Kuşadası, qyteti-resort në Turqi “shndërrohet” në ylber

29/01/2019 3:11 PM 0 komente

“Somewhere over the rainbow”… (diku përtej ylberit) është një qytet i zhytur në ngjyra, në mënyrë të përkryer.

Kuşadası, i cili është një qytet turistik në brigjet perëndimore të Egjeut, në Turqi, ka rivitalizuar disa pjesë të lagjeve të tij me ngjyra të mrekullueshme (dhe të denja për një foto në rrjetin social, Instagram).

Sipas Lonely Planet, 400 shtëpi në lagjen Tepe në Kuşadası janë lyer në ngjyrë rozë, blu, të verdhë, portokalli, të gjelbër dhe vjollcë si pjesë e projektit “Let’s Colour”, i propozuar nga kompania e bojërave Marshall.
Rezultati është një ujëvarë ngjyrash që duket sikur zbresin nga pika më e lartë e Kuşadası.

Kryetari i Bashkisë së Kuşadası, Özer Kayalı, tha se u zgjodh lagjja Tepe për pozicionin kyç në qytet. Ky është vendi i parë që shohin turistët kur mbërrijnë në Portin e Kuşadası-t. Është një panoramë e mrekullueshme dhe për këtë arsye, mendojmë se ky projekt do t’i japë një zhvillim të madh komunitetit” – tha në një deklaratë kryetari i bashkisë.

400 shtëpitë e lyera të Kuşadası janë vetëm një nga 2300 projektet në gjithë botën që kompania e bojërave Marshall shpreson t’i përfundojë brenda prillit. Shtëpitë e lyera me ngjyra të gjalla krijojnë një atmosferë më të bukur për lagjen në përgjithësi, por mund të rrisin edhe numrin e turistëve në zonë.

Sigurisht Kuşadası nuk është qyteti i parë në botë, shtëpitë e të cilit janë lyer ngjyra -ngjyra për të rritur numrin e turistëve. Banorët e Kampung Pelangi në Indonezi, para ca kohësh i lyen shtëpitë e tyre në ngjyra të ndezura, dhe kjo ndikoi disi në rritjen e numrit të turistëve.

Burimi: Travel & Leisure

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of