Kuvendi ka publikuar një rezolutë për punën e realizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare gjatë vitit 2013, si dhe ka lënë detyra specifike që duhet të përmbushen gjatë 2014-ës e që duhet të sjellin ndryshime të rëndësishme veçanërisht në tregun e sigurimeve, si më problematiku. Në rezolutë, Kuvendi kërkon që të stabilizohen tregjet financiare, të zgjidhet përfundimisht çështja e pagesave të prapambetura të dëmeve, që nga viti 2002. Po ja cilat janë në mënyrë të detajuar detyrat që AMF duhet të përmbushë :
– Nxitje e qëndrueshmërisë financiare dhe zhvillimi i sigurt i tregjeve
financiare nën mbikëqyrje për të mbrojtur konsumatorët, për të nxitur transparencën dhe besueshmërinë dhe për të siguruar respektimin e ligjit;
– Stabilizimi i plotë i tregjeve financiare, që për vitin 2013 kanë pësuar
tkurrje si pasojë e liberalizimit të çmimeve të sigurimit të detyrueshëm matrik,
pavarësisht se tregjet e fondeve të investimeve dhe të pensioneve private vullnetare kanë pasur përmirësime të ndjeshme;
– Gjetjes së mekanizmave shtesë, krahas ndërgjegjësimit dhe rritjes së besimit të
qytetareve, që ndikojnë në rritjen e vëllimit të sigurimeve në Produktin e Brendshëm
Bruto dhe përmirësimin e raportit dëme/prime në këtë treg, i cili,
mbështetur edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare, ngelet i pazhvilluar dhe
prapa të gjitha vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore për nga konsumi i
produkteve;
– Zgjidhjes përfundimtare të problematikës së detyrimeve për pagesat e dëmeve të
papaguara që nga viti 2002 e deri në fund të dhjetorit të vitit 2013 , brenda afatit kohor
të përcaktuar dhe sipas rekomandimeve të misionit të FSAP-it;
– Marrjes se masave për rritjen e nivelit të mbrojtjes së konsumatorit, duke
penguar kompanitë e sigurimeve në ofrimin e produkteve jocilësore, të konstatuara nga
ulja e trendit të sigurimeve të detyrueshme për vitin 2013;
– Marrjes së masave për rritjen e konsumit të shërbimeve të sigurimit të jetës,
nëpërmjet rishikimit të rregulloreve të nxjerra nga institucioni në lidhje me llogaritjen e
rezerva matematikore për produktet afatgjata dhe kriteret përkatëse të investimeve;
– Përcaktimin e qartë të procedurave dhe kritereve të detajuara, për të parandaluar
riskun që mund të vijë nga kërkesat e shumta për kapital në rastet e katastrofave
natyrore, si mund të jetë programi i sigurimit në shkalle vendi për pronarët e
shtëpive në përputhje me rekomandimet e lëna nga FMN-ja;
– Marrjes së masave për zgjidhjen e problematikave të shfaqura në tregun e
investimeve, të konstatuara edhe në raportin e Paktit të Stabilitetit të Fondit Monetar
Ndërkombëtar, të cilat kanë ndikuar në rritjen e riskut sistemik për fondet e
investimeve, si pasojë e mbikëqyrjes dhe rregullimit jo të mire, investimit kryesisht në
obligacione afatgjata, riskut të lartë të likuiditetit, lidhjes së afërt me bankat, duke pasur
parasysh edhe mungesën e qartësisë së politikave të likuiditetit dhe metodologjisë për
vendosjen e vlerës nominale në këto fonde;
– Përmirësimin e sistemeve online për mbikëqyrjen e modeleve mbi bazë risku,
të cilat do të ishin më efektive në kontrollin e kompanive me probleme në vend të
inspektimeve të deritanishme të realizuara nga Autoriteti;
– Hartimin dhe implementimin e rregulloreve specifike, dispozitave të veçanta në
ligje dhe manuale të inspektimit, së bashku me Drejtorinë e Parandalimit dhe Pastrimit
të Parave, për shmangien e praktikave abuzive të mashtrimit dhe pastrimit të parave.
Krijimin e një baze të dhënash për të kufizuar, penguar, parandaluar, zbuluar këto
praktika.
– Nxitjen e mëtejshme të koordinimit të punës mes Autoritetit, Qeverise dhe
grupeve të tjera të interesit, ne veçanti për zhvillimin e një tregu kapitalesh në përputhje me strategjinë e hartuar nga Autoriteti;
– Nxitjen e punës së Autoritetit me institucionet e tjera, që rregullojnë dhe
mbikëqyrin tregjet në vend, në veçanti me Autoritetin e Konkurrencës, për parandalimin e rasteve të abuzimit me situatën dominuese në treg, të cilat dëmtojnë cilësinë e shërbimeve të tregjeve të mbikëqyrura nga AMF-ja;
– Përmirësimin e legjislacionit në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian,
sidomos ne fushat e pensioneve, infrastrukturës se tregut financiar, tregut të
investimeve dhe shërbimeve.
– Nxitjes së fushatave edukuese për publikun, që synojnë nxitjen e
ndërgjegjësimit për përfitimet nga produktet dhe shërbimet financiare, në funksion të
rritjes së efektivitetit dhe integritetit të tregjeve;
– Hartimin e një strategjie për zhvillimin e tregut të letrave me vlerë dhe në
veçanti tregut të aksioneve, zbatimi i së cilës kërkon angazhimin dhe mbështetjen edhe
të aktorëve të tjerë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.