Bërja e një pakete ligjore që ndihmon nisjen e Reformës në Drejtësi nuk ndodhi si nevojë, por si një pendim. Klasa politike, megjithëse i trembej këtij perceptimi si “djalli temjanit”, nuk e shmangu dot. As votimi, i ndryshimeve kushtetuese, me konsensus të plotë në Parlament, nuk e fshehu dot këtë fakt nga sytë e publikut.
Procesi për bërjen e një Reforme të thellë të Drejtësisë në Shqipëri nisi 18 muaj më parë. Megjithëse ishte e nevojshme të kaloheshin disa faza, kjo kohë e gjatë nuk mjaftoi që marrëveshja të arrihej më shpejtë.
Nëse nuk do të ishte presioni i ndërkombëtarëve, të cilët vendosën si kusht të panegociueshëm edhe datën 21 korrik, procesi me gjasë do të shtyhej pa fund, pasi palët pjesëmarrëse, përveç të tjerash, bënin kalkulime elektorale dhe individuale.
Edhe fakti se gjetja e formulës u bë në limitet ekstreme të kohës, në orët e vona të natës, mbështet argumentin se politika shqiptare nuk veproi me ndërgjegje politike, paçka se përpiqej të dukej e vullnetshme. Ajo u detyrua ta bëjë atë.
Procesi erdhi përmes presioneve të forta diplomatike dhe si rrallëherë, tepër të drejtpërdrejta. Ndërkombëtarët bënë lojën e “polici i mirë-polici i keq”. Në fillim, klasës politike iu ofrua ekspertizë, dhe alternativa formulash. Kjo kohë zgjati shumë e u bë qesharake, sepse sa zgjidhej një pretendim, lindte një tjetër, i papërmendur më parë. Deri të enjten në mbrëmje u luajt një teatër qesharak me shumë mizanskena që sosi durimin. Ndaj, në skenë, u fut “polici i keq”.
Në fillim, politika shqiptare u paralajmërua se mos bërja e reformës në drejtësi do të shtynte kohën e hapjes së negociatave për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në BE. Por,e imunizuar nga ky rrezik, ky paralajmërim i stërpërsëritur, nuk ndikoi pothuajse fare tek klasa politika. Atëherë, ndërkombëtarët, e veçanërisht amerikanët rritën presionin sa orët e fundit të së enjtes së kaluar duke i thënë troç çdo deputeti që nuk do të votonte pro reformës, se ai do të “persekutohej” nga SHBA e BE (Departamenti i Shtetit paralajmëroi për një listë të zezë). Megjithëse këto kërcënime diplomatike i kaluan caqet e etikës dhe integritetit, treguan se, vetëm ato, dhanë efektin e duhur. Negociatorët vendas u munduan që ky fakt të mos binte në sy, ndaj edhe shpesh takimet apo seancat u zhvilluan larg syve të medias dhe kishte një mur aq të fortë, se ishte e vështirë të infiltrohej diçka dhe se u bë shumë e vështirë të dalloje të vërtetën nga e pavërteta. Kjo ishte edhe arsyeja e tretë: megjithëse me votimin e fundit në Kuvend, prekej një pjesë e mirë e Kushtetutës, shqiptarët ende nuk e kanë të qartë se çfarë u vendos në emër të tij . Kjo përforcon mendimin se procesi kërkohej të mbahej larg publikut për arsye të tjera, që nuk lidheshin me garancitë për drejtësi, por për të tjera “garanci”. E vetmja gjë e saktë që u mor vesh nga ky proces është se për vitet në vijim, në bërjen e drejtësisë në vend, shqiptarët nuk janë më vetëm por bashkë me ta do të vendosin edhe ndërkombëtarët.
Të gjitha sondazhet, gjatë kohës që politika vendase negocionte, tregonin se mbi 90% e shqiptarëve ishin pro reformës dhe pak iu interesonte formula që të çon drejt saj dhe vetëm 10% ishin kundër. Por ngecja e negociatave e bëri të qartë, ashtu siç më shumë se një herë e cilësuan ndërkombëtarët se procesi po pengohej nga të tjerë: njerëzit e pushtetshëm, të kapur nga krimi dhe korrupsioni. Mirëpo fatkeqësisht, 90% e shqiptarëve nuk prodhonin dot 90% të votave në Kuvend, ndaj edhe procesi, u zhvillua jo mbi vullnete, por mbi një rrugë tjetër: atë të ngjashme me të penduarit e drejtësisë, që në këmbim të përfitimeve të faljes apo uljes së dënimit duhet të rrëfente krimet. Ndaj edhe kërcënimi amerikan funksionoi. Iu dhanë përfitimet, pastaj i trembën, dhe më pas votuan.
Dhënia e statutit të të pandehurit të drejtësisë nuk është morale, por një gjetje ligjore që në Italinë e mafies së fortë të viteve ‘80-‘90 funksionoi duke i dorëzuar drejtësisë shumë kriminelë . Edhe në sistemet demokratike me drejtësi më të konsoliduar, ky instrument funksionon, por nuk përfaqëson gjithë sistemin, sepse është vetëm një mekanizëm i tij.
Vendimi konsensual për të bërë reformë në drejtësi ishte nevojë dhe votimi është një rezultat i mirë për shqiptarët. Ai mund të jetë historik, ashtu siç u tha në Kuvend, por kjo ishte vota e turpit historik për klasën politike , sepse certifikuan me dëshminë e tyre që për më shumë se dy dekada nuk mund të prodhonin drejtësi, por e lanë të kapej nga krimi. Duke përfshirë ndërkombëtarët dhanë shenja se kanë mungesa të mëdha aftësish shtet-formuese. Por damka më e madhe e turpit lidhet me faktin se “Të penduarin e drejtësisë”, nga një instrument e kthyen në metodë, nga një zgjedhje e të keqes më të vogël e shndërruan në modelin e konsensusit , nga një status e kthyen në kult, duke e ngritur në majën më të lartë të sistemit politik. Prej tij erdhi edhe reforma. “I penduari i drejtësisë” nuk ndëshkohet, por krimi i mbetet. Ndaj beteja nuk ka mbarur dhe vendi ka nevojë jo vetëm për një drejtësi të pakapur, por edhe një sistem politik të pakapur, që ushtrohet mbi vullnete të transferuara nga votat e sovranit dhe jo mbi kompromisin “çfarë përfitoj nëse jap”. Megjithatë, ky mbetet një moment historik, por shkrimi i historisë fillon më pas.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.