Kuvendi votoi sot me 82 vota pro, me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim vendimni “Për procedurën paraprake të përzgjedhjes së dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”. Që nesër, ditë e premte, do të bëhet menjëherë shpallja publike për dhjetë ditë me radhë, për të shprehur interesin pranë shërbimeve të Kuvendit lidhur me këtë çështje.
Sipas relacionit të Komisionit të Ekonomisë janë dy anëtarë që propozohen nga Kuvendi dhe një vend vakant që i përket Këshillit të Ministrave dhe që pritet të dërgohet në Kuvend pas procedurës përzgjedhëse që ka zhvilluar kryeministri Rama.
Kuvendi nxiton të zgjedhë antarët para propozimit të Presidentit
Debati i lançuar nga Monitor se propozimi i Presidentit për Guvernator jashtë rrdhëve të këshillit do krijonte përplasje me Kuvendin ka marrë jetë në debatet në Komisionin e ekonomisë. Sipas procesverbalit të mbledhjes së fundit të Komisionit kreu i Komisionit z. Braçe thotë se “neni 44 i ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, përcakton shumë qartë në pikën e parë se Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga 9 anëtarë si më poshtë vijon: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, kryetari i Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori i Parë i Bankës së Shqipërisë, zëvendëskryetari i Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatori i dytë i Bankës së Shqipërisë, si edhe 6 anëtarë të tjerë. Në pikën 2 është i qartë fakti që të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë vijon: Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi, 3 anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjedh dhe emëron zëvendësguvernatorin, mbështetur në propozimin e bërë nga guvernatori.
Sipas kreut të Komisionit z. Erjon Braçe është fare e qartë që për nëntë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë propozimet vijnë nga Këshilli i Ministrave, nga Kuvendi dhe vetë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe nga askush tjetër. Në funksion të nenit 44 të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, Rregullorja e Kuvendit, në nenin 111 “Zgjedhja e organeve kushtetuese ose të krijuara me ligj dhe dhënia e pëlqimit nga ana e Kuvendit”, përcakton shumë qartë në të gjitha pikat e tij.
Procedura e kandidaturave
Sipas z. Braçe, kandidaturat për organet kushtetuese ose të krijuara me ligj, të cilat zgjidhen nga Kuvendi, me përjashtim të rasteve kur nuk është parashikuar ndryshe në Kushtetutë ose në ligj, duhet të paraqiten me shkrim nga jo më pak se 28 deputetë dhe të përmbajnë një CV të kandidatit, si dhe pëlqimin e tij për kandidim.
Me paraqitjen e kandidaturave kryetari i Kuvendit ia kalon atë menjëherë komisionit përkatës, i cili vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kushtet ligjore brenda tre javëve nga marrja e kërkesës. Kuvendi kryen votimin për kandidatët jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose nga data e shkarkimit të tyre dhe ndërkohë në pikën 7 shkruhet qartësisht: “Në të gjitha rastet, komisioni përkatës brenda afateve të përcaktuara në këtë nen shqyrton përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature.
Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në rastin kur ka mangësi në dokumentacion për kandidaturën, komisioni i kërkon Kryetarit të Kuvendit të njoftojë institucionin propozues për plotësimin etyre. Kur asnjë prej kandidatëve nuk merr shumicën e kërkuar të votave, procedurave fillon me kandidaturat e tjera nga e para sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe.
Së pari, thirrjen që Kuvendi bën kundrejt cilitdo që do të paraqesë interesin e tij lidhur me kandidimin për vendet vakante të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Pas kësaj thirrjeje duhet që një grup prej 28 deputetësh të mbështesë një, dy ose më shumë kandidatura nga ajo listë e prezantuar apo e paraqitur pranë shërbimeve të Kuvendit dhe më pas Komisioni i Ekonomisë angazhohet për të vlerësuar nga pikëpamja kushtetuese, ligjore dhe e meritës secilin prej kandidatëve të paraqitur nga një grup prej 28 deputetësh. Kjo është procedura që do të ndiqet edhe nga komisioni.
Vendimi për zgjedhjen e antarëve të këshillit
Në vendimin e votuar sot cilësohet se:
a) Shërbimet e Kuvendit të shpallin, të bëjnë publike vakancën e organit kushtetues nga Kuvendi në faqen zyrtare të Kuvendit dhe mjetet e informimit publik. Në shpallje të përcaktohet edhe dokumentacioni që duhet të shoqërojë CV-në e kandidatit për përmbushjen e kritereve ligjore, si dhe pëlqimin e kandidatit me shkrim. Afati i dorëzimit të dokumentacionit të bëhet për një periudhë prej 10 ditësh nga dita e publikimit.
b) Në përfundim të afatit të përcaktuar në shpallje lista me kandidaturat e vetëofruara ju bëhet e njohur anëtarëve të Kuvendit. Shërbimet e Kuvendit brenda 5 ditëve nga dërgimi i njoftimit te deputetët i listës së kandidaturave të vetëofruara të Këshillit të Ministrave, një që i përket vetë këshillit mbikëqyrës dhe dy, që i përket Kuvendit. Së treti, procedura që ka ndjekur Kuvendi është shumë e qartë, është e hapur për çdo shtetas shqiptar apo edhe më gjerë se sa kaq, brenda apo jashtë Shqipërisë, për t’u paraqitur, për t’u prezantuar apo për të shprehur interesin për këtë gjë. Njëzet e tetë deputetë do të mbështesin ato kandidatura që ata mendojnë. Pas kësaj, Komisioni i Ekonomisë do të vlerësojë mbi bazë të ligjit e në bazë edhe të meritës së gjithsecilit prej tyre, në seanca dëgjimore të hapura, këtu në Komisionin e Ekonomisë.