndihma e shtetit, atëherë humbjet do të jenë edhe më të mëdha. Të mëdha, sepse prodhimi i Kurum Albania nuk është i destinuar vetëm për tregun e brendshëm, por edhe për atë të Kosovës e Maqedonisë. “Humbjet do të ishin katastrofike në kushtet kur rrezikohet prodhimi dhe jo vetëm për ne, por edhe për bizneset që janë pjesë e zinxhirit, për shtetin etj., dhe pa frikë mund të llogariten në një miliard euro”, thonë drejtuesit e kësaj kompanie.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se eksportet e gizës dhe çelikut ranë me 13% me bazë vjetore për periudhën janar–prill 2014, ky është grupi që ka shënuar uljen më të madhe në vlerë absolute për eksportet.
Edhe të dhënat e Autoritetit Portual të Durrësit për periudhën janar- maj 2014 folën për rënie të eksporteve me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në shifrën 634,622 tonë mallra ose 68,644 tonë më pak mallra. Kjo diferencë erdhi kryesisht nga minerali i hekur-nikelit, si dhe nga pakësimi i eksporteve të çimentos.
Për drejtuesit e fabrikës së Kurum-it, arsyet e situatës së vështirë të prodhimit dhe si rrjedhojë edhe të pakësimit të eksporteve kanë ardhur për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet tregu. Ata thonë se stanjacioni i industrisë së ndërtimit po reflekton pasojat. “Ka një mbingopje në ofertë, ndërsa kërkesa është në nivelet e saj minimale sa i përket tregut shqiptar. Nga ana tjetër, duhet të përballemi edhe me kostot e larta që ka mbajta e prodhimit në depozita, si dhe inventarizimi i tyre. Shteti, si një përfitues i drejtpërdrejtë ose më saktë si një partner, duhet të tregohet bashkëpunues në të tilla raste. Një zgjidhje për t’i dhënë sërish frymëmarrje këtij tregu do të ishte dhënia prioritet e përdorimit të hekurit vendas në realizimin e punimeve në infrastrukturë. Të mos harrojmë se janë shumë familje jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera fqinje që ndikohen nga kjo situatë, sepse ky është një aktivitet që ka një rrjet zinxhir, përfshi këtu edhe atë të transportit”, – thonë drejtuesit e Kurum Albania. Ata parashikojnë që situata nuk do të pësojë ndryshime të ndjeshme gjatë pjesës së mbetur të vitit dhe industria do të vazhdojë të përballet me sfidën e mbijetesës.
Në vitin 2013, kompania prodhoi 487,000 tonë hekur ose rreth 30% më shumë se një vit më parë, por parashikimet janë shumë më pak optimiste për vitin 2014. Kapacitetet prodhuese të fabrikës së Elbasanit janë 700,000 tonë hekur i mbështjellë dhe 510,000 tonë në gjendje të lëngët.
Por, duket se një tjetër arsye që e ka vënë kompaninë në vështirësi jo të vogla ka qenë edhe realizimi i disa investimeve të konsiderueshme në Portin e Durrësit, por që kanë mbetur të “bllokuara”. E bëhet fjalë për shifra që shkojnë në miliona euro, për investime që synonin të përmirësonin kohën dhe kostot e shkarkimit të kontejnerëve në këtë port. Drejtuesit e kompanisë thonë se qeveria shqiptare duhet të marrë masa të menjëhershme për të rritur kapacitetet pritëse dhe shkarkuese në portin më të madh të vendit, për t’u dalë përpara zhvillimeve në të cilat do të gjendet shumë shpejt rajoni dhe për t’iu përgjigjur në kohë një tregu gjithnjë e më shumë në rritje dhe një konkurrence që sa vjen e bëhet edhe më e fortë.
Gjatë vitit 2013, Kurum shiti hekur dhe nënproduktet e tij në rreth 43% të tregut shqiptar, ndërsa pjesa tjetër u eksportua në tregjet fqinje, si në Serbi, Kosovë dhe Maqedoni. Rritja e përqindjes në tregun serb ka qenë një nga arritjet kryesore të kompanisë për vitin 2013. Në Shqipëri, Kurum mbulon rreth 66% të nevojave të tregut me hekur dhe çelik.
HEC-et, një investim i duhur
Por, në gjithë këtë situatë kritike, ka edhe një lajm të mirë siç konsiderohet edhe nga drejtuesit e kompanisë Kurum Albania, bëhet fjalë për blerjen e katër HEC-eve në vitin 2012 (Bistrica 1,2, Ulëz dhe Shkopet me fuqi totale të instaluar 76.7 MW) me vlerë rreth 109 milionë euro. Procesi i plotë i transferimit të pronësisë përfundoi në vitin 2013 edhe me “legalizimin” e të gjitha aseteve që nuk ishin regjistruar që nga vitet ‘60 nga shteti shqiptar.
“Prodhimi ynë është gjithnjë e më i varur nga energjia elektrike dhe ne duhet të siguronim një burim të qëndrueshëm. Plani për të ndërtuar një impiant të ri hidroenergjetik nuk funksionoi për shumë arsye, ndaj kur qeveria shqiptare ‘hodhi’ në shitje katër HEC-et, atëherë kompania mori të gjitha masat që të hynte në tenderim me ofertën më të lartë për t’i siguruar se këtë herë nuk do të dështonte në qëllimet e saj.
Drejtuesit e Kurum në Shqipëri e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm këtë investim. Ata parashikojnë që të investojnë në HEC-in e Shkopetit rreth 30 milionë euro për rehabilitimin e plotë të tij, ndërsa “Bistrica 1 dhe 2” i konsiderojnë si “xhevahire” të vërtetë. Sipas tyre, rreth 80% e prodhimit të energjisë shkon për plotësimin e nevojave të fabrikës ku prodhohet hekur–çelik, ndërsa pjesa tjetër i shitet shtetit përmes OST-së.
Sipas të dhënave të raportit të ERE-së për vitin 2013, gjatë gjashtëmujorit të dytë, këto HEC-e janë administruar nga Kurum International sh.a. dhe kanë realizuar një prodhim prej 126 GWh. Në sistemin e OST-së, për vitin 2013 nga HEC-et e administruara nga Kurum kanë hyrë rreth 41 milionë kWh.
Problemet e furnizimit me energji elektrike për kompaninë nisën në vitin 2001. Në vitin 2006, fabrika rrezikoi mbylljen për shkak të çmimit të lartë të blerjes së energjisë, por edhe sepse shteti uli në 10% tarifat doganore për importin e hekurit (kjo edhe si një detyrim i vënë nga OBT-ja) duke e vënë industrinë vendase përballë dizavantazhit kundrejt konkurrentëve të jashtëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.