Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar vonë në mbrëmje vonë në parim buxhetin e vitit të ardhshëm, me 82 vota pro dhe 2 kundër, teksa opozita është larguar nga salla.
Po me 82 vota pro dhe 2 kundër u votuan dhe ligji për akcizën i ndryshuar, për taksat kombëtare dhe për tatimin mbi të ardhurat.
Më herët, gjatë diskutimeve maratonë që zgjatën 16 orë, kryeministri i vendit, Edi Rama, tha se projektbuxheti dhe paketa fiskale e vitit 2017 garantojnë stabilitet fiskal.
“Sot nga një ekonomi që luhatej me 0 dhe 1 për qind rritje kemi një ekonomi që këtë vit do të rritet mes 3.3 dhe 3.5% dhe do vazhdojë të rritet” tha Kryeministri.
“Në të njëjtën kohë na është dashur të shlyejmë 720 milionë dollarë borxhe të fshehura që i gjetën kur morëm detyrën”,- vijoi Rama.
Duke bërë oponencën në emër të opozitës, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se qeveria ka dështuar me akcizën, taksat, çmimin e karburanteve në tërësi e në veçanti në bujqësi dhe pretendimet për heqjen e taksës për biznesin e vogël apo hapjen e 300 mijë vendeve të punës etj.
Bode tha se, aktualisht, biznesi i vogël paguan në formën e taksave lokale, të shërbimit, tarifave të bashkisë, reklama, pastrim etj., dy herë më shumë se ç’paguante më parë.
Për vitin 2017, qeveria ka llogaritur t’i rrisë të ardhurat nga tatimet dhe doganat me rreth 21 miliardë në krahasim me faktin e pritshëm të këtij viti. Duke përfshirë edhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore, të ardhurat pritet të rriten në vlera neto me 23 miliardë lekë ose 6.5% më shumë. Edhe pse është një vit elektoral, parashikimet janë pesimiste. Të ardhurat tatimore në 9-mujorin e këtij viti janë rritur me 7.4%, teksa shihet se qeveria ka planifikuar një rritje me ritme më të ulëta për tatimet dhe doganat për vitin që vjen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.