Gjashtë muajt e parë të këtij viti tregojnë se hapësirat e Belle Air u zunë nga kompani të huaja fluturimi. Ato, jo vetëm përfituan një pjesë më të madhe të tortës, por rritën fitimet e tyre nga një menaxhim më i mirë i linjave. Sipas të dhënave të Aeroportit, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, numri i pasagjerëve u rrit 6.8%, ndërsa numri i fluturimeve ra po kaq.
Dalja e kompanisë shqiptare nga tregu i fluturimeve është shfrytëzuar nga kompanitë e huaja në të gjitha kuptimet. Ato jo vetëm kanë ndarë mes tyre rreth 52% të tregut që zinte Belle Air, por e kanë shfrytëzuar këtë hapësirë në mënyrë më eficiente për ekonomitë e tyre.
Në këta muaj kemi takuar jo pak të afërm, apo edhe miq të huaj që ankohen se ndryshe nga një vit më parë, u duhet të presin më gjatë, e madje të paguajnë më shtrenjtë për të arritur në një destinacion të afërt si ai i Barit.
Në fakt, shifrat e raportuar për “Monitor” nga aeroporti “Nënë Tereza” konfirmojnë se numri i pasagjerëve është rritur, ndërsa numri i fluturimeve ka rënë.
Sipas këtyre të dhënave, në periudhën janar-qershor të këtij, numri i pasagjerëve është rritur me 6.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 818,643 persona. Ndërkohë, numri i fluturimeve, sipas të dhënave zyrtare të aeroportit, ka shënuar po të njëjtin nivel rënie (-6.8%). Nga më pak se 9200 fluturime që u bënë në 6-mujorin e parë të 2013-s, numri i tyre zbriti në 8558 në gjashtë muaj.
Për më tepër, numri i operatorëve në treg është rritur, duke u shtuar 4 operatorë krahasuar me një vit më parë. Nga 12 kompani fluturimi vitin e kaluar, aktualisht ulen e ngrihen avionët e 16 kompanive të huaja.
Me shuarjen e motorëve të avionëve të Belle Air, ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, u shpreh se tregu do të liberalizohej, pasi po hapeshin mundësitë për futjen e disa kompanive të tjera në treg. Në fakt, kjo ndodhi vetëm pak muaj më vonë, por liberalizimi nuk u përkthye në më shumë oferta, apo çmime më konkurruese për udhëtarët. Aktualisht raportohen çmime të atij niveli ose 20-50 euro më të larta se një vit më parë, në varësi të destinacioneve, por ajo çka duket e sigurt është se me daljen e kompanisë së fundit shqiptare nga tregu (pas Albatros, Albanian Airlines) biletat e fluturimeve nuk janë ulur dhe në të njëjtën kohë destinacionet e fluksi i fluturimeve ka rënë.
Drejtues të agjencive të udhëtimeve e kanë një shpjegim për këtë. Sipas tyre, tregu i fluturimeve nuk ka funksionuar siç duhet pasi kompania (e cila nisi rrugën e falimentit pas një njoftimi bombë për pasagjerët që kishin prenotuar), nuk paguante një pjesë të mirë të taksave dhe detyrimeve ndaj të tretëve. Kjo, sipas operatorëve, e ka lejuar kompaninë të bëjë edhe fluturime joefektive, me pak pasagjerë në bord.
Tregun e marrin të huajt
Pasi Belle Air la për operatorët e tjerë 52% të tregut pas falimentimit në fund të vitit të kaluar, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014, sipas shifrave zyrtare të siguruara nga Tirana International Airport, përfitues janë kompanitë e reja që u futën në treg, por dhe ato të të “vjetra” si Alitalia dhe kompania e saj low cost Air One.
Kjo shpjegohet me fluksin e madh të fluturimeve që Belle Air mbulonte me Italinë. Një tjetër hapësirë kanë marrë ata që hynë rishtas në treg.
Siç vërehet edhe nga grafikët, Air One ka rritur më shumë se dy herë peshën e saj në treg, Alitalia e rriti me 6 pikë përqindje këtë peshë, kurse pjesën më të madhe e ka marrë Blu Panorama, e cila u fut si “shpëtimtari” i pasagjerëve që kishin paguar biletat e udhëtimit, por nuk i shfrytëzuan dot ato. Prej nëntorit, pasagjerët udhëtuan me tarifa të ulëta (ndërsa paguan dy herë për udhëtimet) pikërisht përmes Blu Panorama. Por, ajo çka vihet re është se pothuajse të gjitha kompanitë kanë përfituar nga kjo lëvizje. LivingStone e Fly Albania, të cilat punojnë nën emrin e një kompanie, nuk renditen mes pesë kompanive të mëdha, ndonëse pritej që në treg të mbizotëronte një kompani shqiptare, bazuar edhe në përvojën e mëparshme të kalimit të tregut nga Albatros te Belle Air.
Sipas një analize më të detajuar të të dhënave, të realizuar nga Monitor, vetëm pjesa prej 52% e tregut që la bosh Belle Air, apo rreth 400 mijë pasagjerë në vit, u mbulua më së shumti nga Blue Panorama, e ndjekur nga Air One dhe më pas nga All Italia (nga llogaritjet janë hequr pjesët e tregut që kishin Air One dhe Al Italia para falimentimit të Belle Air). Dy kompanitë e tjera, që hynë ën treg në dhjetor 2013, Livingstone dhe meridiana, nuk kanë arritur të tregohen aq agresive sa operatorët e sipërpërmendur.
INSTAT: Ikën Belle Air, bie 25% transporti kombëtar
Për të kuptuar sa humbet vendi nga mungesa e një apo disa kompanive ajrore mjafton të shikojmë të dhënat e Institutit të Statistikave. Në 3-mujorin e parë të këtij viti, transporti ra me gati 25% krahasuar me një vit më parë, ndonëse shënoi një rritje prej 0.9% krahasuar me 3-mujorin e fundit të vitit të kaluar. Kujtojmë se flasim për gjysmën e tregut të fluturimeve ndërkombëtare të Shqipërisë, të cilat mbuloheshin nga kompania vendase, ndonëse duhet kujtuar gjithashtu se ishte një kompani që mbartte shumë detyrime si ndaj administratës tatimore, edhe ndaj të tretëve.
Me një ndikim që lë gjurmë në Prodhimin e Brendshëm Bruto, drejtori i Institutit të Statistikave, Gjergj Filipi, tregon se edhe në disa tremujorë të ardhshëm, sektori i transportit do të vazhdojë të tregojë performancë negative në Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Përgatiti A.MUÇAJ
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.