Kush nuk do të donte ta mbyllte javën që të enjten…

17/02/2017 11:17 AM 0 komente

Të gjithë punonjësit bashkohen në një pikë, java ecën me shpejtësinë e breshkës, ndërsa fundjava ikën sa hap e mbyll sytë, prandaj kush nuk do të donte që fundjava të zgjatej pak më shumë dhe pse jo të fillonte që të premten…

A nuk do të ishte fantastike që ne të përfundonim të gjitha punët që ditën e enjte dhe të shijonim 3 ditë të plota relaksi?!!!!!

Edhe nëse një gjë e tillë mund të arrihej, askush prej nesh nuk mund të largohej nga puna, të mbyllte zyrën dhe ta merrte të premten pushim, por ama të gjithë biem dakord me faktin se do të ishte një lehtësi e madhe që stresin e së premtes ta shpërndanim gjatë ditëve të tjera të javës.

Dhe kjo gjë mund të arrihet fare lehtë nëse lihet mënjanë skepticizmi dhe rriten përpjekjet për ta përdorur kohën në mënyrë sa më efikase. Madje në shumë kompani të huaja, kjo gjë përveçse është marrë seriozisht në konsideratë, ka filluar edhe të vihet në zbatim.

Më poshtë do të lexoni disa këshilla të cilat do t’ju tregojnë rrugën e duhur për ta arritur lehtësisht një gjë të tillë:

  1. Axhenda, skedulime, axhenda, skedulime…

Jo rastësisht titulli është përsëritur dy herë, sepse organizimi i detyrave që keni gjatë javës është shumë i rëndësishëm. Nëse doni ta lehtësoni veten gjatë ditës së premte këshillohet që një pjesë të madhe të punës së saj ta shpërndani në katër ditët e tjera. Përpiquni të mos lini takime, intervista apo detyra të rëndësishme të cilat do t’ju merrni shumë kohë gjatë ditës së premte dhe juve t’ju mbetej sërish vetëm fundjava e lirë.

Dustin Moskovitz, bashkëthemelues dhe CEO i Asana, shprehet se ai i zhvillon mbledhjet me stafin e tij ditën e mërkurë, takimet e rëndësishme i mbyll që në fillim të javës dhe të premten lë vetëm ndonjë gjë të vogël, jo shumë të rëndësishme e cila edhe mund të presë.

  1. Fokusohuni te prioritetet

Secili prej nesh e fillon javën me mendimin dhe dëshirën që në fund të saj të ketë përfunduar shumicën prej tyre. Por kur vjen e premtja, ka shumë prej atyre që s’dinë nga të vërtitën, sepse me vështirësi kanë përfunduar vetëm një pjesë të vogël të tyren. Nëse doni të shpëtoni nga një situatë e tillë, këshillohet që të përqendroheni tek çështjet tuaja më të rëndësishme dhe t’i ndani ato me prioritete. Në këtë mënyrë ju do ta kuptoni që ditën e enjte se me ç’ritëm jeni duke ecur dhe se sa prej punëve që duhet t’i mbyllnit i keni përfunduar, sepse po e latë pjesën më të madhe të tyre të premten, do ta keni edhe më keq, pasi nuk do të dini çfarë të bëni më parë. Mundohuni që t’i keni mbyllur shumicën e tyre që të enjten dhe pastaj të premten t’i jepni dorën e fundit.

  1. Përqendrim në maksimum

Dëshironi ta mbyllni pjesën më të madhe të punës që të enjten? Atëherë duhet të përqendroheni në maksimum dhe të reduktoni sa më shumë të mundeni format e ndryshme të shpërqendrimit.

  1. Shkurt dhe saktë

Kjo është një prej këshillave më të rëndësishme për një pjesë të konsiderueshme punonjësish por edhe drejtuesish, përfundimi i punës në një kohë sa më të shkurtër por edhe ashtu siç duhet mbi të gjitha. Në këtë mënyrë 8-orarëshi përdoret në mënyrën më efikase të mundshme, ju rrisni si produktivitetin tuaj ashtu edhe atë të kompanisë për të cilën punoni, por mund t’i krijoni vetes edhe mundësinë për të pasur pak më shumë kohë të lirë, e cila dalëngadalë mund të shndërrohet edhe në një të premte të plotë.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz